Lëvizja studentore e Prishtinës nëpërmjet fotografive (FOTO)

Publikuar më 27. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Ekspozita/Pas 20 vitesh përkujtohet në Tiranë lëvizja studentore në Prishtinë. Janë 36 fotografi, ku përcillet impakti që patën demonstratat e 1 Tetorit 1997 në Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë për Luftën e Kosovës

“1 Tetori i vitit 1997 në 36 fotografi”. Në prag të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kjo është ekspozita, që u çel dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, për të përkujtuar demonstratat që u bën para 20 vitesh; në Prishtinë, Tetovë edhe Tiranë, për Luftën e Kosovës. Ishin 20 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët vërshuan nëpër rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër dhunës së egër, që ushtronte pushteti serb mbi popullin e Kosovës. Studentët të vendosur në atë që donin, arritën që t’u bënin ballë edhe kordonëve me hekura, që kishte vendosur policia serbe.

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi janë ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore, të cilët asokohe i dhanë përparësi lirisë së vendit, ndërsa sot vazhdojnë të kujtojnë sërish ato momente të vështira, të cilat ndikuan në kthesën historike të Kosovës, që mori emrin dhe vulën e UÇK-së. Nëpërmjet ekspozitës në MHK, e cila përcjell më tepër vlera historike sesa artistike, mendojnë që t’u tregojnë brezave që vijnë, se cila është rruga, që është ndjekur për të arritur lirinë.

Një ndër pjesëmarrësit e ish- Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, (dekan në Universitetin e Prishtinës) ishte i pranishëm dje në Tiranë. Sipas tij, të jesh protagonist edhe historian të bën në mënyrë të vazhdueshme, pa u obliguar nga askush, që t’u tregosh gjeneratave të reja, atë që ka ndodhur në 1 tetor të vitit 1997. Dugolli mendon se protestat studentore të vitit 1997 kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare.

Janë realizuar dhjetëra dhe qindra takime në periudhën shkurt – shtator 1997 për këtë Lëvizje, e cila ka pasur si përkrahje pa rezervë, por dhe me rezerva e kushte. Në këto takime me faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë u janë dhënë këshilla dhe sugjerime. Sidoqoftë, ish-drejtuesit e Lëvizjes vendosën vetë për rrjedhën e asaj.

“Rinia studentore, më 1 tetor të vitit 1997, doli në ballë të një lëvizjeje joviolente, duke zbatuar metodat aktive të një rezistence civile, e cila bëri jehonë të madhe në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Regjimi serb i Millosheviçit, duke e shtypur me dhunë protestën e 1 tetorit 1997 dhe protestat e tjera më pas u diskreditua keq në sytë e faktorit ndërkombëtar, i cili e kuptoi, se diskriminimi dhe shkelja sistematike e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare mbi popullatën shqiptare të Kosovës kishte arritur pikën kritike. Protestat u shtypën dhunshëm nga policia serbe atë ditë (në qytetet e tjera të Kosovës si Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan), ato nuk u ndalën, por vazhduan në ditë të caktuara edhe gjatë muajve në vazhdim të vitit 1997 deri në gjysmën e parë të vitit 1998, deri në momentet kur u pa se tanimë radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të mbushura me studentë. Kur u pa, se vullneti e dëshira për liri dhe pavarësi nuk mund të ndalet më nga askush”.

Pas ngjarjeve dhe intensifikimit të rezistencës çlirimtare nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, diplomacia ndërkombëtare u aktivizua, si rrallëherë më parë, duke munduar t’i jepte shans paqes, me qëllim të inkurajimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me rezistencën dhe me protestat paqësore dhe, në anën tjetër, duke inkurajuar procesin e dialogut shqiptaro-serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Janë 323 dëshmorë nga radhët e studentëve të Universitetit të Prishtinës, pjesëtarë të Lëvizjes Studentore dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u flijuan gjatë viteve 1996/99. Në një Akademi Solemne me rastin e 20-vjetorit të protestës së 1 tetorit të vitit 1997, Dugolli, thekson se, përmes këtyre organizimeve, dëshirojnë që të përçojmë mesazhin, që liria dhe pavarësia e Kosovës erdhi me shumë mund dhe sakrificë. “Prandaj ashtu siç krenohemi ne me historinë tonë, ashtu edhe të rinjtë sot ta duan vendin, ta duan shtetin dhe ngjarje të tilla historike të jenë frymëzim për punë të përbashkët në dobi të kombit”.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, realizimin e kësaj ekspozite e konsideroi shumë të rëndësishme, për betejat e mëdha, që janë bërë midis së mirës edhe së keqes.

“Kjo ekspozitë vjen në Tiranë, që Imazhet na njohin me protestën e studentëve që do t’i hapte rrugën masivizimit të UÇK-së por dhe të vetë ndërhyrjes së trupave të NATOS gjë që 2 vite më pas do të konkretizohej me tërheqjen e paramilitarëve dhe trupave të rregullta të ushtrisë serbe nga territori i Kosovës”, u shpreh drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, i cili për më tej u detajua rreth kushteve social-politike në të cilën u zhvillua protesta studentore e 20 viteve më parë. “Sot kur kohët kanë ndryshuar shumë në favor të shqiptarëve në tërësi, sfidat e reja që na presin kanë të bëjnë me qeverisje më të mirë, për liberalizimin e vizave në Kosovë, por dhe angazhimi i politikave mes Tiranës dhe Prishtinës për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi , Maqedoni e Serbi”.

1 Tetor 1997

Historiani, Beqir Meta, mendon se kjo ekspozitë do të zërë vend të rëndësishëm në historinë shqiptare, sepse sot ata që ishin studentë janë profesorë, ndërsa fotografitë dëshmojnë konkretisht përpjekjet, që janë bërë për të arritur lirinë. Sipas historianit, ne kemi mungesa në materialet, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e historisë, prandaj këto 36 foto do të luajnë rol të të rëndësishëm.

Profesor Arsim Sinani ndali te disa detaje, që i rikujtojnë atë ditë, ku së bashku edhe me të tjerë, ka rendur drejt Prishtinës për t’u sodilarizuar me Dugollin, i cili ka qenë edhe nismëtar i kësaj lëvizje. Asokohe faktori ndërkombëtar frikësohej përballë synimit të kësaj përkrahje, ndërsa sot çdo gjë është e qartë.

Kuratori i ekspozitës Adem Rusinovci. u shpreh se kjo është një ekspozitë ka më shumë karakter historik sesa artistik. “Këto foto janë bërë në kushte edhe rrethana të jashtëzakonshme të asaj kohe. Në disa foto tregohen përgatitjet që po bëhen për protestën e 1 tetorit. Janë protagonistët kryesorë, që kanë marrë pjesë në të. Ne në atë kohë ishim akomoduar në një farë mënyre me gjendjen e politikës patestiste, që këta protagonistë, i thonë jo regjimit më të egër të shekullit XX”.