Lamtumirë mjeshtrit të lirikës moderne shqiptare Fatos Arapit!

Foto 1 nga 2 Pas Para

Fatos Arapi u shua në moshën 88-vjeçare. Zeqo, Çobani, Gjoka dhe Koçi, flasin për krijimtarinë e tij 50-vjeçare. Poeti që kishte zgjedhur heshtjen si shoqërues të tij në tre dekadat e fundit, tanimë nuk do të jetë më mes nesh. Por vepra e tij bashkëkohore do të studiohet edhe nga gjeneratat që do të vijnë

Anila Dedaj

Me gëzim e frikë, për orë të tëra ai shihte kuajt e bardhë, dallgë të hakërruara të suleshin nëpër furtunë. I shikonte Fatos Arapi në vargjet e tij kuajt e bardhë të shkonin sa më parë tek ai… Të shkelnin, të fluturonin njëri mbi tjetrin, dhe me siguri edhe tani, kudo që është, ashtu fisnik e i madhërishëm, e ndjek pas deti… U shua mbrëmjen e së mërkurës në moshën 88-vjeçare poeti i detit, i lirikës, i popullit, njeriu që i dedikoi jetën e tij letërsisë, duke lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Ai iku në heshtje, pa zhurmë, dhe po kështu jetoi gjatë dekadës tri dekadave të fundit të jetës së tij. Mbylljen e kësaj pulëbardhe të letërsisë në “kullën e fildishtë”, studiuesi i letërsisë Behar Gjoka e shpjegon me shanset e munguara të komunikimit, në këtë mjedis që e kishte vëmendjen të fokusuar te gjërat rastësore. Shumë pak u tha për të, shumë pak u bë për poetin, prozatorin, studiuesin e eseistin që gjatë viteve të fundit të jetës së tij, siç rrëfen miku i tij, shkrimtari edhe studiuesi Moikom Zeqo, ndihej i lënë në harresë. Mirëpo, poetët si Arapi janë të përjetshëm, ata ikin vetëm fizikisht. Fluturimin e tyre nuk e ndal asgjë.

Moikom Zeqo: Ikja e paralajmëruar e poetit më modern shqiptar!

Për Moikom Zeqon, ndarja nga jeta e Fatos Arapit është një lajm i trishtë, jo vetëm për njerëzit që e kanë njohur, por edhe për ata që nuk e kanë njohur. Shkrimtari e konsideron këtë ndarje fizike të Fatos Arapit një lajm të trishtë jo vetëm për njerëzit që e kanë njohur, por edhe për gjeneratën që do të vij, ose që s’ka lindur akoma. “Pavarësisht njohjeve personale, poeti ka njohjen specifike me anë të leximit të librave, ku kalon në çdo kohë dhe në çdo hapësirë. Specifikë kjo, që vjen si një atribut i artit dhe i artistëve”. Prandaj pikëllimin për vdekjen e Fatos Arapit, do ta ndiejë familja e tij, por i gjithë kombi shqiptar. Zakonisht, sipas Zeqos, kur vdes një poet i shquar thurim lavde, ose për ta nderuar bëjmë spektakle. Po a është ky nderimi i vërtetë?! “Ky  nuk është nderimi i vërtetë, sepse nderimi i vërtetë është brenda kulturës, brenda standardeve që ka kultura shqiptare, letërsia. Nderimi që mund të bëjnë bashkëkohësit ndonjëherë mund të jetë konvencional, mund të mos jetë i vërtetë. Për shembull, unë kam këmbëngulur, si mik i tij, që të festohej 75-vjetori i lindjes të tij, por nuk u bë. Në 80-vjetor këmbëngula, nuk u bë… Edhe në 85-vjetor këmbëngula, pastaj nuk tentova më. Institucionet kulturore nuk e bënë këtë nderim. Kolegët e çmojnë, nuk është problemi që nuk e çmojnë. Presidentët e Republikës mund të bënin një dekorim me rastin e 80-të apo 85-vjetorit, që janë mosha të epërme, jo fillestare”. Por ky nderim kombëtar nuk iu bë për së gjalli Fatos Arapit, shton më tej Zeqo, pavarësisht se ai është nga poetët shqiptarë që ka fituar çmimin më të lartë poetik ndërkombëtar. “Ai ka fituar çmimin ndërkombëtar që quhej çmimi “Kurora e artë” në Strugë, që e kanë fituar poet të mëdhenj amerikanë, evropianë, si poeti i madh amerikan Allen Ginsberg, Nikita Stanesku, poet i njohur rumun, Iv Bonfua poeti më i njohur bashkëkohor francez, Edoardo Sanguineti etj. Midis këtyre emrave të shquar është nderuar edhe emri i Fatos Arapit, asnjë poet shqiptar nuk e ka arritur këtë çmim. Sipas profesorit, Fatos Arapi është një poet që u shqua në vitet ’60 të shekullit të XX-të. Në atë kohë mbaheshin tre poetë të shquar, ose më të talentuarit e kohës, një ishte Kadareja, tjetri qe Dritëro Agolli dhe Arapi. “Nga këta të tre, kishte lindur më përpara Fatosi (1930), por unë sa herë kam lexuar poezinë e Fatosit më dukej sikur ky ishte më rinori, më i riu. Kjo, sepse poezia e tij kishte një modernitet më të spikatur, një modernitet që kontributi i tij e solli në letërsinë shqipe”. Fatos Arapi është një nga lëvruesit më këmbëngulës dhe më vizionar të lirikës qytetare, pra lirika qytetare si zhanër, nuk ka qenë shumë e lëvruar në Shqipëri, edhe sot nuk është shumë e lëvruar, kurse Fatos Arapi e ka këtë aspekt. Ai mbas studimeve të larta që ka pasur në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë në Sofje të Bullgarisë ushtroi detyrën e pedagogut në universitet për shumë vjet. Ka dhënë si pedagog lëndën e ekonomisë, madje ka qenë specialist i ekonomisë politike. “Atributi i tij më kryesor është poezia. Ka libra poetikë, të cilat janë vërtetë të rëndësishëm për letrat shqipe, poezi dhe poema, është edhe lëvruesi i poemës. Në disa nga poema ka lëvruar shumë temën e antifashizmit shqiptar. Vetë ai ka qenë që në moshën 14 vjeç partizan me pushkë në krahë. Ka shkruar një cikël të mrekullueshëm për dëshmorët dhe heronjtë e popullit të Vlorës. Askush nuk e ka bërë një cikël kaq të bukur për dëshmorët saqë e ka shkruar Fatos Arapi”. Fatos Arapi ishte me origjinë nga Zvërneci i Vlorës. “Zvërneci është një ishulli vogël, ka një kishë të shekullit të XII-të aty edhe ai e adhuronte. Ka shkruar shumë për Zvërnecin, por ai do të mbetet i paharruar në motivet e poezisë shqipe, për motivet që ka për detin. Më kujtohet një imazh i tij që thotë që, dallgët nuk janë gjë tjetër veçse kuaj të bardhë që do të më ndjekin përherë kudo që të jem. Pra, mund të jesh në një mal, në një pyll, mund të jesh jashtë Shqipërisë, në një shtet tjetër, mund të jesh në një shkretëtirë, mund të jesh në një akullnajë dhe befas imazhi i vendlindjes do të ndjekë nga pas në formën e kuajve të detit që e ndjekin përfytyrimin e poetit”.  Vdekja e tij është vetëm fizike, sepse në kuptimin shpirtëror poetët nuk vdesin dot, poeti vërtet hesht dhe nuk shkruan më dot, mirëpo ato që ka shkruar dhe botuar flasin vetë. “Ajo që ka shkruar në të gjallë është e pavdekshme. Nuk është pak të jesh poet dhe ta kesh këtë mundësi dhe atribut, por ja që poetët e kanë! Poeti, nuk harrohet dot për shkak të atributit, të krijimit dhe të së shkruarës. E shkruara është sintezë e kujtesës. Meqenëse kjo e shkruar ka nivel estetik ajo është pikë referimi e përhershme e përjetësisë së poetit. E kam njohur nga afër, ka qenë njeri shumë i ndjeshëm, më i ndjeshëm se ç’duhet mund të them. Për shembull, ai emocionohej kur shikonte edhe një lule. Njëherë në Zvërnec ku ishim bashkë, mori një tufë rigon edhe tha: “Moikom merri erë këtij rigoni, mban erë shekujsh! Mban erë shekujsh!””. Më tej Zeqo shton, se tufën e rigonit të tij, që vërtet mbante erë shekujsh e kujton edhe sot! “Dhe do doja që shoqëria shqiptare të ketë një vlerësim më të lartë për njerëzit e kulturës. Personalitet e kulturës nuk janë aq të shumtë nga sa ç’mendohet, janë të paktë. Ai pati një lloj vetmie shumë të madhe këto 20 vitet e fundit. U mbyll në shtëpi dhe nuk doli nga shtëpia për gati 20 vjet këto 20 vitet e fundit, kurrë nuk e kam kuptuar se pse ndodhi një gjë e tillë. Ai ka qenë njeri shumë i hapur me njerëzit dhe shumë shoqëror. Por, ja që ndodhi, nuk mund ta paragjykoj pse ndodhi një gjë e tillë. Hera e fundit që kam biseduar me të ka qenë fund-viti i 2017-ës. Ai kishte një telefon fiks në të cilin e merrja. Provova disa herë dhe më në fund e ngriti… E urova për Vitin e Ri. Ai më tha: “Faleminderit shumë Moikom, por mua vetëm ti më kujton, të tjerët më kanë harruar”. “Jo, i thashë, nuk është e vërtetë, asnjë njeri nuk të ka harruar”… Këto janë fjalët e fundit që kam biseduar me të, mbas asaj, kontakti me të ishte i pamundur”, përfundon profesori….

Behar Gjoka: Fatos Arapi është poeti modern, i lirikës qytetare dhe intime

Padyshim ikja nga jeta e poetëve, e kësaj pulëbardhe të letërsisë shqipe siç studiuesi Behar Gjoka e cilëson ikjen e Fatos Arapit, shkakton një lloj lëvizje tektonike përsa i përket poezisë dhe letërsisë shqipe. Ai ka folur me poezi, me letërsi, por Fatos Arapi ka folur me heshtjen e tij. “Ka mote që hesht, sepse ka folur në librat e tij. Ka mote që askush nuk e dinte se është ndër të gjallët. Mesa duket jemi tek fati i poetëve gjeni, te fati i mjeshtërve të fjalës që pasi i kanë thënë gjërat, tërhiqen në heshtjen e tyre”. Natyrisht ky është një moment që do Gjoka dëshiron të kishte një lloj reflektimi. Çfarë ndodh me mjeshtërit e letërsisë shqipe?! “Ajo që ndodh me ta, është një largim ku shoqëria është pjesë e një faji, por pjesë e një faji të zakonshëm tashmë janë institucionet e kulturës, institucionet e arsimit, institucionet e akademizmit ku heshtin, heshtin pambarimisht dhe nuk e thonë atë fjalë që u takon mjeshtërve si ai”. Gjoka para 10 vitesh takohej me të dhe shpesh, e kujton që këmbente fjalë nga më të çuditshmet, dhe vinte re një lloj përmallimi të tij për poezinë shqipe. “Për mua ai është i vetmi poet që kërkoi ndjesë për atë që kishte ndodhur përpara ’90-ës. Korifenjtë e tjerë nuk e bënë këtë. U mundua kërkoi ndjesë përsa i përket letërsisë së shkruar më përpara në gjatë realizmit socialist. Kërkoi ndjesë përsa kishte ndodhur në të shkuarën! Natyrisht, Fatos Arapi për mua është poeti, është prozatori, është studiuesi, është eseisti, është njeriu që jetoi në letërsi dhe për letërsinë”. Tashmë ata që e mbajnë mend nuk kanë shansin të thonë diçka, sepse mbyllja e tij në “kullën e fildishtë” ndodhi për shkak se nuk kishte më shans komunikimi me këtë mjedis që, nuk është se kishte vëmendje tek poezia, te letërsia, te teksti, por kishte vëmendje tek gjëra rastësore. “Nuk i shërbente partive ai, nuk kishte lidhje me partitë! Fatos Arapi tha gjithçka për letërsinë shqipe, dhe pak u tha për të.  Gjurma që do të mbetet dhe natyrisht tani fillon shtegtimi real i Fatos Arapit është letërsia. Natyrisht ky brez që vjen në vitet ’60-të, në studimet letrare prezantohet që është, Agolli, Kadareja, është Arapi. Është Kadareja, Agolli, Arapi. Është Arapi, Kadareja, Agolli. Pra shumëkush është munduar që t’i shikojë në raportimin e përbashkët, por edhe në raportimin e përveçëm. Në raportimin e përveçëm, unë gjej tek poezitë letrare në Kosovë, që fillon gjithçka me Fatos Arapin”. Për Gjokën, Fatos Arapi është poeti modern, Fatos Arapi është poeti i lirikës qytetare, i lirikës poetike, i lirikës intime. “Fatos Arapi është vijues i asaj letërsie poetike që çeli Migjeni. Në këtë kuptim gara mbetet e hapur, është garë leximi. Për mua natyrisht nëse Agolli ishte poet burimor dhe spontan, nëse Kadareja ishte poet që e kërkonte më së shumti në laboratorin e procesit krijues, Fatos Arapi ishte poet i lindur. Poet i lindur dhe poet i sprovave të kërkimeve të vazhdueshme të ligjërimit poetik. Është një trini, ku në krye, sipas meje qëndron Fatos Arapi. Nuk qëndron, sepse është dita, qëndron prej kohës, sepse Arapi foli me tekst, me heshtje, ndërsa të tjerët nuk kanë ditur të heshtnin. Heshtja e tij është hyjnore, fjala e tij është më hyjnore sesa heshtja. Është poeti që i bën nder letërsisë bashkëkohore shqipe dhe letërsisë shqipe gjithëkohore”.

Kadare: Dëshmia artistike e Fatos Arapit, e çmuar në kronikën e letërsisë!

Për ndarjen nga jeta të poetit Fatos Arapi ka reaguar edhe Ismail Kadare, i cili e cilëson në krye të fjalës së tij si “një shkrimtar të rëndësishëm me një jetë dhe krijimtari dramatike”.  Kadare shprehet se pas ikjes së Dritëro Agollit, letërsia shqipe i ka gjithmonë e më të vështira humbjet e tjera, të dhimbshme si kjo e Fatos Arapit. “Shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë dhe krijimtari dramatike të shtrirë në dy epoka, Fatos Arapi, mik dhe koleg i dashur, u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX e XXI. Dëshmia e tij artistike do të jetë e veçantë dhe e çmuar në kronikën e gjatë të letërsisë shqipe”, shprehet shkrimtari.

Tonin Çobani: Fatos Arapi, një lirik i lindur!

“Poetët mbeten në poezitë e tyre. Fatosi është një poet lirik i lindur. Ka një lirizëm kaq të thellë sa mund të përfshihen të gjithë njerëzit e shumë epokave në këtë lirizëm të tij”. Kështu shprehet studiuesi Tonin Çobani për Fatos Arapin. Ai ka rënë në kontakt me të në shkollë të mesme. Dhe kur e ka njohur personalisht ka kuptuar se ai është lirikë, jo vetëm në çdo varg të tijën, por edhe në prozë, edhe në marrëdhënie me shoqërinë, me njerëzit. “Unë e kam ndjekur nga afër dhe kam pasur një pritshmëri të vazhdueshme për poezitë e tij. Ai dinte të përballonte edhe atmosferën e veçantë që kalonte atëherë vendi ynë, në atë trysni ideologjike. Fatosi nuk ishte tipik i kohës së vet. I takonte kohëve më të ardhshme, pavarësisht nga fjalori, pavarësisht nga temat që trajtonte ai kishte gjithmonë atë origjinalitet, atë shpirt të vetin, që i takonte universales, jo materialitetit të asaj kohe”. Në renditjen që u bëhet poetëve Agolli, Kadare, Arapi, këtë të fundit e vendosin të tretin, por nëse flasim për poezinë lirike për Çobanin është i pari! “Është një poet që ka zënë vendin e vet pikërisht me origjinalitetin e vet, me thellësinë e këtij lirizmi, që është edhe i sinqertë, edhe shumë komunikues, që nuk kërkon kode për t’u lexuar”.

Pandeli  Koçi: Poezia e tij ishte sa e gjallë, edhe e fuqishme!

Edhe për shkrimtarin Pandeli Koçi, Fatos Arapi ishte dhe ngelet një nga tre korifenjtë e poezisë shqipe, pas Luftës së Dytë Botërore. Fatosi si poet, krahas Kadaresë, Agollit, Qiriazit pruri një përmbysje të poezisë që notonte në ujërat e një retorizmi mbizotërues, politik, ideologjik, por mbi të gjitha një poezie rutinë. “Ai solli në poezinë shqipe një figuracion dhe një ritëm të ri. Poezia e tij ishte sa e gjallë, sa jetësore, aq edhe e fuqishme. Krahas poezisë lirike, që ishte një poezi shpërthyese, aq dhe e ndierë dhe e butë kur ai fliste për jetën, dashurinë, por gjithnjë poezia e tij ishte e mbërthyer nga një dramatizëm i fuqishëm dhe mendoj se është një nga tiparet e veçanta që karakterizojnë individualitetin e poezisë së tij. Kushdo që do të lexonte një poezi të tij e identifikonte menjëherë që ishte poezi e Fatos Arapit. Dhe në jetën e tij, që adoleshent mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, më vonë vazhdoi studimet për Ekonomi për Bullgari, por vazhdoi të shkruante që në të mesme. Punoi edhe si gazetar dhe pedagog, por ajo që e karakterizoi dhe e mbajti në nivelet më të larta të letërsisë sonë ishte poezia e tij. Krahas poezisë mund të përmend disa poema si “Drashovica”, “Republika”, “Antiburokratike”, etj, që u pritën mirë nga kritika e kohës, duke sjellë një frymë të re në poezinë shqipe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet