Lejet e ndërtimit, si konvertohet toka arë në truall?

Publikuar më 17. 06. 2017 nga Xhensila Demollaj

Nga Neritan Gjergo

Ndryshon sërish formati për aplikimin dhe miratimin e lejeve të ndërtimit. Nëse deri dje pas miratimit të procesit të aplikimit online, për to ishin ngritur komisione përgjegjëse pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, tashmë ato do të kalojnë edhe në sitën e Ministrisë së Ekonomisë. Sipas një udhëzimi të firmosur nga ministrja Milva Ekonomi, ndryshimi i ri argumentohet me faktin se kjo bëhet në kuadër të harmonizimit me politikat, strategjinë dhe legjislacionin sektorial të institucionit. Po sipas këtij udhëzimi, komisioni i ngritur do të ketë disa përgjegjësi që nisin nga shqyrtimi i kërkesave për; lejet zhvillimore dhe ose të ndërtimit që miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit; lejet që miratohen nga pushteti vendor; kërkesat për konvertimin e tokës nga tokë arë në tokë urbane “truall” dhe çështje të tjera që lidhen me zhvillimin e territorit. Komisioni kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm një nënkryetar dhe tre anëtarë; Për vendimmarrje duhet të jenë të papranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve. Komisioni brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së një kërkese për leje zhvillimi dhe ose ndërtimi duhet që të mblidhet për të dhënë vendimin e tij. Në mungesë të përgjigjes miratimi quhet i dhënë sipas parimit të miratimit në heshtje. Ngritja e këtij komisioni vjen si një hallkë për të shmangur mbivendosjet në rastet e lejeve specifike të miratuara nga institucionet.

View post on imgur.com

Udhëzimi

Sipas pikës 7 të udhëzimit, bazuar në vlerësimin e anëtarëve, si dhe mbështetur në opinionet e institucioneve të tjera të autoriteteve përgjegjës të zhvillimit dhe ekspertëve të fushës, komisioni do të ketë tagrin për të marrë vendimin ose për pranimin e kërkesave, ose refuzimin, duke paraqitur dhe argumentet përkatëse për shkaqet e këtyre të fundit. Ndërkohë, për projekte specifike që kërkojnë njohuri teknike të veçanta, Komisioni mund të kërkojë mendim nga institucionet e varësisë apo drejtoritë brenda ministrisë. Po ashtu, ai mund të kërkojë informacion shtesë, nga subjekti që aplikon për leje, me një kërkesë drejtuar subjektit, ose nëpërmjet pushtetit vendor. Ndërkohë sipas pikës 8, komisioni shqyrton edhe kërkesat lidhur me ndryshimin e kategorisë së tokës bujqësore dhe kalimin e tyre në tokë truall, për qëllime ndërtimi në përputhje me fushën e përgjegjësisë së Ministrisë. “Vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit paraprak të projekt-propozimit, Komisioni nëpërmjet Sekretariatit Teknik i drejtohet ministrisë përgjegjëse për tokat bujqësore, e cila ka detyrim ligjor të shprehet paraprakisht, lidhur me konvertimin e kategorisë së tokës”, citon pika 8 e udhëzimit.  Lidhur me afatet, e gjithë koha për shqyrtimin nuk mund të kalojë 10 ditë, ndërsa sa i përket përgjegjësive, sekretariati ka detyrim për njoftimin e kryetarit të Komisionit, lidhur me kërkesat dhe çështjet për leje, që paraqiten për shqyrtim nëpërmjet sistemit elektronik nga autoritetet e zhvillimit territorial, ose institucione të tjera shtetërore a subjekte private. Po ashtu sekretariati ka përgjegjësi për bashkëpunimin dhe koordinimin e punës me drejtoritë brenda ministrisë, ose institucionet dhe agjencitë e varësisë, lidhur me sigurimin e informacionit të nevojshëm, në funksion të lejes dhe kthimin e përgjigjes zyrtare në emër të Ministrisë, autoritetit kërkues ose subjektit të interesuar. Në varësi të kërkesës, sekretariati nëpërmjet institucioneve të varësisë mund të bëjë të mundur edhe sigurimin e autorizimeve apo lejeve të nevojshme, në funksion të lejeve të ndërtimit, duke respektuar legjislacionin përkatës. Detyrim për strukturën e ngritur do të jetë edhe përgatitja e draft formularit të lejes së ndërtimit, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së njoftimit nga bashkia përkatëse, për lejet për të cilat është marrë vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Regjistrimi

Ju duhet të regjistroheni në portalin e-Albania sipas udhëzimeve të dhëna në këtë portal për kryerjen e regjistrimit. Pas regjistrimit duhet të hyni me kredencialet tuaja në shërbimin e-lejet e ndërtimit dhe të klikoni butonin “Aplikim i ri”. Në vijim, duhet të plotësoni me informacion fushat përkatëse dhe të ngarkoni në fund të aplikimit dokumentacionin e kërkuar. Në rast se nuk keni në dispozicion gjithë informacionin apo dokumentacionin e kërkuar, Ju mund ta ruani aplikimin dhe të vijoni me plotësimin dhe dërgimin e aplikimit në një moment të dytë. Kopja e dokumentit të pronësisë është e detyrueshme për t’u ngarkuar në sistem në mënyrë që të vijoni me aplikimin. Nuk kërkohet që certifikata e pronësisë të jetë e azhornuar, pasi në çdo rast Bashkia do të marrë konfirmimin e statusit të pronës nga zyra përgjegjëse e pasurive të paluajtshme. Në rast se nuk e keni certifikatën e pasurisë në momentin e aplikimit, mund të ruani aplikimin dhe të riktheheni përsëri për ta plotësuar kur të keni të gjithë dokumentacionin në dispozicion.

 

Taksat dhe tarifat pas aplikimit falas

Në bashkitë ku kërkesa për leje është e lartë, tarifa do të paguhet për çdo aplikim për leje ndërtimore. Ajo llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatës për këto sipërfaqe. Niveli i tarifës është në masën 1 për qind të vlerës së investimit dhe depozitohet për llogari të financimit të instrumenteve vendorë të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorin e bashkive. Tarifa do të paguhet për çdo aplikim për leje zhvillimi, infrastrukture dhe ndërtimi sipas përcaktimeve të legjislacionit ne fuqi për planifikimin e territorit. Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatës për këto sipërfaqe. Sipas këtij niveli, nëse një qytetar do të kryejë punime me vlerë 500 mijë lekë, atëherë do të paguajë 5 mijë lekë në llogaritë të bashkisë. Tarifa paguhet përpara se të merret leja e ndërtimit dhe në rast se ajo refuzohet, atëherë i rikthehet përsëri aplikuesit. “Tarifa paguhet brenda 5 ditëve nga data e aplikimit dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. Subjektit nuk i miratohet vendimi për lejen përkatëse, nëse nuk paraqet vërtetimin e kryerjes së pagesës brenda afatit të sipërpërmendur. Tarifa e paguar i kthehet aplikuesit në rastin e mosmiratimit të lejes”, përcaktohet në vendimin e Bashkisë së Tiranës. Sipas kësaj bashkie, tarifa nuk aplikohet për punimet që do të kryejnë qytetarët në ambientet e brendshme të banesës apo apartamentit të tyre, por vetëm në rastet kur do kërkohet leje ndërtimi. Tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime është e ndarë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Çdo qytetar apo ndërtues duhet të dorëzojë preventivin për punimet që do kryejë pranë Bashkisë, në mënyrë që të bëhet llogaritja e tarifës që do paguhet.  Nga tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime nuk do të përjashtohet asnjë individ apo subjekt, përveç Bashkisë, në rastet kur do të investojë në objektet publike. Në bashkinë e Durrësit, tarifa e shqyrtimit pas dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimi është miratuar 30 lekë/m². Pra në krahasim me Tiranën, ajo nuk llogaritet mbi bazën e vlerës së investimit, por mbi bazën e sipërfaqes së ndërtimit për të cilën përgatitet kërkesa për zhvillim. E thënë ndryshe për një sipërfaqe ndërtimi 100 m², një qytetar që fiton të drejtën për të ndërtuar duhet të paguajë 3000 lekë. Ndërkohë, në bashkitë e vogla, aty ku interesi për të kryer ndërtime të reja si për objekte banimi, ashtu edhe për objekte biznesi, kjo tarifë nuk ekziston për t’i motivuar qytetarët të kryejnë investime për zhvillimin e tyre.

Taksa e kalimit të pronësisë

Një tjetër taksë e cila ka ndryshuar është edhe ajo e kalimit e të drejtës së pronësisë. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror të bazës së taksës. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij. Baza e taksës për kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e tjera të paluajtshme është vlera e shitjes së tyre. Niveli i taksës caktohet në përqindje dhe niveli tregues i taksës është 2 për qind. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij.