Ligji i koncesioneve ndryshon në korrik

Agron Shehaj, Deputet i PD
Ndryshimet janë thjesht një instrument për të vjedhur

Albana Shkurta, Zv/ministre e Financave
Eliminohet iniciativa nga një operator privat për kontrata koncesionare

Florion Mima, Deputet i PD
2.5 herë më shtrenjtë është kostoja që do paguajë buxheti i shtetit

Ministria e Financave përplaset me opozitën për projektligjin e koncesioneve dhe PPP-ve. Demokratët propozojnë nenin që ofertat e pakëkëkuara të mos hiqen vetëm për rrugët, por për të gjithë sektorët

Neritan Gjergo

Në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe Tregtisë është diskutuar dje projektligji i ri për koncesionet, në relacionin e të cilit parashikohen ndryshime për kontratat me partneritet publik-privat. zv.ministrja e Financave Albana Shkurta, gjatë prezantimit, ka deklaruar se duke nisur nga 1 korriku 2019 nuk do të lejohen më kontrata PPP në infrastrukturë kur nuk ka një ofertë. “Projektligji vjen si iniciativë ligjore e Ministrisë së Financave. Synimi i tij është përmirësimi i kuadrit ligjor dhe të rrisë kontrollin mbi angazhimet fiskale. Në hartimin e tij janë marrë në konsideratë të gjithë rekomandimet dhe përvojat e dhëna nga institucionet ndërkombëtare si FMN, BB. Në ndryshimet e parashikuara janë heqja e kontratave koncesionare në një sërë sektorësh. Nga 1 korrik 2019 nuk do të lejohen më kontratat PPP të pakërkuara në infrastrukturë. Gjithashtu parashikohet heqja e bonusit për propozimet e pakërkuara”, argumentoi zv.ministrja. Lidhur me pyetjet e paraqitura nga deputetët në sallë, zv.ministrja mohoi të jenë dhënë kontrata PPP për llixhat, ndërsa në lidhje me kontratat për pompat e karburanteve, ajo bëri me dije se nuk është parashikuar tarifë shtesë.

Shkurta shtoi se ndryshimi më i rëndësishëm i parashikuar është eleminimi i iniciativës nga një operator privat për kontrata koncesionare në rast të një oferte të pakërkuar. Zv.ministrja tha: “Nuk mohohet dhënia e kontratave të ardhshme koncesionare për rrugët, por vetëm ato në rast se mungon një ofertë zyrtare”. E pyetur për efektit në borxhin publik, zv.ministrja përgjigjet se për vitin 2019 vlera totale e këtyre lloj kontratave është parashikuar 3% të nivelit të të ardhurave.

Ndryshimet

Me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror. Një tjetër pikë, tepër e kontestuar nga opozita dhe e kritikuar nga FMN, është edhe risku financiar i këtyre projekteve, koston e të cilave e mbante shtetit. Për këtë pikë, në projektligj është parashikuar që projektet para konfirmimit t’u bëhet studimi i nivelit të riskut.  Duke qenë se projektet e koncesionit/PPP janë projekte komplekse, afatgjata që implikojnë një sërë risqesh, si dhe detyrimesh kontingjente të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjitha këto projekte si ato me dhe pa mbështetje financiare të paraqiten paraprakisht në ministrinë përgjegjëse për financat për vlerësim dhe miratim në këndvështrimin e implikimeve fiskale dhe buxhetore. Garantimi i një gare të barabartë dhe shfuqizimi i bonusit për kompanitë që bënin ofertën e pakërkuar është një tjetër nen i rëndësishëm i këtij projektligji. Pas 1 korrikut, kompanitë nuk do të kenë më 10 pikë bonus, por nëse nuk do të shpallen fituese do të kenë të drejtën e kompensimit të shpenzimeve për studimin e fizibilitetit të projektit.

Reagimi

PD: Hiqni nga lista kompanitë offshore

Demokratët kërkuan që ligji të hyjë në fuqi që nga ky moment dhe jo në muajin korrik, çka shkaktoi edhe debate në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese. Deputeti demokrat Agron Shehaj propozoi që të mos pranohen më operatorë në këto kontrata të regjistruar në vende offshore, nisur nga skandali me kompaninë DH Albania, sikundër propozoi që ndalimi i kontratave të përfshijë të gjithë sektorët. Agron Shehaj tha: “Ky ndryshim nuk e ndalon PPP-në. I gjithë projekti 1 miliard është një skemë për të vjedhur. Ne nuk kapim ministrat me çanta dhe para’. Marrim rastin Orikum-Dukat 70 milionë euro për riinserimin e rrugës ekzistuese. Ndryshimet e propozuara janë thjesht një shfaqje, që ju të dukeni se po bëni  diçka në shërbim të ekonomisë, por tashmë e kanë marrë vesh të gjithë se ndryshimet që ju propozoni janë vetëm një instrument për të vjedhur”, tha Shehaj. Në mbledhjen e votimit të ligjit nen për nen, komisioni do të vendosë nëse do të miratojë këtë propozim, ndërsa Ministria e Financave do të sjellë edhe një tabelë, e cila do të tregojë financimin e kontratave të projekteve PPP, sa janë bërë me kapital të kompanive dhe sa për qind janë marrë prej tyre si kredi në bankë.

807 mld lekë mbërrin fatura e koncesioneve që operojnë sot në vend, ndërsa kontratat i drejtojnë ende investitorë anonimë. Nga këto, 390 miliardë lekë është fatura koncesionare e HEC-eve, që për momentin janë në skanim nga qeveria shqiptare

Mungesa e konkurrencës

Sipas Departamentit të Shtetit, “përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.” Komisioni Europian detyroi qeverinë shtatorin e kaluar të heqë dorë nga ligji fillestar që parashikonte negocim privat me kompaninë Fusha sh.p.k për ndërtimin e një teatri kombëtar në shkëmbim të zhvillimit të një pjese të tokës publike të zënë nga ndërtesat ekzistuese të teatrit, për shkak se ligji sillte kufizim të konkurrencës. Por, qeveria deri më tani ka reaguar vetëm për një kontratë, duke e tërhequr nga faza e negocimit, atë të segmentin rrugor Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin.

Paketa “1 Miliard”

Që në fillim, kur qeveria nisi dhënien e ndërtimit të disa akseve rrugore me oferta të pakërkuara nga kompani private debatet kanë qenë të forta. Edhe FMN-ja ka kërkuar një kontroll më të rreptë të këtyre procedurave. Nisma ligjore synon t’i japë fund një prej mekanizmave më të përfolur, përmes të cilit qeveria koncesionoi projekte rrugore me vlerë qindra milionë euro, por edhe në raportin e fundit për Shqipërinë FMN u tregua e prerë për qeverinë, duke tërhequr vëmendjen për ndryshimin e shpeshtë të fondeve që janë dhënë për këtë skemë, ndërsa nënvizoi se përzgjedhja e firmave fituese duhet të jetë përmes konkurrencës.

Heqja e bonusit

Shfuqizimi i sistemit të shpërblimit të propozuesit të pakërkuar me pikë bonus. Pas hyrjes në fuqi të kësaj dispozite në datën 1 korrik 2019, sistemi i shpërblimit me pikë bonus do të zëvendësohet me mekanizmin e shpërblimit të shpenzimeve të kryera nga propozuesi i pakërkuar për hartimin e studimit të fizibilitetit. Konkretisht, është parashikuar se pas përfundimit të procedurës konkurruese në rastin e propozimeve të pakërkuara nëse nga klasifikimi rezulton se propozuesi i pakërkuar nuk është shpallur fitues, atëherë i lind e drejta e kompensimit për shpenzimet e kryera për përgatitjen e studimit të fizibilitetit. Vlera e kompensimit do të jetë jo më e madhe se 1% e vlerës së investimit të propozuar. Ky proces nuk cenon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozuesin e pakërkuar, por e kompenson atë për shpenzimet e kryera për përgatitjen e propozimit

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet