Letra anonime për martesë fiktive e lë kosovarin pa leje qëndrimi në Zvicër

Autoriteteve zviceriane u shkon një dëshmi anonime, sipas të cilës lidhja mes dy personave nuk është e vërtetë. Me fjalë tjera, kurora e tyre qëndronte vetëm në letër dhe se këtu bëhej fjalë për një abuzim me ligjin.

Në nëntor të vitit 2003 kosovari, në atë kohë 42 vjeçar, ishte martuar me një bashkëkombëse, e cila kishte leje të përhershme qëndrimi në Zvicër (Vizën C). Përmes kësaj martese, ai kishte marrë lejen e qëndrimit (Vizën B), e cila i kishte mundësuar të jetonte në Zvicër.

Pa i mbushur 5 vjet, çifti ndahet në vitin 2008, shkruan azonline.ch. Autoritetet kundërshtojnë t`ia vazhdojnë lejen e qëndrimit ndërsa vetëm pesë ditë pa i kaluar afati për largim nga Zvicra, ish-bashkëshortja bën një kërkesë për ribashkim me të. Kështu, kosovari, në korrik të vitit 2014 e fiton sërish lejen e qëndrimit në Zvicër.

Por, gëzimi i tij ishte i parakohshëm, sepse dy muaj pas kësaj, autoriteteve kompetente u shkon një dëshmi anonime, ku thuhet se lidhja mes dy personave nuk është e vërtetë. Pra, kurora e tyre qëndronte vetëm në letër dhe se këtu bëhej fjalë për një abuzim me ligjin.

Nisur nga kjo, Zyra për Migracion e Kantonit Aargau inicon një hetim, dhe me një vendim të shkurtit të vitiit 2016, hedhet poshtë kërkesa e kosovarit, për vazhdim të lejes së qëndrimit, e cila kishte qenë e vlefshme deri në qershor të vitit 2015 (Viza B duhet të vazhdohet çdo vit, v.j.), thekson albinfo.ch.

Kështu, Zyra për Migracion urdhëron sërish dëbimin e personit në fjalë nga Zvicra. Ai kundërshton vendimin duke shfrytëzuar të gjitha shkallët e mundshme gjyqësore të Zvicrës, deri në Gjykatën Federale, si shkalla më e lartë.

Avokati i tij ka kërkuar nga kjo gjykatë që klientit të tij t`i vazhdohet leja e qëndrimit dhe të mos dëbohet nga Zvicra. Gjykata Administrative Kantonale më parë kishte ardhur në përfundimin se kosovari përfundimisht nuk po jetonte në bashkësi martesore me gruan e tij të ligjshme, dhe, bazuar në këtë fakt, nuk është i drejtë pretendimi i tij për vazhdim të lejes së qëndrimit në Zvicër.

Autoritetet pra kishin vepruar në mënyrë korrekte kur kishin vendosur mosvazhdimin e lejes dhe dëbimin e personit në fjalë. Po ashtu gjykata ka theksuar se nuk ekziston detyrimi për të zbuluar identitetin e personit që kishte dërguar dëshmi anonime të cilat kishin zbuluar se martesa kishte qenë fiktive.

Gjykata Administrative e Kantonit kishte mohuar gjithashtu që rasti i kosovarit, sot 57 vjeçar, i cili ka punuar si punëtor sezonal në Zvicër nga viti 1984 deri në vitin 1989, paraqet një rast të rëndë.

Bazuar në të gjitha këto, edhe Gjykata Federale e Zvicrës e ka kundërshtuar duke mos e marrë fillimisht fare në shqyrtim rastin. Sipas gjykatës, në ankesën e bërë, kosovari ishte mjaftuar vetëm në përshkrimin e mangësive që kishte letra me dëshminë anonime.

Ndërsa, siç kanë theksuar gjyqtarët e gjykatës në fjalë, kosovari do të mund të kishte pasur gjithsesi një shans me ankesën e tij. Kështu, ai në ankesën e bërë në Gjykatën Federale vërtet kishte dëshmuar se Gjykata Administrative e Kantonit kishte anashkaluar faktin se fëmijët e tij paramartesorë dhe nipërit jetojnë në Zvicër, dhe se ai kishte me ta një raport të afërt familjar.

Por, kanë shtuar gjyqtarët e Lozanës, se ai nuk e kishte prezantuar në ankesë, se sa këto raporte familjare janë në përputhje me kriteret që parashikon Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, për t`i mundësuar atij mbajtjen e lejes së qëndrimit në Zvicër. Ai ka dështuar ta bëjë këtë, edhe pse disa pjesë të vendimit të gjykatës administrative “i kishin ofruar me të madhe rastin për ta bërë këtë veprim”.

Të tjera

Abissnet