Ledia Sulaj/ Rrëfim në majë të gishtave për plagët sociale: Ku e gjeta forcën për t’u rebeluar

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Rrëfimi i prima balerinës Ledia Sulaj për interpretimin e saj në “Exil” dhe “Deja Vu” të Eno Peçit. “Magjia” e Ledia-s erdhi kësaj here me një teknikë të mirë, e brishtë dhe e veçantë, si një perlë

Thonë se mënyra më e mirë për të lexuar brendësinë e një njeriu, është nëpërmjet artit. Nëpërmjet artit vjen edhe shërimi i shpirtrave, i plagëve të brendshme e sociale. Kush më mirë se sa forca e një gruaje, e një bije e mbi të gjitha e një balerine klasi, si Ledia Sulaj, mund të rrëfente me gjuhën e trupit, me lehtësinë e delikatesën e një mjellme tema të rënda shqiptare.

Nën kujdesin e Eno Peçit, bashkë me trupën e pamë prima balerinën të shkëlqente në “Exil” dhe “Deja vu” dhe nëpërmjet hapave magjikë të kërcimit të depërtonte në skutat më të ftohta të zemrave të publikut. Vështrimet e emocionuara, pasthirrmat dhe duartrokitjet e publikut konfirmojnë se Ledia tanimë ka arritur detyrën më të rëndësishme të një artisti, atë për të krijuar ura komunikimi, për të dhënë një mesazh nëpërmjet baletit. Për të qenë në brendësi të rolit Ledia Sulaj tregon për “Shekulli”-n, se ajo bazohet në ndodhitë personale. Ledia vjen me një rrëfim të ngrohtë ku flet për veten në aspektin personal dhe profesional.

Ledia, interpretove në skenën e Universitetit të Arteve, në “Exil” dhe “Deja vu” me koreografi të balerinit të parë në operën e Vjenës, Eno Peçi. Çfarë mund të na thuash për punën me të, si koreograf dhe si balerinë përkrah tij, te “Deja vu”?

Sigurisht që ishte një nder, kënaqësi dhe privilegj të punoje me një artist të madh dhe në të njëjtën kohë shumë shumë modest! E vlerësoj së tepërmi, si njeri në radhë të parë e më pas si profesionist. Ai të jepte gjithçka nga vetja në lëvizje, interpretim dhe në emocion. Karriera e tij flet vet dhe është mbarëkombëtare, nuk kam çfarë shtoj! Po dua të them që u ndjeva e bekuar, që interpretova krah tij në “Deja Vu”…

Sigurisht, kisha sikletin mos gaboja e mos nuk po veproja korrekt në stilin e koreografisë së tij, por ndodhi e kundërta dhe vet Eno më thoshte: “Mos ki stres, sepse çdo gjë është dhe do shkojë shumë mirë. Vetëm duhen sa më shumë prova”. Dhe padyshim momenti më i lumtur për mua ka qenë mbrëmja e performancës, teksa morëm duartrokitje pa fund dhe njerëzit nuk ishin më buzëqeshje të madhe dhe shumë të ngrohtë. Një moment i rrallë në karrierën time.

Te “Exil” ishe në rolin e nënës, ku duhet të përballeshe me temën e emigrimit dhe me një bashkëshortë të alkoolizuar. Si e ka përjetuar Ledia këtë pjesë?

Të them të drejtën, për mua është hera e parë që përballem me një rol të tillë. Ishte e vështirë të futeshe nën petkun e një nëne në dhimbjen dhe vuajtjen e saj, por u mundova të mendoja në largimin e njerëzve të mi të afërt që janë në emigracion, në hidhërimin që ndjej në largimin e tyre… Sigurisht pjesë e rolit ishte dhe lufta me burrin pijanecë dhe dhuna ndaj grave, kështu që mora forcën për të treguar dhe rebeluar në këtë plagë sociale.

A ke menduar ndonjëherë, që karrierën tënde ta ndërtoje jashtë vendit? Por, sikundër dhe në balet, si ka ndikuar nëna tek ti?

Në fakt sapo mbarova shkollën e mesme koreografike pata një tundim për t’u larguar, edhe në të vërtetë ka qenë nëna ime, që nuk ka dashur. E tashmë, kur kanë kaluar vite e kuptoj arsyen e saj dhe dashurinë e madhe të një prindi për fëmijën e saj. Unë i jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese time mëje për këtë që jam sot, për sakrificat dhe durimin e saj me mua në rrugën e vështirë të artit…

Po te “Deja Vu”, një balet, në të cilin koreografi Peçi kërkon, që dy balerinët (ti dhe Eno) të mendojnë për pak sekonda, se janë takuar diku më herët. Si je futur brenda rolit?

Sigurisht, të luash me kohën është shumë e vështirë, sepse përjeton diçka surreale, që në të vërtetë nuk e dimë është fantazi e jona, po ndodh? Ka ndodhur apo do të ndodhë?! Unë jam munduar të futem në rol, duke kujtuar dashurinë e madhe për baletin dhe ta bëjë fort, sepse një ditë mund të iki dhe nuk do e kem më… Gjithnjë unë bazohem në gjerat personale, që ndodhin dhe futem brenda petkut të rolit.

Ledian e kemi parë më së shumti në pjesë klasike, por gjatë interpretimit në baletet bashkëkohore (moderne) sa e gjen veten?

Sigurisht që dashuria ime e madhe mbetet baleti klasik, por më pëlqen shumë të mos jem gjithnjë njësoj! Dua të sprovoj veten në të gjitha zhanrat, si dhe dua të vij shpeshherë ndryshe për publikun. Dua të kaloj limitet, duke zhvilluar muskujt e trupit në të gjitha format dhe të përftoj plastika të ndryshme. Ndihem shumë mirë sa herë provoj gjëra të reja dhe jap maksimumin.

Çfarë ndryshimi ka kur je balerinë në një balet klasik, nga kur je në një balet modern?

Vlerësimi për skenën është gjithnjë i lartë dhe maksimal, në cilindo rast dalja në skenë është e shenjtë dhe nuk ka asnjë ndryshim për mua.

Kësaj here në skenë pamë një balerinë të kompletuar në interpretim, sjellje plot klas dhe kostumografi (veçmas te Deja Vu). Por, a mund të na thuash se çfarë bën Ledia, që të jetë përherë në formë edhe fizikisht?

Të falënderoj për fjalët e mira, unë punoj, punoj dhe punoj. Sigurisht që duhet mbajtur një regjim strikt në të ushqyer, por kur e gjithë dita përshkohet në lëvizje dhe në sallën e baletit atëherë forma trupore vjen natyrshëm. Pa diskutim që u sugjeroj të gjithëve sa më shumë aktivitet fizik dhe ushqim të shëndetshëm. Vetëm kështu do ta shohin që do rinohen gjithnjë e më shumë, disiplina është çelësi për çdo gjë shoqëruar me vullnet kjo është receta…

Ndonëse, duhet të punoni në skena të ndryshme, sa të rikonstruktohet Teatri i Operës, por cilat janë projektet profesionale, që ke për në vazhdim?

Në fakt kam zbuluar që skenat e ndryshme, sidomos ato nëpër rrethe janë shumë dashamirëse dhe mund të them se janë të etur për artin e bukur. Kemi gjetur publik të ri dhe kjo gjë një artist e bënë akoma më të lumtur teksa i pëlqehet dhe vlerësohet puna e tij… Projektet e tjera janë të shumta, si brenda edhe jashtë vendit, por unë do të zbuloj vetëm njërën në Tiranë, bëhet fjalë për një mbrëmje të madhe Gala me rastin e festave të fundvitit. Pa lënë mënjanë edhe shfaqjen që organizoj unë me fëmijët e vegjël të palestrës sime, ku përgjegjësia është shumë e madhe.

A ke një rol, që vazhdon ende të jetë pjesë e ëndrrave të tua në sirtar?

Kam patur fatin të bëj role me peshë në karrierë, sikurse të bashkëpunoj me koreograf me famë botërore, siç është Angjelin Preliocaj, por sigurisht që kam edhe unë atë rolin e ëndrrave! Kitri-n tek “Don Kishoti”, më shkon si temperament, për energjinë, atmosferën, si dhe personalitin dominues dhe elektrizues. Muzika, veshjet stili koreografik e bëjnë këtë vepër shumë të pëlqyer në mbarë botën. Dhe sigurisht dëshira është e pafundme për ta kërcyer.

Çfarë të mërzitë dhe çfarë të lumturon më tepër?

Nëse flasim në drejtim njerëzor më mërzit: hipokrizia dhe më lumturon: të qenit i thjeshtë dhe vetvetja. Nëse flasim në drejtim profesional, nganjëherë më mërzit fakti që baleti ka një afat të shkurtër kohor për të kërcyer dhe më lumturon fakti se mund të jap kontributin tim, përvojën, eksperiencën time tek brezat e rinj. Pra, mund të vendos edhe unë një gur në murin e madh të artit.

Përveç baletit, çfarë i pëlqen Ledias që të bëj gjatë kohës së lirë?

Më pëlqen shumë të udhëtoj!

Pse?

Sepse, mësoj, shikoj dhe marrë diçka nga cilado kulturë e botës.

Dhe së fundmi, si është një ditë e zakonshme e Ledias?

Dita ime është shumë e zakonshme, madje për ata që e dëgjojnë nganjëherë e mërzitshme, por për mua është shumë e thjeshtë dhe e bukur në të njëjtën kohë, sepse unë bëj atë që dashuroj! Nganjëherë është fat që profesioni të përkoj me pasionin dhe unë e kam këtë gjë! Në sallën e baletit ndodhem, që në orën 09:00 deri në 16:00 më pas në sallën personale me breza të ndryshëm, sigurisht bëhet balet.