Letra drejtuar Ramiz Alisë kundër Fatos Arapit dhe qëndrimi i Agollit

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dashnor Kaloçi

Letra e Miti Tona për Ramizin:“Këtë vëllim me vjersha e ndalëm ne pasi konstatuam disa vargje të gabuara nga ana ideore. Porositëm Ministrinë ta shqyrtojë dhe të japin mendim. Pas analizës së bërë, Ministria është e mendimit që libri të mos qarkullojë në gjendjen që është. Shtëpia botuese dhe shoku Dritëro Agolli janë të mendimit që libri mund të qarkullojë dhe kritika letrare ta thotë fjalën e saj”.

Agolli: “Le të qarkullojë libri me gabime ideore i Fatos Arapit”

Informacioni i Ministres, Tefta Cami: “Në tërësi vëllimi “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, ka poezi të pakuptueshme e të paqarta: lexuesit e kanë të vështirë të zbërthejnë çdo të thotë autori në shumë strofa e vargje. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” pasi analizoi botimin pranon se vëllimi ka të meta, por është e mendimit që libri të qarkullojë dhe kritika të thotë fjalën e vet. Ne jemi të mendimit që vëllimi në gjendjen që është të mos qarkullojë”.

Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit është një korrespodencë në mes Ministrisë së Arsim Kulturës dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, që mban datën 27 prill të vitit 1978, ku Ministria Tefta Cami, ka hartuar një raport-informacion në adresë të sektorit të Shtypit, lidhur me një vëllim poetik të poetit të njohur, Fatos Arapi, të cilin e ka botuar Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.

Siç do të shohim në dokumentin në fjalë, raport-informacioni i ministres Tefta Cami, është studiuar nga shefi i Shtypit, Miti Tona, i cili ia ka dërguar një letër me shkrim dore, Ramiz Alisë, ku i shpjegon se Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, dy recensentet e librit (Razi Brahimi dhe Çapajev Gjokutaj), si dhe vetë Dritëro Agolli, është dakord që ai libër të dalë në qarkullim dhe më pas kritika të thotë fjalën e saj. Ndërsa, vetë ai (Miti Tona), ka mendimin se ai libër nuk duhet të qarkullojë në gjendjen që është, duke i shpjeguar dhe arsyet përse?! Ashtu siç kemi parë edhe në kapituj të tjerë paraardhës të këtij libri dhe të tjerë që do i shohim në vijim, poeti i njohur, Fatos Arapi ka pasur shpesh problem të kësaj natyre me libra e tij, ku pjesa më e madhe i janë ndaluar.

Kryesisht ato libra ku Fatosi në mënyrë të fshehur apo dhe deri diku fare hapur, aludonte për vëllanë e tij, Vllas Arapi, ish-partizan i Brigadës së parë të Mehmet Shehut dhe sekretar politik i Mallakastrës, ishte ekzekutuar në mënyrë misterioze (nga vetë shokët e tij të idealit) pak kohë pa mbaruar Lufta. Kjo gjë, pra humbja e vëllait, ka qenë një nga goditjet dhe brengat më të mëdha që ka pësuar e përjetuar Fatosi, gjë të cilën e shprehte hera herës në veprat e tij, në prozë apo poezi. Dhe kësisoj, ato krijime përbënin një problem tejet të madh për Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Sektorin e Shtypit në Komitetin Qendror që jepte viston e fundit për botimin apo pezullimin e veprave të kësaj natyre.

Ajo që vihet re në krijimtarinë e Arapit, edhe pas këtyre problemeve, ai jo vetëm që “nuk ka nxjerrë mësime”, por i ka shtuar më tepër fajet e tij në librat që ka shkruar më pas. Kjo gjë të shikohet dhe në kapitujt pasardhës, ku Mehmet Karakushi, (që mbulonte Artin e Kulturën në Komiteti Qendror të PPSH-së), në raportet për eprorin e tij, Ramiz Alia, e konsideron poezinë e Arapit reaksionare dhe armiqësore?! Por natyrshëm lind pyetja: Përse Arapi nuk u godit ashpër dhe përse nuk pati probleme ashtu si shumë nga kolegët e tij që përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist?!

Kjo ka shumë arsye dhe shpjegime, por mendohet se më kryesorja është fakti se Fatosi kishte qenë partizan, duke marrë pjesë në Luftë me armë në dorë, (së bashku dhe me motrën e tij, Liri Arapi Aranitasi) si dhe krushqia që familja Arapi kishte me Kadri Hazbiun, ministrin e Brendshëm. Nipi i Fatosit, (djali i motrës, i Lirisë, Agron Aranitasi, kishte për grua vajzën e Kadri Hazbiut), dhe Hazbiu normalisht nuk mund të jepte viston për dënimin e dajës së dhëndrit të tij?!

Gjithsesi këto janë mjaft të diskutueshme, por ajo që dihet tashmë është fakti se poeti Arapi ka qenë mjaft problematik për regjimin komunist (gjë që shihet edhe nga mjaft dokumente të pasqyruara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm), në gjithë krijimtarinë e tij dhe ka mundur të shpëtonte pa i krijuar telashe të mëdha. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve arkivore të këtij librit, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim. Po ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse të Arkivit Qendror të Shtetit, Fondi 14. Struktura, Ap. Komitetit Qendror i PPSH-së.

Letra e Miti Tona për Ramiz Alinë

Shoku Ramiz

Këtë vëllim me vjersha e ndalëm ne pasi konstatuam disa vargje të gabuara nga ana ideore. Porositëm Ministrinë ta shqyrtojë dhe të japin mendim. Pas analizës së bërë, Ministria është e mendimit që libri të mos qarkullojë në gjendjen që është. Shtëpia botuese dhe shoku Dritëro Agolli janë të mendimit që libri mund të qarkullojë dhe kritika letrare ta thotë fjalën e saj.

Sektori i Arsim Kulturës dhe ne mendojmë që libri në këtë gjendje që është të mos qarkullojë, por t’i bëhen korrigjimet dhe të botohet. Këtë punë ta bëjë Shtëpia Botuese me autorin e ndihmën e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve.

Tiranë, më 27. 4. 1978                        Miti Tona

Ministria e Arsimit të

vendosi e të veprojë ashtu

si gjykon ajo se është e drejtë

Kjo është në kompetencën e saj.

Ramiz

4.V.1978

……………………………………………………………………………………………………………….

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE

MINISTRIA E ARSIMIT DHE KULTURES          Tiranë më 15.4.1978

DREJTORIAE BOTIMEVE

Nr. 950. Prot.

Lënda: Dërgohet informacion për librin “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, të poetit Fatos Arapi

 

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

(Sektori i Shtypit)

TIRANE

Bashkangjitur u dërgojmë informacionin për librin “Drejt qindra shekujsh shkojmë” të poetit Fatos Arapi.

 

MINISTRI

(Tefta Cami)

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

INFORMACION

PER VELLIMIN ME POEZI “DREJT QINDRA SHEKUJSH SHKOJME”

TE POETIT FATOS ARAPI

Poeti Fatos Arapi vëllimin e tij me poezi “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, titulli i parë, “Trëndafilat e janarit”, e paraqiti në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” më datën 26.VII.1978. Më 26.IX.1978, vëllimi iu kthye për ripunim. Mbas një muaj autori e dorëzoi librin të ripunuar.

Kjo përmbledhje përfshin 83 poezi dhe poema, nga të cilat u botua 35 poezi dhe një poemë. Recensentët e librit, janë Razi Brahimi dhe Çapajev Gjokutaj.

Duke shfletuar të dy recensionet e paraqitur konstatojm se të dy recensentë janë të mendimit se përmbledhja poetike është mjaft e plotë dhe interesante dhe se nga ky vëllim mbetesh me përshtypje shumë të mira. Recensenët kanë bërë vërejtje, bile Razi Brahimi ka bërë edhe një redaktim mbi librin, por të dy konkludojnë se libri është i botueshëm, pasi të rregullohen vërejtje e sugjerimet e bëra.

Recensenti Razi Brahimi pranon të botueshme 30 poezi, prej të cilave janë botuar 21. Për të tjerat rekomandon të mos botohen pasi në përgjithësi janë evasive, me figuracion të errët e disa  janë të dobëta. I sugjeron autorit për një organizim më të mirë të materialit.

Në recensionin e tij, recensenti Çapajev Gjokutaj, në filli jep disa anë positive të poezisë së Fatos Arapit që spikatin në këtë vëllim, në krahasim me poezitë e tjera të këtij autori. Pasi bëri vërejtje për 8 poezi, konkretisht për këto poezi “Teli Ndini”, “Panajot Stavre”, “Në pallatin e Mbretit Zog”, “Në Orosh”, “Vlora e fëminisë”, “Gruri i tokës kufitare”, “Ti më the”, “Më vjen për të qeshur me shekullin tim”. Nga këto poezi janë botuar : “Teli Ndini”, “Në Orosh”, “Vlora e fëminisë”.

Libri me poezi “Drejt qindra shekujsh shkojmë” ka disa anë positive:

1-Ai shquhet për larmi tematike dhe problematike.

2-Tema e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ka një trajtim të gjërë, më shumë se çdo vëllim tjetër të këtij autori. Kjo nëpërmjet ciklit për dëshmorët që është mjaft origjinal dhe i konceptueshëm, me ndjenjë, larg çdo sentimentalizmi, duke dhënë shumë mirë lidhjen shpirtërore të njerëzve të ditëve tona me ta.

3-Në vëllim gjejmë poezi me karakter qytetar e militant gjejmë poetin qytetar-krijues të ditëve tona. Poeti e ka thelluar karakterin realist të poezisë së tij, e cila nuk shkëputet nga jeta e përditshme, nga problemet shoqërore dhe politike. Poezia e Fatos Arapit ka ngritje edhe në drejtim të mjeteve të shprehjes. Me gjithë punën e mirë që ka bërë redaksia në drejtim të këtij vëllimi, prapë ai ka dobësi që spikasin në shumë poezi edhe me një punë më të kujdesshme nga ana e Shtëpisë Botuese mund të ishin shmangur, vëllimi mund të kishte fituar më shumë vlera.

1-Në disa poezi të tjera si: “Në shtëpi të prindërve”, “Sonte”, “Vdekja e gjyshes”, “Më thirre”, “Duke u larguar prej Vlore”, e të tjera, autori trajton tema intime, por nuk ngrihet në përgjithësime, gjë që zbeh vlerën e përgjithshme të librit.

2-Në disa poezi të tjera ndeshim hermetizëm që i bën ato të pakuptueshme dhe mendimin të errët e të mbyllur, si tek poezitë: “Ky është shekulli im”, ”Në kafe Tirana”, “Fejzo Gjomemaj”, “Humba në shoqëri me detin”, “Kur vija tek ty”, etj. Në këto poezi vihet re mania e autorit për të filozofuar, ai krijon brënda vetes vargjet të errëta dhe të pakuptueshme që dëmtojnë përmbajtjen e poezisë.

3-Në disa poezi ka prirje formaliste, ka figura të ngarkuara, që shumë herë u mungon dhe detaji jetësor, krijohet një konfiguracion i cili të errëson mendimin. Figura të tilla ndeshim në poezitë “Mit’hat Dauti”

Toka ime e rënda dhe e lehta

si një murmurimë diellore

“Poezisë”: Dhe binim në shtrat.

Me duart e mia të zhvishja linjën e trupit.

Ti mbështilleshe me hutimin tënd mjegullor,

të bardhë.

“Rinisë”: Rini,

profil i hollë, aromë hijesh e linjash të brishta.

“Kur vija tek ty”: Unë isha kambanë që diku në muzgje

kumbonte në qiell vetiu prej ere.

Të tilla ka edhe në poezitë e tjera.

4-Me gjithë anët pozitive që ka cikli për dëshmorët duhet theksuar se ka copëzim, në disa poezi ka më tepër meditime për të rënët, por nuk krijohet një përfytyrim më i plotë për ata që dhanë jetën për popullin. Poezi të tilla janë : “Fejzo Gjomemaj”,“Jani Mone”, Mithat Dauti”,“Hysen Çino” .

5-Shqetësim sjell sidomos poezia: “Kënga e pleqve”, e cila është shumë e errët, ka frymë fataliste dhe mohuese, kur dihet se pleqtë në vendin tonë janë njerëz të nderuar e të respektuar, që luftojnë e punojnë për popullin gjer në fund të jetës së tyre dhe përçojnë tek brezat e rinj traditat më të mira të popullit. Në tërësi vëllimi “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, ka poezi të pakuptueshme e të paqarta: lexuesit e kanë të vështirë të zbërthejnë çdo të thotë autori në shumë strofa e vargje. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” pasi analizoi botimin pranon se vëllimi ka të meta, por është e mendimit që libri të qarkullojë dhe kritika të thotë fjalën e vet. Ne jemi të mendimit që vëllimi në gjëndjen që është të mos qarkullojë.

Tiranë më 15.4.1978

 

Ministri

(Tefta Cami)