Lëvizje e papritur, opozita kërkon takim të hënën për të përmbyllur Reformën Zgjedhore

Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim u kanë dërguar një letër përfaqësuesve parlamentarë në ketë grup Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdarit për të përmbyllur Reformën Zgjedhore ditën e hënë.

Po ashtu mësohet se për këtë veprim, ata kanë vënë në dijeni edhe partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në proces, BE, SHBA, OSBE dhe KiE.

“Reforma aktuale ka filluar me kërkesë të Opozitës në 2017 dhe falë veprimeve të njëanshme për minimin e saj nga shumica qeverisëse, ka qene e pamundur përmbyllja e saj”, thuhet në letrën e opozitës.

Përfaqësuesit e opozitës theksojnë në letër vullnetin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

Rifillimi i procesit më 11 maj është goditur vazhdimisht nga deklarata dhe veprime që kanë shkaktuar krizë politike e që, qartazi, kanë patur si qëllim shkatërrimin e këtij procesi jetik politik. Por, pavarësisht këtyre veprimeve të qëllimshme, Opozita e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga objektivi i saj për të përmbushur pa vonesë obligimin e saj para shqiptarëve për zgjedhje demokratike”, shkruajnë Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Edhe pse dëshira është  madhe për të përmbyllur procesin e Reformës Zgjedhore, ajo që vihet re në këtë letër është se nuk ka dritë për një konsensus mes palëve. “Deklarimet tuaja se është gjetur kompromisi për një sërë çështjesh janë të pavërteta dhe synojnë vetëm fshehjen e të vërtetës që deri më sot nuk ka kompromis për çështjet themelore, për të cilat Opozita e Bashkuar ka paraqitur propozime konkrete”, thuhet në letrën e përfaqësuesve të opozitës, duke kërkuar takimin e grupit politik të hënën më 25 maj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet