“Lashë emigrimin për të ndarë jetën mes detit dhe fermës blegtorale” (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Xhensila Demollaj

Emin Shetaj tregon për vështirësitë e tij si fermer dhe peshkatar. Problematikat me vaditjen dhe rreziqet e peshkimit. Si të dallojmë peshkun e freskët

Ky fshat, i vendosur në një shpat kodre të thepisur, mbahet më së shumti me qumështin që dërgon përditë në qytet. E gjithë ajo mori njerëzish që trokasin përditë, qysh herët në mëngjes, në portat tona, vijnë këndej dhe prej vendeve të tjera, anë e kënd. Ne vrasim mendjen një copë herë se si duhet t’i quajmë njerëzit që u japin qumësht të tjerëve: taja, mëndesha, apo si? Dikur për foshnjet që u jepnin gji të tjerëve kjo figurë ishte po aq e dashur sa edhe nëna. Nuk besojmë të jetë kështu në ditët tona. Tani mjafton të paguash paratë dhe dil matanë. Megjithatë seç vjen një erë e mirë qumështi mes vetmisë së pishave të Gjirit të Lalsit. I pari që takojmë është Xhevati. Është duke punuar tokën me të shoqen.

Është koha kur fasulja do pak punë. “Ia vlen, ia vlen – i përgjigjet ai pyetjes sonë – kur ta shesim në Tiranë do marrim 200 lekë për kile”. “Xhevi”, sikurse nisim ta thërrasim sapo jemi miqësuar, po pret të atin. Ai është një nga ata që përditë, çdo mëngjes herët, niset për të çuar qumështin në qytetin e madh dhe të zhurmshëm që quhet Tiranë. “Plaku do ju tregote histori – na thotë – po ka shku n’Tironë për me çu qumësht. Megjithate hajde dalim nji herë ka fshati”. Xhevi e lë mënjanë shatin e tij, ndërsa e shoqja vazhdon të lërojë me kurrizin e palosur. Nuk kuptohet ende edhe fort mirë se ku nis e mbaron kjo zonë me det. Gjithsesi, brenda pak minutash nisin të shfaqen gropat e para nëpër rrugën shumë të rrahur.

Tani, pas një heshtje të përzishme, që na ka shoqëruar kemi një tjetër pamje. Njerëz, gjallëri, tregu që gjallon nga kalimtarët që bëjnë pazare. Jemi në hyrje të fshatit Shetaj. Kjo dikur ka qenë një fshat që u krijua nga tharja e kënetës andej nga vitet ‘60. Me këtë rast u vendosën këtu banorë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Dyndja e dytë pasoi pas ‘90-ës. Këtu dikur ekzistonte një ndërmarrje bujqësore shtetërore, apo “fermë”, sikurse i thoshin asokohe, dhe në fillim ishte fare e lehtë të ndërtoje një shtëpi pa pyetur askënd. Tani zona është një kombinim mes vilave fort të mira dhe shtëpive të ulëta që mezi mbahen në këmbë. Është në fakt një lloj simboli i Shqipërisë së sotme, ku gërshetohen shumë mirë horizontalja me vertikalen, varfëria me makinat e luksit, veshjet firmato me ato të “gabit” e kështu me radhë. Emin Shetaj e takojmë në rrugë. Kishte mbledhur ushqim për blegtorinë dhe po kthehej për në shtëpi.

“Puna jonë nuk mbaron kurrë. Nis sa në det e përfundon këtej në kodra, duke u kujdesur për blegtorinë. Emini është një njeri që e ndan jetën mes detit dhe tokës. Ai nuk lodhet duke bërë këtë punë, ndryshe si shumica e njerëzve që zgjedhin emigrimin. “Në emigrim do punoje gjithë ditën për 25 euro. Më mirë merrem me gjënë time”, thotë blegtori, teksa nis të na rrëfejë edhe për nismën  e tij dhe të atit për të rritur kafshët në natyrë. “Im atë e kishte pasion blegtorinë dhe kështu edhe unë e nisa fermën me blegtori. Sot, kemi diku te 35 krerë. Nuk them se është më e mira, por këtu nuk ka të ardhme tjetër. Deti është sa të marrësh një bidon vaj dhe në shtëpi, ndërsa blegtora ka një të ardhme më shumë të ardhura, peshkimi është gati zero. Unë i kam lopët të lira në natyrë. Im atë i ruan ku të përshtatet vendi. Ato rrinë vetëm në pyll. Duhet t’i ruash se ndryshe të vjedhin. Në vitin 2011 më kanë vjedhur gjashtë krerë.

Një lopë kushton 100 mijë lekë. Por, i kam pasur edhe të parregjistruara”. Emini tregon se në det ka shumë raste të vështira. Ngrihen herët dhe luftojnë me detin në çdo stinë. Megjithatë, deri më sot ia kanë dalë mbanë. “Në ddet më ka zënë me qindra herë stuhia. Kam dalë në breg dhe kam lutur Zotin: shihja vetëm shkumë dhe lusja aman kur do dal në breg. Në Janar ka qenë.

Tani kam, bërë dy varka”, thotë Emini teksa rrëfen edhe për çmimet e tregtimit të peshqve. “Ngrihemi herët. Nga ora gjashtë ikim në det. Vetëm kur vjen fushata e karkalecit, ikim që në 4. Tani në maj fillon. Një kilogram shkon 2200 lekë. Këtu ka një grumbullues që e  merr peshkun që kapim ne në det. E mira është që shitet direkt, nuk rrimë me qese ta çojmë në lokale. Kocja është me 300 lekë, ndërsa levreku 2200 lekë. Deri tani që kam bërë më mirë, dita më e kënaqshme është karkaleci, rreth 27 kilogram të kapur”.

Të dhëna

Një ditë e keqe peshkimi konsiderohet si 100 herë më e mirë se një ditë e frytshme në zyrë, thotë një shprehje. Tani imagjinoni pak se çfarë do të thotë jo një ditë, por një vit i tërë i mirë peshkimi? Për statistikat është festë shifrash. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, peshkimi në Shqipëri po shndërrohet në një biznes të qëndrueshëm për shkak dhe të rritjes së kapjes së peshkut dhe të produkteve të tjera të detit. Përgjatë vitit të kaluar, peshkatarët shqiptarë kanë zënë 5.813 ton peshk dhe produkte të tjera të detit, ose 7,6% më shumë se në 11 muajt e parë të vitit 2013, ku u kapën vetëm 5.369 ton peshk.

Një rritje të konsiderueshme ka patur dhe kultivimi i midhjeve me gati 50% më shumë, me një prodhim prej 1,500 ton në vitin 2014 nga 750 ton që ishin në vitin 2013. Ndërkohë që në vlera monetare prodhimi në total kap shifrën e 40 milionë dollarë amerikanë, nga ku 22 milionë janë siguruar nga zënia e peshkut në bregdet dhe laguna, 8 milionë në akuakulturë dhe pjesa tjetër nga kultivimi i midhjeve.

Por lajmet e mira nuk përfundojnë me kaq, pasi peshkatarët këto ditë janë njohur edhe me një vendim të ri, për heqjen e taksës së karburantit, i cili prek në mënëyrë të drejtpërdrejtë zhvillimin e këtij sektori. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për përcaktimin e procedurave, të sasive, të kushteve dhe kritereve të përjashtimit të anijeve të peshkimit nga taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit”, peshkatarët do të furnizohen me karburant (gazoil) për peshkim, pa paguar taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën, por duke paguar TVSH.

Si të dallojmë peshkun e freskët?

Kur shkojmë nëpër  restorante pyetja që bëhet shpesh është: a është peshk i freksët? E sigurisht që në të shumtat e rastet përgjigja është. “Patjetër, e kemi kapur sot”. Ju, si klientë viheni në dyshime, por megjithatë i mbeteni në besë të kamarierit që po jua sygjeron peshkun. A doni të dini si ta dalloni peshkun e detit me atë të vaskës?! Peshkatari, Emin Shetaj, na tregon një mënyrë të thjeshtë. “Duhet t’i kesh të dyja të qarta. Le të marrin peshqit kryesorë, Kocen dhe Levrekun.

Kocet dallohen  te pjesa e hundës, sytë i ka ngjyrë florir, ndërsa ajo e vaskës i ka të zeza. Më tej kur e hap kocja e vaskës ka dhjam, ndërsa ajo nuk ka. Edhe levreku i vaskës vjen më i zi, ndërsa i detit vjen më i bardhë. Nëse e provon një herë kocen e detit e dallon nga shija herën tjetër”, tregon peshkatari. Peshku duhet të jetë i freskët. Kjo është një nevojë e panegociueshme për çdo konsumator. Cilësia e një ushqimi, siç është peshku ka nevojë për konfirmim të dyfishtë – në dyqan e në shtëpi, përpara se ta gatuani. Disa këshilla të tjera vijnë nga agroëeb. E para është aroma.

Kur të afroheni tek zona e peshkut duhet të ndieni aromën e detit, kripës dhe jodit. Kjo është aroma e freskisë. Mendoni çfarë mund të ndodhë në kuzhinën tuaj nëse dyshemeja është e mbushur me peshk dhe mbetjet e tij. Pas disa ditësh, aroma është e papërballueshme. Në dyqanet e peshkut duhet të tregoni kujdes me frutat e detit, të cilat kur nuk janë të freskëta, kanë aromën e amoniakut.

Velëzat e peshkut të freskët kanë ngjyrën e kuqe të ndezur dhe kanë aromën e kripës së detit. Me kalimin e ditëve velëzat marrin nuancën e verdhë dhe aroma bëhet më e fortë. Së dyti, paraqitja. Peshku i freskët shkëlqen. Është kaq e thjeshtë! Sa më i freskët të jetë peshku aq më e pastër dhe shkëlqyese duket lëkura e tij. Pasi kanë shkrirë nga ngrirja e gjatë, peshqit humbasin shkëlqimin e tyre. Ngjyra e peshkut nuk është e qëndrueshme. Kur peshku është i freskët, lëkura e tij është e ylbertë me nuanca të të gjelbrës që anojnë nga bluja dhe reflektojnë dritën.

Sytë e peshqve janë gjithashtu tregues freskie. Sytë e plotë, të qartë, të fryrë dhe me bebe të zezë janë tregues të freskisë. Sytë e zvogëluar, të topitur dhe me bebe me ngjyrë gri tregojnë se peshkut i ka kaluar koha e freskisë. Tuli dhe guacka e midhjeve të detit duhet të jenë të puthitura me njëra tjetrën dhe pa njolla të errëta. Së treti vjen prekja. Ndoshta e keni të vështirë ta prekni, por peshku i freskët nuk qëndron dot në dorë sepse ka tendencën të rrëshqasë.

Shikojini duart e shitësit me kujdes, bashkë me mënyrën si qëndron peshku në to. Peshku duhet të jetë mjaftueshëm i ngurtë dhe i tendosur për të qëndruar horizontalisht. Mishi i peshkut të freskët nuk shkëputet lehtë nga pjesa kurrizore. E njëjta gjë vlen edhe për gocat e detit por jo për kallamarët apo oktapodin.

Shifrat

Ekspertët kanë vlerësuar se zënia e peshkut në ujërat shqiptare mund të shkojë nga 14.000 deri 17.000 ton peshk dhe midhje në vit (rreth 8.000-9.000 ton peshk nga zonat detare, 3000 ton nga lagunat, ujërat e brendshme dhe akuakulturën; dhe 3000 ton prej molusqeve. Në dyzet e pesë vjet, deri në vitin 1991, burimet e peshkimit në vend i tejkalonin 8.000 ton në vit.

Ushqimi

Të ushqyerit e lopëve ka ndikim të madh për prodhimin e qumështit. Për të pasur një prodhimtari optimale të qumështit, racionet duhet të jenë të mirë balancuara. Me sigurimin e sasisë dhe cilësisë se ushqimit lopët qumështore mund të prodhojnë qumësht në bazë të kapacitetit gjenetik që  kanë dhe të mbajnë mirë shëndetin e tyre. Racioni duhet të plotësojë kërkesat në energji dhe proteina, për mirëmbajtje, prodhim të qumështit, rritje dhe riprodhim. Një racion komplet duhet të plotësojë kërkesat me sasi adekuate të mineraleve dhe vitaminave.

Llojet

Në mbarë botën janë të njohura rreth 800 lloje të lopëve, disa prej tyre përshtaten me klimë lokale, disa të tjera janë adaptuar nga njerëzit për nevoja specifike. Konsiderohet që lopët kanë qenë ndër kafshët më të hershme të zbutura nga njeriu për qëllime bujqësore. Ato u zbutën për të siguruar qumësht, mish dhe nevoja tjera blegtorale.

Proteinat

Peshku dhe produktet e peshkimit përfaqësojnë një burim shumë të vlefshëm të proteinave dhe mikro ushqyesve për një ushqim të ekuilibruar dhe shëndet të mirë. Në botë, peshku i’u siguron rreth 3 miliardë njerëzve, pothuajse 20 për qind të sasisë totale që duhet të marrin nga proteinat shtazore. Dallimet mes vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim janë të dukshme në kontributin e peshkut për konsum të proteinave shtazore.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet