Libri “E-maile nga deti” i Klara Kodrës, si nokturn poetik në një udhë jete

Foto 4 nga 4 Pas Para

Kritiku i artit analizon librin poetik të Klara Kodrës, “E-maile nga deti”. Sipas tij, Kodra është e drejtpërdrejtë, nuk shtiret në vargje, prandaj edhe poezia e saj është sa e brishtë, delikate, aq dhe “xanxare”. Njohja e Papagjonit me autoren është e largët, qysh herët në faqet e gazetës “Drita” e revistës “Nëntori”

Prof. Dr. Josif Papagjoni

U habita paksa kur Klara Kodra trokiti në zyrën time dhe më ofroi dorëshkrimin e librit të saj poetik “E-maile nga deti”. Kemi vite që jemi bashkë me Klarën në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Ka një zë të ëmbël, të veçantë. Ashtu dhe është si natyrë e të vjen në bisedë: e ëmbël, e veçantë, “botë më vete”.

Emrin e saj e njoh qysh herët në faqet e gazetës “Drita” e revistës “Nëntori” e më pas në aq e aq artikuj, kumtesa, oponenca, referime, gjithë po dhe libra. Butë-butë, por ajo e thotë fjalën e saj me çiltërsinë më të plotë, pa drojë, prandaj dhe të rrallë i ka njerëzit qejfprishur. Sepse Klara ka shumë urtësi, thjeshtësi, ka paqe brenda vetes. Ajo është si bleta që qëmton të ëmblën, jo si miza a kandrra të tjera që qëmtojnë të thartën, të hidhurën, të pistën. Fati nuk ia dha Klarës martesën, një vello nusërie, një valle mes dasmorësh, as mëmësinë, një vajzë a një djalë, por i dha shumëçka tjetër: i dha dashurinë për njerëzit, për të sajët, për motrën, nënën e vdekur herët, si një nostalgji e gjallë, e patretur kurrë; për babanë, posaçërisht për mbesën dhe nipin, që sikur e ringjallin dhe i falin gjithë kupolën blu të qiellit të lumturisë së vonë. I dha dashurinë për letërsinë, së cilës i kushtoi gjithë jetën.

Bukur të jetosh mes librash, Klara! Bukur të jetosh mes poezisë, si dhe në këtë tufë vjershash të mbrame, që po j’ua sjell lexuesve të tu! Letërsia u bë për ty familja e dytë…

E lexova me vëmendje e një ndjenjë përmalljeje dhe dhembshurie librin tënd, Klara. Janë vargjet e tua, ashtu siç ti je, atje ku ti je, ku mendja jote vrapon e arsyeton, ku zemra jote pikon prej mallit a kujtimeve të fshehura diku nëpër vite, ku syri yt ngazëllehet me detin, dhe qiellin, dhe perëndimet, dhe bukurinë e vashave të dashuruara dikur, dhe besimin në një utopi barazie e lirie, dhe njomështinë a pafajësinë e mbesës e nipit, dhe hirin e poetit, dhe respektin e dhembshurinë për shokun, dhe përkushtimin ndaj punës, dhe aromën e librit, dhe erën e bibliotekave, dhe fatin që tjetërkush e qëndis mbi cohën e kohës, dhe Italinë e nënës sate, atdheun e dytë, tutje brigjeve tona që brenda genit, fisit e vetes e paske si dashuri të kadifenjtë e të ëmbël, dhe Shqipërinë tënde, Klara, Shqipërinë tonë qysh nga Budi e më herët, dhe ringritjen e popullit pas rrënojave që erdhën nga utopitë e rrejshme të së djeshmes apo anarkitë e së sotmes.

Janë të gjitha nëpër vargjet e tua, Klara. Si një vashë, si një nënë dhe si një gjyshe e mirë, ti u ke qëndruar mbi krye vjershave, i ke ledhatuar, je lumturuar me to, ke jetuar. Dhe kjo ndihet.Unë e di, jo gjithçka dhe jo përherë një poet godet. Poezia është sa e brishtë, delikate, aq dhe “xanxare”, siç thoshte Dritëro Agolli.

Por unë e di, këto vargje në këto vite të mbrame nuk klithin në delir: “Unë jam poete!”. Përkundrazi, diçka më të thjeshtë, më të sinqertë e më njerëzore ato na thonë: “Unë jam Klara, miqtë e mi, kështu siç më ndieni në këto vargje. Erdha mendjehapur. Pranomëni!”. Dhe lexuesi të pranon, u gëzohet vargjeve të tua, sheh se si ti lëviz aty, se si ti “digjesh”, njësoj si një flakëz qiriri për veten, për të afërtit dhe miqtë, për të tjerët…

Qysh në poezinë hyrëse të vëllimit “E-maile nga deti”, Klara thotë se në jetën e saj dielli i lavdisë, zjarri i dashurisë, shiu i amësisë, vatra e lirisë nuk e ngrohën dot, ndaj dhe i mbeti besnike zjarrit të poezisë (poezia “Zjarret”). Në një moshë kur perëndimet nuk kanë më purpur shpresash, ndezullime erotike, por më shumë dhimbje e zhgënjime, poetja e sheh shpëtimin e shpirtit te një fëmijë që fal qiejt, përkushtimin dhe buzëqeshjen: Shkoj drejt  perëndimit./Ti vjen nga agimi./Një është fluturimi. Koha që iku mes iluzionesh, po njësoj, dëshpërimisht, e zhgënjen poeten:Donim të mbanim në krahë Atdheun,/po s’ishim Atlasë./ E lamë të shkasë.

Në libër has mjaft përkushtime vargjesh për njerëzit e afërt, ashtu të sinqerta. Mungesa e nënës kthehet në një brengë shoqëruese, por e mbytur në mall, nostalgji e ledhatim. Figura e babit vjen si e pabëzajtë, në përpjekjen e jetës dhe pamundësitë e saj; po kështu është e pranishme motra, e më shumë akoma, si një parfum, janë mbesa dhe nipi i saj, ata që ia mbushin syrin me diell.

Një poezi për mbesën

Ja si i drejtohet ajo Samantës, mbesës së vogël, në ciklin “Buqetë me hajku për Samantën”:Shkoj drejt perëndimit./Ti vjen nga agimi./ Një është fluturimi.

Afërmendsh se jo pak vargje i janë kushtuar dashurisë, më të ëmblës dhe më të moçmes muzë të çdo poeti. Shpesh dashuria e poetes K. Kodra është përtej një fytyre konkrete, përtej diçkaje që preket, sepse Ti  nuk je  prej lënde/ po ti je bërë  prej ëndrre. Dashuria shihet si një ndjenjë që nuk vdes, përkundrazi ringjallet, pasi ajo është si gjithësia, ndryshon, por kurrë nuk shuhet.

Poezia e Klara Kodrës rreket të puthë rimat, të krijojë këngën dhe ritmin

Dhe ndonjëherë Klarës i pëlqen të luajë me paradoksin, kur thotë se hëna ngjan me macen e kuqe, ndërsa dashuria djeg kraharorët.Nga dukuritë që Klara i drejtohet shpesh e më shpesh, është deti. Ai ia trazon mendjen, ia ngashënjen syrin dhe ia ngre lart shpirtin.

Por deti nuk është vetëm peizazh. Përtej këndelljes dhe imazhit që ai na jep, njeriu-det është diçka edhe më e madhe. Kësisoj metonimia shkon përtej: Si qielli i kaltër,/po jo si ai – pafundësi;/ i ngjan njeriut/ që të pasqyron Ty, Perëndi. (poezia “Deti dhe njeriu”).Shikoni se sa thjesht, por hijshëm, shprehet më tutje Klara te kjo përqasje e bukur:Fëmija plak,/atlet dhe poet,/ që quhet det.

Klara është e drejtpërdrejtë, nuk shtiret në vargjet e saj. Magjja poetike është e thjeshtë, por diku ajo bëhet pretenduese. Dua ta sjell pjesërisht poezinë e sinqertë për vetveten “S’është ende vonë”.

S’është ende vonë./Në faqe/ kam ende trëndafila/ (po janë trëndafilat e muzgut,/  jo të agimit)./ S’është  ende  vonë./ Zemrën e kam të kuqe./ Zemrën e kam  flakë./ S’mund  të më thoni  plakë.

Shikoni dhe këto vargje:

Zemra është e vogël sa një grusht/ po si  hyn vallë  në të pafundësia?/ Zemra zien e ngjan porsi  musht/ ç’është vallë:  shkëndijë  nga Perëndia?

Poezia këtu e ndien veten ngushtë te suaza e një sendi, e një përjetimi të rëndomtë, e një përshkrimi a imazhi. Ajo struket në gjirin e filozofimit. Mendimi i mprehtë filozofik në ndonjë vjershë të befason: si p.sh. vdekja e Sokratit bëri që nga paligjshmëria të lindte ligji, duke pranuar vetëflijimin, sakrificën. Njeriu vjen në përfytyrimin dhe mendimin e Klarës në shumë kahje, herë i zymtë dhe i rrethuar nga kënaqësia, zhytur në kolltukun e kotësisë, dhe herë me dëshirën e komandimit, të egos, të barabitjes me Perëndinë, veçse duke i humbur cicërimat.

Ai vjen edhe si mister e sfidë, kur “drita kthehet në tingull”…Më tutje ajo e merr shtysën nga soditja dhe prej saj ringre mendimin metaforik.

Ja… një flutur që hyn në dhomën e poetes.Është simboli i së bukurës, i së brishtës, i vetë poezisë, i dhembshurisë sonë.Por ajo duhet të dalë jashtë dritares, se krahët mund t’i përzhiten në llambën e dhomës. Vërtet, e bukura, a s’është ndonjëherë aq e dëshiruar për ne, aq e lakmuar, si ajri i paktë, por realiteti, përkundrazi, është i pistë, i egër, ia përzhit krahët ëndrrës dhe ne mbetemi pa të, pa “fluturën” tonë. Dhe kjo na dhemb. Na mungon flutura… (poezia “Ndodhi”).

Më ka bërë përshtypje në vargjet e Klarës dhe ajo ndjenjë e butë devocioni për të mëdhenjtë e poezisë shqipe. Vargjet për De Radën dhe gjakun e shprishur të Arbrit, poezi kushtuar Migjenit, Fishtës, Budit, Mjedës, Kadaresë, Agollit, gjer edhe Drita Çomos, shfaqen ngaherë të përthyera brenda jetës dhe raportit të poetes me ta.Shqipja ka dy koka,/shqipja ka dy flatra,/ një  është gjuha,/ gjaku  dhe vatra.Eh!

I kanë hije këto vargje Klarës, sepse një jetë të tërë me letërsinë shqipe është marrë.Edhe me gjuhën, me vargun dhe poezinë.

Poezia e Klara Kodrës ndjek më së shumti tipologjinë klasike, rreket të puthë rimat, të krijojë këngën, ritmin. Kjo tufë poezish që ajo i ka sjellë në “kompjuterin e qiellit” të saj, në një moshë kur ngjan se “poezia” e jetës resht te njeriu, janë asilloj vjershërimesh kur zemra mbushet plot me mall dhe kërkon të bëjë bashkë nokturnin e një perëndimi me dritën e agimit. Diku ajo thotë se është martuar me dritën dhe agimet e rilindin.

Ashtu qoftë mikja jonë, Klara Kodra!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet