Lajm i keq për të gjithë azilantët që presin një përgjigje, lidhet me procedurat

Publikuar më 31. 10. 2017 nga Bleona Metushi

Në fillim të vitit Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, (BAMF) punoi me ritëm të lartë, por tani ndryshime në personel po sjellin vonesa të reja në trajtimin e kërkesave.

Siç njofton gazeta “Nürnberger Nachrichten” Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF ka arritur të trajtojë në muaj deri në 50.000 kërkesa të azilit në fillim të vitit. Kjo shifër tani ka rënë në 15.000-18.000 raste, shkruan DW.

Deri në fund të vitit kjo instancë duhet të trajtojë edhe 44.000 kërkesa për azil, por nga shtatori kësaj shifre i shtohen 52.000 kërkesa të mbetura nga e shkuara si edhe 48.000 kërkesa të reja për azil. Fillimisht ishte menduar që kërkesat e majit të vitit 2016 të kishin marrë fund së trajtuari këtë vit.

Ngadalësimi në procesin e trajtimit të kërkesave për azil lidhet me uljen e numrit të vendeve të punës aktualisht në BAMF. Probleme shfaqen edhe në ofrimin e kurseve të integrimit. Në shtator arritën të gjenin një vend në kurset e integrimit, 28.000 vetë, që përbën vetëm gjysmën e kërkesave aktuale për kurse integrimi. Mesatarisht azilantët duhet të presin gjashtë muaj për të gjetur një vend në kursin e integrimit.