Liderët që bëhen autokratë, ka një zgjidhje për sistemin

Pano Soko

Në Shqipërinë tonë sot që flasim ka me qindra mijëra veta që mendojnë se Rama është një Kryeministër i mirë. Ka me qindra mijëra të tjerë që mendojnë se Rama është një kryeministër i keq dhe Basha do të jetë shpëtimi nga e keqja, kur ai te bëhet Kryeministër. Ka me qindra mijëra të tjerë që mendojnë se Monika do të ishte një Kryeministre e mirë. Ka me qindra mijëra të tjerë që nuk besojnë tek asnjë më lart, por presin dikë tjetër të vijë të rregullojë Unë kam qenë i vetëdijshëm për këtë fakt që ditën e parë, por kjo nuk më ka intimiduar aspak që personalisht të besoj se nëse ka një gjë që do ta ndryshojë ndonjëherë këtë vend, ai është ndryshimi i sistemit të përfaqësimit politik. Nuk është ndryshimi i emrit me një emër tjetër dhe këtë e besoj edhe sikur emri tjetër të ishte Pano Soko. Thjesht do të isha një emër shtesë te ajo lista më sipër, po për Shqipërinë nuk do të ndryshonte gjë. Është sistemi ai që prodhon autokratin dhe autokrati ai që prodhon realitetin. Këtu jemi sot. Është sistemi ai që bën që në Austri edhe pse në pushtet vjen ekstremi i djathtë, prapë vendi nuk pëson asnjë ndryshim në kollonat bazë të funksionimit të demokracisë, ndërsa në Shqipëri kushdo që vjen bëhet despot dhe e bën demokracinë letër tualeti…të cilën më pas e përdor. Sepse është sistemi që ia mundëson të fusë në dorë çdo gjë dhe kushdo që të vijë, sado i pastër qoftë në fillim, prapë vjen një moment që do të korruptohet. Jo të gjithë diktatorët lindin të tillë. Shumë prej tyre e nisin jetën si liderë demokratikë dhe, kur sistemi ua lejon, shndërrohen rrugës. Është natyra njerëzore. Odiseu kur kaloi tek ishulli i sirenave gjatë kthimit nga Troja, i urdhëroi marinarët e vet ta lidhnin tek direku i anijes, sepse e dinte që tundimi që do t’i vinte nga kënga e sirenave do të ishte kaq i fortë saqë ai, në gjendje të lirë, nuk do t’i rezistonte dot, do ta çonte anijen drejt ishullit dhe anija do të mbytej dhe sirenat do t’i hanin të gjithë. Kështu që i urdhëroi ta lidhnin, me qëllim që ta kufizonin fizikisht në ushtrimin e pushtetit të tij si drejtues i anijes, si e vetmja formë efektive mbrojtëse. Kjo është pak a shumë ajo që duhet të bëjmë. Duhet të pamundësojmë materialisht liderët e ardhshëm, kushdo qoftë ai, që të kthehet në autokrat. Pra duhet ta “lidhim pas direkut” si marinarët lidhën Odiseun që t’i kufizojmë pushtetin. Dhe në këtë rast “litari”do të ishte një sistem i ri përfaqësimi që përfshin një kod të ri elektoral me sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura, që t’i kontrollojmë vetë ata që vëmë aty në krye; një ligj të ri për referendumet që ta themi fjalën tonë sa herë që duam ne dhe jo sa herë që na lejojnë ata; dhe një organizim të ri, demokratik në jetën brenda partive, po i sanksionuar në ligj. Nuk mundemi më të vëmë bast mbi njërin apo mbi tjetrin. Personalisht, për shkak se jam djegur deri tani, nuk mund të besoj më tek njerëzit që thonë të iki ai dhe të vij unë. Ne 2013 ishte njëri që na tha që gjithë fajin e ka Saliu, kështu që le të bëhemi gjithë bashkë dhe heqim Saliun, se kur të iki Saliu, s’do hamë më me lugë hekuri, po me luge floriri. Iku Saliu dhe ne thjesht sa na u ndryshk dhe ajo luga e hekurit që kishim. E pra, unë jam djegur një herë dhe si i thonë, kur ndodh një herë thua ma futi një herë, kur ndodh dy herë thua e hëngra dy herë. Prandaj, unë jam shumë dakord që opozita të protestojë, jam shumë dakord që Rama duhet të ikë një orë e më parë sepse sot Shqipëria është në ditën më të keqe të 30 viteve demokraci, por paralelisht me Ramën, duhet të iki dhe ky sistem, që kur të vijë në pushtet ai i riu pas Ramës, të vijë bashkë me kushtet e reja, të vijë bashkë me “litarët e Odiseut”. Jo “Le të vij një herë unë në pushtet, se e lidh vetë veten më vonë, pa merak”. Këtë s’e besoj shumë, se jam djegur nja dy herë më parë. Unë e kam ndarë mendjen që do përpiqem për të bërë ndonjë gjë për të ndryshuar TANI. Dhe e di pse? Mbi të gjitha, sepse do të më vijë turp nga vetja, kur do të më duhet që një ditë t’i pranoj vetes që kam lejuar që jeta ime të ketë qenë thjesht një rrugëtim – Poshtë Berisha, Nano ik, Fajin e ka Saliu, Rama ik, Fajin e ka Basha, Veliaj ik, Fajin e ka Gazmend Bardhi, Eljo Hysko Ik..dhe në fund iki unë se më mbaruan ditët e perëndisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet