Lajthia e Visokës, tradita e kultivimit që sjell fitime të frytshme

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Xhensila Demollaj

Prej kohës së diktaturës e deri më sot, blloku i lajthive të Visokës vazhdon të kultivohet. Pëllumb Saliaj tregon për vijimin e kooperativës dhe përfitimet nga pema e artë

Rruga për në Ballsh nuk ka më atë qarkullimin e dikurshëm. Tek-tuk shihen disa makina të vogla, e më vonë kamiona që transportojnë naftë. Megjithatë, zona nuk e ka humbur gjallërimin e saj. Nëpër kodra vihen re lehtësisht gjelbërimi. Pemë që nuk janë prekur ende nga dora e njeriut, aq sa të krijohet përshtypja se kjo tokë, është si një pjesë e Toskanës në Shqipëri. Po ecim drejt Visokës, fshatit me historinë dhe traditën e kultivimit të lajthive dhe shartimit.

Gojëdhënat historike tregojnë se në Mallakastër, kultura e shartimeve ka qenë më e njohura dhe më e dalluara në gjithë vendin. I pari i fshatit ishte ai që dinte të kryqëzonte kulturat. Duket se ende sot ka njerëz, të cilët e vijojnë këtë traditë. Dikur, në zonë ka patur bujqësi dhe tregti të zhvilluar. Kanë ekzistuar pularitë dhe shiteshin vezë. Ka patur  tregje për fruta. Por, kur kaloi autostrada e re Levan-Tepelenë janë mbushur të gjitha tregjet e dikurshme me kashtë.

Sot, mbillet  së tepërmi frutikultura. Dikur është mbjellë lajthi dhe fëmijët e vegjël dilnin përherë dhe shisnin te makinat në rrugën kryesore për në Greqi. Nuk bëhet grurë dhe misër për shkak të terrenit. Bëhet ulliri, vreshta, qershia, të cilat janë goxha të përshtatshme për zonën. Por, çdo kulturë ka nevojë për një kujdes të veçantë”, thotë Pëllumb Saliaj. Pëllumbi është më profesion agronom. Ai së bashku me dy miqtë e tij kanë vijuar traditën e kultivimit të lajthive, që prej kohës së diktaturës komuniste. “Me ristrukturimin e NB-ve, në vitin 1992, të frutoreve, lajthia e Visokës kaloi në privatizim. Krahas të tjerëve kam marrë edhe unë, kam blerë një sasi lajthish dhe kemi marrë dhe tokën në bazë të ligjit siç na takonte gjithë specialistëve. Unë me origjinë jam nga Mallakastra, por tani banoj në Fier.

Ne nuk kemi dashur kurrë ta lëmë tokën. Bashkë me dy tre shokë të tjerë bashkuam pjesët tona që në atë kohë dhe që prej asaj kohe e administrojmë bashkë. Nuk i kemi venë emër kooperativës. Aty kemi nga 16 dynymë secili nga ne”, thotë fermeri, teksa vijon të tregojë për hershmërinë e mbjelljes së lajthive. “Këto pemë janë mbjellë në vitet 48-50 të shekullit të kaluar dhe tani mund të jenë diku te 60 e ca vjeçare. Pema e lajthisë përtërihet çdo 3-4 vite, ndërsa krasitja bëhet çdo vit. Një rrënjë ka rreth 12 degë, në varësi të fuqisë që ka bima. Është shkurrore. Një nga këto degë që ka arritur diku te 5 vite dhe kur prodhimi shkon në maja nuk ia vlen ta mbash më, ndajnë krasitje e heq, i lë gjatë periudhave të mëparshme dhe i ke bërë gati”.

Rendimenti i lajthive vlerësohet se normalisht është goxha i lartë, mirëpo kjo vlen për ato toka që kanë produktivitet të lartë dhe pëfshihen në kategoritë e para. Pëllumbi tregon se tokat e tij në Visokë janë të kategorisë së shtatë dhe prej kësaj nuk japin më shumë se dy kilogram për rrënjë. “Rendimenti nuk është dhe aq i lartë se cilësia e tokës nuk është perfekte është e kategorisë 7 në bonitet. Kërkon shumë shpenzime sepse është edhe një punë e pamekanizuar akoma. Është akoma me krahë, përveç plugimit. Kemi një traktor që e kemi berë që në ato vite dhe bëjmë dhe frezim. Tani janë shtuar dhe spërkatjet, sepse ka ëmtues sidomos në periudhën mars prill. Spërkatja nuk ka qenë se ne atje kemi punuar më përpara. Unë jam agronom në profesion dhe më parë nuk i kishte, tani janë shfaqur.

Ngrohja e klimës sjell probleme edhe në bimë. Tani i bëhet spërkatja. Por, në vite thatësire, si ky që shkoi, rendimenti ulet dhe kokrrat janë jo cilësore. Një  bimë e mirë e plotësuar, kokërrzhveshur duhet të japë 2 kilogram. Pastaj është tjetër gjë ana teorike. Mund të japë, por do plehun dhe ujin që ne nuk i kemi. Nuk ka mënyra vaditje dhe jemi pa ujë. Edhe që ta bësh me ngritje, lumi ka pisllëqet e uzinës dhe materiale kimike, që nuk mund ta vadisësh me të se në vend që ta rregullosh e bën më keq. Me puse është e vështirë, se nuk mund të bëhet një sipërfaqe aq e madhe. Besoj aty janë afër 30 hektarë, në total, se kanë dhe të tjerë. Ky prodhim është shitur pothuajse brenda vendit, pak për t’u eksportuar. Gjithë prodhimi që është sot në treg është prodhim i kësaj lajthie.

Lajthia kërkon toka të kulluara. Në këtë zonë përshtatet. Se do një mikroklimë të freskët. Aty edhe në verë është pak ftohtë”, thotë fermeri. Por, si janë çmimet e tregtimit të lajthisë? A janë ato konkurruese në treg?! Duket se është një kulturë nga e cila mund të marrësh fitime, por agronomi këmbëngul se ka nevojë për shërbime dhe shpenzime, sidomos në vitet e fundit ku me ndryshimin e klimës, lajthia ka nevojën për spërkatjen. “Diku te 3.5 euro është çmimi i shumicës. Nëse do kemi parasysh që mbillet në sipërfaqe me bonitet 6-7 është, ndonëse toka në fushë është e papërshtatshme. Nëse në një dymym serrë mund të marrësh 3, 4 milion, aty do 7 vite që të hyj në prodhim, madje ti shërbesh 7 vite, të shpenzosh. Kështu, nisur nga këto nuk ësht e këshillueshme që të përdoren në këto toka. Që të jetë e përshtatshme edhe në mekanikë”, pwrfundon Pwllumb Saliaj.

Kooperativa

Gjatë sistemit komunist puna në kooperativa ka qenë drejt orientimeve bujqësore. Banorët tregojnë se në Mallakstër janë mbjellë më së shumiti  pema e ullirit, qershisë dhe më tej bimët industriale si duhani dhe luledielli, të cilat nuk kultivohen më. Vendin kryesor në strukturën e bimëve gjatë gjithë periudhës e zinin drithërat e bukës (gruri dhe misri) dhe rriteshin pothuaj të gjitha llojet e perimeve. Një vend të vecantë zinin edhe bimët foragjere, kryesisht jonxha. Investime u kryen edhe në zonën kodrinore për taracimin e tokave, shtimin e frutikulturës, vreshtave dhe pyllëzimeve të reja. Masa të tjera agronomike u ndërmorën në sistemimin e tokave përmes sheshimeve dhe drenimeve. Investimet në sektorin e bujqësisë përfshinë të gjithë hapësirën, në mënyrë të integruar dhe shkallë-shkallë për gjatë gjithë periudhës duke i dhënë qarkut pamjen e një peizazhi krejtësisht të humanizuar.

Lajthia, pema që i jep jetë tokës

Sot Shqipëria ka rreth 50 000 rrënjë të kultivuara në shkallë vendi, pothuaj të gjitha të kultivarit të fidanëve Visoka dhe gjysma kultivohen në rrethin e Fierit. Gjithashtu ka edhe mbi 11 mijë hektarë grumbuj pyjor me lajthishte të egra, të klasifikuara në llojin shkurre. Këto toka të mbuluara nga lajthi të degraduara, shpesh preferohen për kullota apo për përdorime të tjera.

Disa fermerë kanë filluar të besojnë që me pak ndërhyrje, këto toka pothuaj të harruara, mund të kthehen në burim të ardhurash, duke furnizuar tregun shqiptar si dhe tregje të Europës qëndrore, kërkues të sasive të mëdha lajthish për prodhimin e çokollatave. Për lajthinë nuk ka fare vështirësi gjetja e tregut, sepse është një kulturë që përdoret së tepërmi nga kompanitë e mëdha si në industrinë e çokollatave apo edhe frutave të thata. Kjo kulturë është shumëvjeçare dhe e rezistueshme dhe gjen përdorim të gjerë kudo. Një pemishte lajthish e mirëmbajtur prodhon nga 1.5 – 2.0 ton për hektar, ose rreth 50% të rendimentit për hektar të arrave. Lajthitë vilen me dorë dhe kështu sigurohet që të ruhet vazhdimësia e prodhimit. Rreth 86% e gjithë prodhimit shqiptar të lajthive vjen nga katër rajone, Fier, Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër. Përafërsisht 55% e prodhimit vjen nga rrethi i Fierit dhe 11% nga ai i Lezhës.

Të gjithë rrethet e tjerë japin 5% ose më pak të prodhimit total. Turqia është vendi që realizon mbi 70 për qind të prodhimit dhe eksportit të lajthisë në botë, dhe vetëm gjatë 20 viteve të fundit ka vjelë më shumë se 24,5 miliardë dollarë të ardhura nga ky produkt. Lajthia është arrori më i shtrenjtë nga të gjithë të tjerët, më i kushtueshëm se arra dhe gështenja, falë cilësive të veta shumë unike. Shqipëria pësoi gjatë viteve të tranzicionit dëmtime të mëdha të sipërfaqeve të mbjella me drufrutorë dhe pas mbi 20 vitesh, fermerët po i rikthehen rimbjelljes duke gjetur rrugë të reja fitimi. Në Jug të Shqipërisë, interesimi më i madh është për agrumet kryesisht në zonat bregdetare, si dhe për arrat dhe lajthitë në zonat në brendësi.  Lajthia si të gjitha bimët e tjera arrore, për mijëra vjet nga shqiptarët është mbjellë afër vreshtave, por edhe si pengesë në formë gardhesh ose brezash për të mbrojtur arat nga dëmtimet ose vërshimit të lumenjëve dhe përrenjëve.

Shartimi

Shartimi i agrumeve bëhet në vjeshtë dhe në pranverë. Në këtë kohë, filizat e nënshartesës duhet të kenë trashësinë 7-10 mm (sa trashësia e një lapsi) dhe rritje uniforme. Dy-tre javë përpara shartimit bëhet pastrim i filizit në lartësinë deri 15 cm nga toka. Bimët mëmë të certifikuara mbahen në tenda të hijezuara në vazo të mëdha plastike me volum 0.15 m3 ose 60 – 80 kg.

Krahina

Rrethi i Mallakastrës është njëri nga 36-të rrethet e Shqipërisë. Rrethi bën pjesë në Qarkun të Fierit. Emri Mallakastër del për herë të parë në shekullin e trembëdhjetë, përmendet në lidhje me një kryengritje që ndodh në këtë zonë, gjatë së cilës rrënohet kështjella e Mylit ose Mylokastra, e cila ndodhet përsëri na Cakran.

Frutikultura

Prodhimi i frutikulturës  në periudhën 1970-1990 pëson rritje nga 1500 ton në vitin 1970 në 2200 ton në vitin 1990, duke zënë 22% të prodhimit në shkallë vendi. Në dhjetë vitet e fundit të kësaj periudhe pamjaftueshmëria e investimeve dhe e shërbimeve, si sasia e vogël e plehut, mungesa e ujitjes, spërkatjet e pakta, ishin disa prej faktorëve që prodhimi për rrënjë i këtyre pemevë në vitin 1990 të ishte 2-3 herë më i vogël se vitet 1985-1987.

Historia

Mallakastriotët janë një popullsi që dalin disa herë në burimet historike të shekullit XIII-XIV, duke luajtur një rol të rëndësishëm qoftë në ngjarjet që zhvillohen në Çamërinë e sotme, por edhe me shtegtimin e tyre të famshëm të shekullit XIII-XIV, në rrethinat e Atikës.

Të tjera

Leksioni i Studentëve

Nga Zef Bushati Përtej kryefjalës së këtyre ditëve “student” dhe përpjekjeve të kuptueshme për pronësimin politik të protestës, e cila…

Abissnet