Lamtumirë valltarit fluturues, Cingu: Ndihej krenar që ishte Shqipja e këtij vendi

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Rexhep Çelikut i jepet sot lamtumira e fundit. Artistët e konsiderojnë ndarjen e tij nga jeta, një humbje të madhe për artin, veçmas për vallen shqipe. Valltarja e njohur Liliana Cingu rrëfen kujtimet, që ruan me të dhe dëshirat që Çeliku kishte, si valltar deri në momentet e fundit

“Valltari fluturues” nuk është më mes nesh, por arti që bëri është shënjuar fort në mendjen dhe zemrën tonë. Këtë nuk e arriti brenda një dite, por në më shumë se 45 vjet. Duke mos i thënë asnjëherë skenës: Jo, pjesëmarrja e tij në 8000 shfaqje është kurorëzuar me 32 000 role, që nga periudha e sistemit komunist, deri para pak ditësh. Ky ishte Rexhep Çeliku (1954-2018), artisti modest, që sa herë gjendeshe pranë tij, e shihje teksa i rridhnin djersë nga puna që bënte në skenë. Aq shumë e donte ai vallen shqiptare, pa ndasi krahine nga Jugu në Veri. Sot, për “Nderin e Kombit” (shpallur vetëm disa ditë më parë), i cili përcillet për në banesën e fundit, homazhet bëhen te Muzeu Historik Kombëtar (ora 11.00 -13.00).

Për “Shekulli”-n, fillimet e tij artistike deri tek arritjet më të mëdha në skenë i ka rrëfyer ai vet, plot vërtetësi, duke mos fshehur për asnjë moment dëshirën e tij, që kjo traditë të vazhdohet nga brezat e rinj.
Rexhep Çelikut deri në moshën 14-vjeçare, nuk i kishte shkuar asnjëherë në mendje, që të bëhej valltarë, prandaj gjatë gjithë jetës ai është shprehur se për të ka qenë fat, që është bërë artist. Kur përfundoi klasën e tetë ishte i regjistruar për futboll, ndërsa gjatë pushimeve të verës, duke mos pasur alternativa, zgjodhi që të punojë në ndërtim. Gjatë punës në ndërtim, ka qenë rastësi takimi i tij me mjeshtrin Panajot Kanaçi, që do të shënjonte të ardhmen e tij, si artist. Kanaçi pasi i kërkoi për të bërë një provë, kuptoi se Çeliku kishte vesh në muzikë, e fill pas kësaj i kërkoi që të hiqte dorë nga të gjitha angazhimet e tjera, edhe t’i dedikohej artit, duke u regjistruar në Ansambël të Valleve edhe të Këngëve Popullore.

Në datë 20 shkurt të vitit 1971 “Mjeshtri i madh” nis punë në Ansambël. Përgatitja e tij, si solist ka qenë e paramenduar nga koreografi Panajot Kanaçi, i cili nuk e aktivizonte, si të tjerët. Kjo gjë “valltarin fluturues” e mërziti fillimisht, aq sa kërkoi të largohej nga Ansambli. E kështu, i afroi edhe mosha për të bërë ushtrinë, së cilës nuk mund kurrsesi t’i shpëtonte asokohe. Fillimisht e caktojnë në Laç, por gjithçka ndryshoi gjatë rrugës. Makina në të cilën ai udhëtonte ndaloi edhe prej saj zbriti Rexhep Çeliku. E drejtuan në një tjetër destinacion, te garda e ushtrisë. E kështu, për të filloi një jetë tjetër. Ai u bë solist i Ansamblit të Ushtrisë. Kaluan dy vite, derisa u kthye sërish në Ansamblin e Valleve edhe të Këngëve Popullore.

Profesor Panajot Kanaçi i hapi dyert edhe e kërkoi, që të mësonte për të interpretuar rolet kryesore. Një ditë, profesor i tij, Besim Zekthi, sëmuret një ditë. E kështu, Çelikut i ra për detyrë që ta zëvendësonte. Pas këtij interpretimi në skenë Rexhep Çeliku fitoi besimin e profesorëve dhe nisi jetën e vërtetë artistike. Gjatë këtij rrugëtimi është ndier i vlerësuar shpirtërisht shumë, ndërsa përsa i përket financës është shprehur përherë se përgjithësisht artistët kanë qenë dobët në këtë drejtim. Gjë, që tanimë është faktuar, sepse ata vet as kurat mjekësore nuk arrijnë, që t’i përballojnë dot, kur hasin në sëmundje të rënda.Për krijimtarinë e tij në skenë, por edhe për dëshirën që kishte, që vallja shqipe mos të shuhet asnjëherë, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, valltarja e njohur Liliana Cingu rrëfen kujtimet e tij me të.

Zonja Cingu, sot Rexhep Çeliku përcillet për në banesën e fundit. Një humbje e madhe për këdo që e njohu dhe shijoi artin e tij. Por, një ndër partneret më të afërta në skenë keni qenë edhe ju. Nëse riktheheni në kohë, cilat janë kujtimet e para, që keni me të?

Largimi i Rexhepit, që unë i them vëlla, sepse marrëdhënia që kisha me të, ishte më shumë sesa koleg ishte shumë i papritur. Por, vitet e para që kam punuar me të janë vitet ’70. Unë kam qenë në punë, kisha rreth katër vite që kisha filluar, kur Rexhepi erdhi në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. E shikoja me atë syrin e një vajze të re dhe thosha, që: Ky do të bëhet dikush edhe do të jetë një artist. Edhe vërtet ashtu ndodhi. Rexhepi, që në hapat e parë që filloi me talentin e tij pushtoi skenën. Deri më sot që ne japim lamtumirën e fundit, ai është një legjendë, një shqiponjë, sepse asnjë nuk mund të bëjë punën, që ka bërë Rexhep Çeliku.

Së bashku keni interpretuar në qindra shfaqje, por cili ka qenë ai moment, që është ngulitur në kujtesën tuaj, duke e kujtuar herë pas here?

Unë ruaj momente të pafundme me Rexhepin, por kur një partner është i denjë për krahët, që kërcen vallen, atëherë është më tepër sesa vëlla. Ruaj shumë kujtime me Rexhepin, vëllanë tim. Gjatë periudhës së fundit ishim në Parma atje ku i gjithë publiku e mirëpriti. Duke mos e ditur, që ai ishte jo mirë me shëndet, me forcën e tij të hekurt, siç ka edhe mbiemrin përballoi sëmundjen, deri në ditën që mori “Nderi i Kombit”. Janë shumë turne, janë shumë shfaqje, janë të pafundme ato kujtime që ne të dy kemi pasur bashkë.

Përtej punës në skenë, Çeliku ishte edhe një njeri modest. Nuk e dëgjoje asnjëherë të ankohej për asgjë…

Unë e nderoja për punën e vet, e nderoja dhe isha krenare që kisha një partner, si Rexhepi, sepse ai ishte modest edhe i gjithanshëm. Ai punën që bënte, e bënte me përkushtim, sepse e dashuronte vallen. Ai ishte i gjithanshëm, bënte valltarin, korpetitorin, bënte regjisorin kur kishim premiera. Ai i përkushtohej çdo detaji, deri tek kostumet. Siç ishte një familjar i mrekullueshëm për familjen e vet, me dy vajza të mrekullueshme dhe me një grua të mrekullueshme, të cilës unë i them motër ishte edhe për ne. Ai shqiponjë që për ne ishte fluturues në skenë, në këto momente fluturon në qiell me krahët hapur, duke na thënë që: Unë jam krenar që isha shqiponja e vendit tim.

Cila është ajo pjesë, të cilën e keni interpretuar më me përzemërsi në bashkëpunimet që keni pasur së bashku?

Nga interpretimet që kemi bërë bashkë veçoj çdo gjë, që momentin kur hapej perdja dhe ne përfaqësonim vendin tonë, të dy me krahët hapur. Kjo ishte përfaqësia më e madhe që kemi bërë për vendin tonë, duke treguar që ne jemi bijtë e kësaj shqipeje, shqiponjën e kemi akoma në skenë. Edhe hapja e krahëve përfaqësonte flamurin tonë krenar. “Vallja e shqipes” ishte një valle që me të vërtetë bënte jehonë. Rexhepi e kërceu me energjinë e tij të pafundme, deri në momentet e fundit. Para një muaji në Prama, Rexhepi kërceu dy duete me mua për t’i dhënë kënaqësinë spektatorit, edhe për t’i thënë: “Që shikoni se unë jetoj”. Edhe më të vërtetë ka jetuar deri më sot, sepse me të vërtetë ai nuk ka ikur. Rexhepi jeton në zemrat tona, jeton në ekranet tona, jeton kudo në muzikë edhe kudo në vallet tona. Rexhepi është akoma shqipe në këtë botë.

Kështu do ta kujtoj Rexhepin dhe atje ku është, edhe për të hapur krahun do të kërcej krah tij, nuk do ta ndalë vallen. Por do ta hap krahun edhe do t’i them: “Rexhep do të kërcejmë të dy”.
E dhimbshme për të ka qenë dhe shkurtimi i stafit të ansamblit, po ashtu edhe pakësimi i shfaqjeve, nga 270 në komunizëm në një numër shumë të ultë gjatë demokracisë… Por, pavarësisht kësaj “shpërbërje” të ansamblit ai deri në ditët e fundit të jetës së tij bëri maksimumin, duke qenë pranë publikut…
Ne si kolegë edhe si partnerë e kemi diskutuar sa herë, që ansambli duhet të jetë më i zgjeruar edhe më me më shumë elementë valltarësh. Ai e përjetonte këtë. Thoshte që nuk kam elementë që pëlqejnë vallen, edhe përpiqej shumë. Pavarësisht se ai e shtynte me fuqinë e vet, duke i bërë të gjitha pa u ankuar asnjëherë. Ka qenë modestia e tij, që bënte që me talentin e vetë shfaqja të duartrokitej nga publiku.

Humbja është e madhe, për ju edhe për artin shqiptar. Por, sipas jush, çfarë do t’i mungojë skenës shqiptare me ikjen e Rexhep Çelikut, si artist, por edhe si njeri?

Është shumë e rëndë që ta imagjinoj, ose ta them se Rexhepi nuk do të jetë më. Nuk dua që ta kem në mendjen time, që ai do të largohet. Por them se ai është pranë nesh dhe na dëgjon, ndërsa ne vetëm zërin nuk ia dëgjojmë, por edhe zërin e kemi të incizuar. Por për kombin ikja e një artisti, si Rexhep Çeliku është shumë e rëndë. Ai na ndjek nga lart edhe thotë: “Vallja jonë e bukur, perlat tona mos të ndalin asnjëherë”. Prandaj, vallja shqipe duhet që të vazhdojë edhe të kërcehet edhe më e fuqishme, ashtu bukur, siç e donte Rexhep Çeliku.

Koço Kokëdhima: Rexhep Çeliku, shqiponja fluturuese e valleve shqiptare

Kryetari i partisë ZGJIDHJA Koço Kokëdhima ka shkruar një status në profilin e tij në “Twitter” në lidhje me ndarjen nga jeta të valltarit të mirënjohur shqiptar Rexhep Çeliku, duke thënë se ky i fundit ishte shqiponja fluturuese e valleve të bukura shqiptare. “Rexhep Çeliku, shqiponja fluturuese e valles shqiptare dhe solisti i Ansamblit të Shtetit, sot u nda nga jeta. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij! Ai do mbetet në kujtimet tona përgjithmonë”, shkruan Kokëdhima.

Besim Zekthi: Interpretimet e tij i kanë dhënë emocione, jo vetëm publikut shqiptar, por edhe ndërkombëtar
Punuam dhe ngritëm vallen shqiptare. Për herë të parë e kam takuar në Ansambël të Valleve edhe Këngëve Popullore. Pjesët që kanë lënë mbresa janë të ndryshme, veçmas motive “Dibranshe”, por edhe të Jugut, Veriut etj. Janë shumë kujtime! Por ai ishte një artist dhe një njeri i mrekullueshëm. Një njeri i shkëlqyer dhe shumë familjar, që ishte i gjindshëm në gjithçka. Interpretimet e tij i kanë dhënë shumë emocione, jo vetëm publikut shqiptar, por edhe ndërkombëtar.

Shpresa Beka: Largimi yt, lajm i hidhur! U zgjova me lajmin e hidhur për largimin tënd i madhi Rexhep Çeliku ! Artisti gjigant i valles shqiptare dhe i të gjithë shqiptarëve! I lehtë të qoftë dheu mjeshtër, pushofsh në paqe! I paharruar kujt…

Ilir Kerni: Humbja jote, trishtim dhe dhimbje!

Trishtim, dhimbje, refleksion… Zemērthyer, qē s’mund tē jem i pranishēm nē lamtumirēn e fundit pēr mikun tim!!
Ylber Gjini: Lamtumirë, njeriu i mirë dhe shqiptari shembull
Lamtumirë artist i madh i valles shqiptare. Vallet e bukura të të gjitha trevave, që ti i kërceje aq bukur dhe me karakteristikat e tyre të veçanta të shoqërofshin në yllin e përjetësisë në yllin e parajsës, ku ti do lundrosh e do valëvitësh, midis vallesh e diamantesh të folkut popullor të këtij vendi, që ti e deshe aq shumë. U prehesh në paqe mik shok artist, njeriu i mirë shqiptari shembull.

Irida Dragoti: Më copëtoi zemrën ky lajm!

Ndonjëherë në teatër na ndodh të recitojmë skena joreale, por sot (dje) unë kam marrë një lajm që më ka copëtuar zemrën. Për fat të keq është ndarë nga jeta valltari më i madh i muzikës folkloristike popullore shqiptare Rexhep Çeliku. Një artist me një karizëm, hijeshi, talent dhe bukuri që rrallë kam hasur në jetën time… Miku im ti do të jesh gjithmonë gjallë, sepse arti yt nuk do të vdes kurrë! Jam e sigurt që do të rishikoj në mbretërinë e qiejve një ditë, sepse një shpirt kaq i bukur dhe i pastër nuk mund të rri tjetërkund, veçse në mes të engjëjve. Mirë u pafshim Rexhep!