Leja dhe tapia, si ka ndryshuar procesi për zgjidhjen

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Me udhëzimin e fundit që u firmos nga ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përgjegjësinë për t’i shkuar deri në fund procesit të dhënies së lejes së legalizimit dhe hipotekës e kanë marrë pikërisht këto dy institucione.  Sipas këtij udhëzimi, aplikimi do kryhet nga ALUIZNI, por në emër të personit që ka aplikuar për leje legalizimi. Drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, paraqesin aplikimin për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit “Tip”, pa pagesë “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital”.
Aplikimi

Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar. “Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive/pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve”.

Regjistrimi

“Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë, mbështetur në përcaktimet e kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, date 28.12.2015. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, ZVRPP-ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP -së.

Regjistruesi, në rast se konstaton se ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t, për plotësimin e tyre brenda afatit”, përcakton udhëzimi.  “Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësi-së. Regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit të ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit, shoqëruar me vërtetimin nga njësia administrative që ky objekt nuk ekziston më”, orienton udhëzimi.