Licenca, datat kur do të zhvillohen provimet e mjekësisë

Testi për provimet e shtetit në Mjekësi. Datat 23 dhjetor deri më 24 janar. Profilet: Mjekësi, Farmaci, Logopedi, Stomatologji, Fizioterapi, Infermieri, Teknik Imazherie

Enida Vërça

Duke nisur prej 23 dhjetorit do të nis gara për licencat e reja në mjekësi. Me qindra kandidatë, të cilët presin të japin sezonin e provimeve do të nisnin në datën 23 dhjetor deri më 24 janar, të ndara sipas profileve përkatëse. Qendra e Shërbimeve Arsimore, ku pritet të zhvillohen edhe provimet ka publikuar tashmë kalendarin përkatës. Provimi i parë do të nis me mjekësinë në datën 23 dhjetor deri më datën 24. Më pas në datat 26-27 do të jepet provimi për të gjithë farmacistët. Për logopedi do të ketë vetëm një datë që do të zhvillohet provimi, 27, në orën 11:30. Kandidatët për stomatologji do të nisin në janar, në datën 6 deri më datën 8. Pas tyre, po në këtë datë do t’i nënshtrohen provimit kandidatët për Teknik Imazherie, ku është përcaktuar vetëm kjo datë, në orën 11:30. Të gjithë kandidatët të cilët aspirojnë të marrin licencën për fizioterapi, do t’i nënshtrohen provimit në datën 13 janar. Referuar numrit të lartë të kandidatëve, infermierisë është menduar t’i jepet një hapësirë më e madhe me plot një javë kohë. Në këtë mënyrë do të nis në  datën 14 deri në datën 22 janar të vitit 2020.

Dosja

Në ditët e ardhshme, QSAH do të publikojë edhe listat zyrtare për çdo profil, i cili do t’i nënshtrohet provimit të shtetit për profesionin e mjekësisë, sezoni XII. Për të gjithë kandidatët të cilët nuk paraqiten në orarin dhe datën e përcaktuar nga kalendari i publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së, automatikisht u humbet e mundësia për ta dhënë këtë provim, duke pritur kështu vitin e ardhshëm. Një tjetër këshillë tek e cila ekspertët e QSHA-së vënë theksin është edhe dosja e dokumenteve që duhet të keni me vete në ditën e testimit, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Në mungesë të njërit prej dokumenteve të përcaktuara nuk do të lejoheni që të hyni në ambientet e testimit. Kandidatët që testohen për herë të parë gjatë këtij sezoni do të shlyejnë një tarifë prej 10 mijë lekësh. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Më tej thuhet se herë që kandidati të hyjë në provim, tarifa rritet.

Pyetjet

Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Vetëm pasi të marrin testin e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private. Pjesa dërrmuese e kandidatëve që testohen përgjatë këtij sezoni rikthehen në garë për të disatën herë, pasi në sezonet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara nuk kanë arritur që të marrin pikët kalues.

Dokumentet

Sipas njoftimit, mësohet se ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me disa dokumente: 1. Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal). 2. Kopje të Kartës ID ose Pasaportës. 3. Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA bazuar në herën e pjesëmarrjes). 4. Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara. 5. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet