
Z. Koço Kokëdhima, e cilësoi një iniciativë të vonuar, idenë e qeverisë shqiptare për të nisur diskutimet për legalizimin e kanabisit farmaceutik. Si politikani i parë dhe i vetëm që kërkoi legalizimin e kanabisit medikal dhe atij rekreativ që më 24 nëntor 2014, Kokëdhima shprehet sot se ndjehet i mërzitur për kohën dhe shanset e humbura, sepse vendet e tjera kanë shkuar mjaft përpara. Ai shprehet se legalizimi është masa më e efektshme kundër trafikut dhe trafikantëve të marijuanës dhe e këshilloi qeverinë që të dëgjojë nevojat e popullit dhe të shtetit.
Zoti Kokëdhima, propozimi juaj në vitin 2014 për legalizimin e kanabisit dhe dekriminalizimin e tij u pa si një ide fantastiko-shkencore dhe madje shkaktoi një valë të madhe reagimesh. Si ndjeheni sot që qeveria e hedh për diskutim apo referendum publik?
Jam i mërzitur për kohën dhe shanset e humbura. Është tepër vonë tani. Të tjerët kanë shkuar mjaft përpara. Edhe fqinjët tanë gjithashtu. Gjithsesi, unë e mbështes këtë iniciativë të vonuar të qeverisë.
Shumë shqiptarë kanë vuajtur tragjikisht e padrejtësisht refuzimin e legalizimit në kohë të kanabisit medikal si dhe nga kriminalizimi i shumë të ndodhurave me të. Vazhdojnë edhe sot të përballen me pasoja shkatërrimtare. Kjo është vërtet shumë e trishtë. Jam i neveritur me servilët e pushtetit e të paguarit e tij që e kanë sulmuar në mënyrë mesjetare e obskurantiste propozimin dhe qëndrimin tim për këtë çështje. Nuk kanë kursyer as familjen time. Janë të njëjtët; ata që na kujtojnë herë pas here veset dhe pjesët e ulëta të shoqërisë, gjakut, kulturës dhe kombit tonë.
A përputhet propozimi juaj i atëhershëm me pyetësorin e qeverisë në përmbajtje?
Propozimi im i atëhershëm e përfshin atë çka bën pjesë në pyetësorin e tanishëm të qeverisë për kanabisin. Por vizioni im ishte shumë më i avancuar se ky që shtron sot qeveria. Unë e pyeta ministrin e bujqësisë në komisionin e ekonomisë në 24 nëntor 2014 se a ju ka shkuar në mendje ta mbroni e legalizoni “brand”-in e Lazaratit? Duhet të legalizojmë edhe kanabisin medikal edhe kanabisin rekreativ. Këtë vizion kam shpalosur unë atëherë.
Nëse ky propozim mbështetet nga shumica e shqiptarëve, prisni një ndjesë publike nga zoti Rama për kohën e humbur dhe humbjet si ekonomike dhe dëmet juridike të shkaktuara?
Mirë do ishte të bëhej, edhe pse nuk do ndihmonte për asgjë. Dëmet ndaj shtetit dhe ekonomisë shqiptare janë të pakthyeshme. Ja pse kjo ndjesë e munguar nuk është më një problem etiko-moral për shoqërinë tonë.
A ka rrezik për kriminalizim të ekonomisë kur ne kemi dështuar të kontrollojmë kultivimin, përdorimin dhe trafikimin e paligjshëm të kanabis sativa?
Legalizimi është masa më e efektshme kundër trafikut dhe trafikantëve të marijuanës.
A ka rrezik të shkatërrimit të bujqësisë shqiptare dhe të devijimit të saj nga kulturat e tjera duke e parë kultivimin e kanabisit si kulturën me fitimprurëse?
Nuk është e mundur të ndodhë kjo gjë: ekonomia legale e kanabisit kërkon sipërfaqe tepër të kufizuara toke dhe çliron energji të palimituara kundër ekonomisë kriminale të hashashit.
Meqenëse ju ishit propozuesit e parë të legalizimit të kanabisit, si mund të realizohet në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar kjo kulturë që vendi të mos etiketohet si ferma evropiane e kanabisit?
Vendi dhe shteti ynë kanë nevojë për ekonomi zhvilluese gjithnjë e më të fortë. Nëse e bëjmë këtë me të vërtetë, mos u shqetësoni nga rreziqet e rritjes. Përballimi i këtyre të fundit ëdhtë pjesë e çmimit që duhet paguar asesi.
Çfarë nuk duhet të bëjë qeveria që ky propozim të jetë i suksesshëm?
Kjo është një pyetje e madhe, kërkon një intervistë më vete:
Të dëgjojë!
Të dëgjojë nevojat e popullit dhe të shtetit!
Këtë duhet të bëjë qeveria në radhë të parë. Pastaj ka njerëz të dijshëm se si mund të rifutemi në një treg të “humbur”. Qeveria duhet të bashkëpunojë sinqerisht me ta. Ndryshe “legalizimi” do të jetë një kapak më i palavdishëm se ai që përdori Pilati mbi kryqëzimin e Jezusit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply