“Ladies pop & rock concert” nga Kozeta Kurti!

Publikuar më 11. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Brunilda Gorovelli

Kozeta Kurti surprizon sërish më përzgjedhjen e saj. Këtë të shtunë në Akademinë e Arteve në Tiranë zhvillon kocertin e disatë të saj. Në fakt çudia nuk është tek zhvillimi i një koncerti, por tek mënyra se si e ka konceptuar dhe paraqitur tek publiku. Ashtu sikurse shprehet vetë Kozeta,më shumë se muzikë “rock”,ka dashur të sjell sjellje “rock” në kuptimin e revoltës të disa grave që u gjendën në vendin e duhur, por në kohën e gabuar dhe muzikën e interpretuar prej tyre, nuk e shijuan deri në fund. Afërdita Zonja, Alida Hisku, Vaçe Zela, Anita Britri, Aurela Gaçe, Mira Koçi, Myfarete Laze, Ertila Koka etj, janë disa nga emrat e repertorit, ndërkohë këngëtaret të cilat do të interpretojnë këngët e riorkestruara në pop rock janë Era Rusi, Liljana Kondaçi,Irma Libohova, Aurela Gaçe etj. Duket që këngët që kanë qenë hite të viteve 70, 80, 90 do të krijojnë një magji të mrekullueshme nën interpretimin e emrave të rëndësishëm të muzikës shqiptare sot.

“Ladies pop & rock concert” është projekti juaj i fundit që zhvillohet të shtunën. Për diçka të tillë, ndikoi dashuria që ju keni për muzikën rock apo..

Unë jam shprehur edhe pas koncertit të vitit të kaluar me muzikë të viteve 90-të që organizimi i eventeve nuk është profesioni im. Unë nuk jetoj me këtë punë, por unë ushqehem shpirtërisht me këtë punë. Bëj përpjekjen time për të “korrigjuar” sadopak mediokritetin në të cilin është përfshirë muzika vitet e fudit. Kthej hitet! Në të dy rastet e koncerteve të mëdha, por edhe në programe me tema muzike live që kam drejtuar apo bashkëdrejtuar, kam kuptuar që publiku di ta ndajë shumë mirë shapin nga sheqeri.

Nga njëra anë repertor të këngëtareve të dëgjuara të muzikës, nga ana tjetër gjithashtu këngëtare sot të rëndësishme të muzikës që do performojnë. Përse kjo perzgjedhje?

Sepse e dua këngën e Anita Bitrit në repertor, por fatkeqësisht nuk e kthej dot më në skenë…

Përse menduat t,ia dedikonit këngëtareve femra këtë koncert?

Për asnjë arsye që lidhet me qasje feministe. Nuk kam qenë, s’jam dhe nuk do të jem kurrë as feminist, as asgjë tjetër që bën dallim midis gjinive, racave, bindjeve… Thjesht është një temë si shumë të tjera…Pse s’më pyeti askush vjet: pse  repertori është i tëri maskilist? Kur nis të bësh një përzgjedhje, do përcaktosh disa kritere, ndryshe nuk ja gjend dot fundin.

Si jeni ndjerë ju dhe këngëtaret gjatë provave?

Ka energji shumë të mirë. Duke mos dashur të jem modeste në këtë rast, unë e reflektoj këtë, (siç ma thonë , (qesh) ) di ta transmetoj shumë mirë dhe ta marr mbrapsht disa fish më shumë, sepse unë jam një në raport me to, ata janë 35 në raport me mua, sepse bashkë me këgëtarët janë edhe djemtë e formacionit, vajzat e harqeve dhe ato të back vocaleve, pa harruar një dorë miqsh të ngushtë, të vjetër, që janë aty (siç unë për to)për audio, video dhe imazh të eventit.

 Si e pritën ftesën tuaj për bashkëpunim, duke ditur që këngët të natyrave të ndryshme do këndohen në pop rock?

Më shumë se muzikë “rock”, unë kam dashur të sjell sjellje “rock” në kuptimin e revoltës të disa grave që u gjendën në vendin e duhur, por në kohën e gabuar dhe muzikën e interpretuar prej tyre, nuk e shijuan deri në fund.  Këngët janë riorkestruar. Nuk u kemi bërë këngë të reja, kështu që një rifreskim, veçse mirëpritet. Asgjë e keqe nuk ndodh.

Përse jeni fokusuar tek vitet 70, 80, 90?

Sepse nuk kemi nga njëqind këngëtare për çdo dekadë, që nga këto njëqind, të zgjedhim pesëmbëdhjetë për çdo dekadë. Aq kemi pasur gjithsej dhe unë përzgjedhjen e kam bërë, duke llogaritur numrin e hiteve që kanë pasur gjatë përvojës së tyre. Ndoshta me të drejtë dikush do pyesë, po x apo y person, pse nuk gjendet në listë dhe po e sqaroj që përzgjedhjen e kam bërë për kontributin numerik të këngëve hite.

Kozeta nga media, tanimë jeni e fokusuar edhe tek koncertet, përse keni vendosur të sillni koncerte me tematika të veçanta?

Media nuk më josh më njëqind përqind si dikur, për shkak të metamorfozës regresiste që ka pësuar, ndaj tani e bëj atë në funkson të pasioneve të mia, siç është radio për shembull, apo koncerti që është një shfaqje televizive, apo Festivali i Dhjetorit, me të cilin jam e angazhuar aktualisht, apo me një cikël televiziv që po shkruaj tani, me fokus muzikën sërish.  Median duhet ta “shfrytëzojmë” ne gazetarët që të përcjellim informacion, edukim e argëtim, jo të na “përdorë” e keqpërdorë ajo ne. Nuk e kam bërë në të njëzetat e mia dhe nuk do ta bëj dot asnjëherë.

Do kemi sërish pas mbylljes së këtij koncerti, punë për të radhës?

Po. Kam dy projekte ambicioze për dy vitet e ardhshme. Do të vendos në skenë një dramë me një skuadër shumë të mirë (është një ëndërr që ka fjetur me mua për pesëmbëdhjetë vjet me rradhë), si edhe po shkruaj “Albanian Pop Rock Duets”, me duetet shqiptare më të mira të të gjithë kohërave.