Laboratori i heroinës, të pandehurit dalin para Krimeve të Rënda

Dosja e 5 personave të arrestuar në Has për laboratorin e drogës kaloi në Tiranë, ndërsa dje Gjykata e Krimeve të Rënda rivlerësoi masat e sigurisë për ta. Të arrestuarit nuk pranojnë akuzat, ndërsa Flamur Çelaj dhe Vehbi Berushi pretendojnë se janë thirrur për të kryer disa punë teknike

Bleona Metushi

Dosja e 5 personave të arrestuar në Has për laboratorin e drogës kaloi në Tiranë, ndërsa dje Gjykata e Krimeve të Rënda rivlerësoi masat e sigurisë për ta. Pas një seance që zgjati rreth tre orë, Krimet e Rënda caktuan “Arrest në burg” për  Xhavit Shutin, Flamur Çelën dhe Vehbi Barushin. Ndërkohë, 76-vjeçari, Mustaf Shuti, do të qëndrojë në “Arrest shtëpie”, ndërsa për Anila Shutin, u caktua masa “Detyrim paraqitje”. Ashtu si në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Kukësit, të arrestuarit mohojnë se kanë pasur dijeni për aktivitetin kriminal. Ndërkohë për të marrë pjesë në seancë, 76-vjeçari u paraqit në orarin e caktuar nga Gjykata, ndërsa mbahej me anë të një bastuni dhe me ndihmën e policit u fut në sallën e gjyqit. Kujtojmë se gjetja dhe shkatërrimi i laboratorit të drogës, ku pretendohet se do të përpunohej heroinë, u bë në kuadër të operacionit të koduar “Vol-vo 4”, si rezultat i të cilit ranë në pranga edhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ndërsa u arrestuan 27 të tjerë.

Prokuroria

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të gjithë të arrestuarit, dyshohen për kryerjen e veprës penale te “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” , kryer në bashkëpunim. Kjo bazuar në faktin që në banesën në pronësi të të arrestuarit Xhevit Shuti, është gjetur një sasi lënde që dyshohet si narkotike, në sasinë rreth 200 kg. Më tej, prokuroria argumentoi se, nga veprimet e dokumentuara nga policia gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori rezulton se, më datë 18 tetor 2018 rreth orëve të pasdites, në vijimësi të punës me procedimin penal nr.454, të vitit 2018, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, se duhej ushtruar një kontroll në banesën e shtetasit Mustaf Shuti, në fshatin Brenogë, njësia administrative Fajza, të bashkisë Has. Në banesën e shtetasit Mustaf Shuti, janë gjetur shtetasit Mustaf Shuti, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj, Vehbi Berushi dhe Anila Shuti. Gjatë këqyrjes ne ambientet e jashtme te banesës se shtetasit Mustaf Shuti është konstatuar një automjet me targa AA 462AD, “MITSUBISHI” në pronësi të shtetasit Xhevit Shuti, ku gjatë këqyrjes së tij nuk u konstatua gjë në interes të hetimit. Janë gjetur edhe disa sende të tjera të cilat dyshohet se do të përdoreshin për prodhimin e drogës së fortë.

Pretendimet e të arrestuarve

Referuar burimeve, për të arrestuarit Flamur Çelaj dhe Vehbi Berushi, nga ana e mbrojtëseve tyre, u kërkua të vleftësohet i paligjshëm arresti në flagrancë dhe ndaj tyre të caktohen masa e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur” në policinë gjyqësore. Kjo sipas arsyetimit që të dy këto persona janë thirrur për të kryer disa punë qe i përkasin specialiteteve të elektricistit, saldatorit dhe hidraulikut dhe këtu përfundonte angazhimi tyre. Për të arrestuarin Mustafë Shuti, u kërkua paligjshmëri arresti në flagrancë dhe ndaj tij të mos ndërmerret asnjë masë sigurimi, pasi ai edhe për shkak të moshës, nuk ka pasur asnjë mundësi të jetë pjesë e veprimeve kriminale për të cilat dyshohen personat tjerë. Në lidhje me të arrestuarën Anila Shuti, nga ana e mbrojtësve të saj, u kërkua të vleftësohet i paligjshëm arresti në flagrancë dhe të caktohet ndaj saj “Detyrim për tu paraqitur” në policinë gjyqësore. Për këtë person kundërshtohet që ajo të ketë lidhje të drejtpërdrejta me ngjarjen, ajo punon si edukatore në arsimin parashkollor dhe nuk ka asnjë të dhënë që e implikon atë, përveç faktit që ajo është pjesëtare e familjes Shuti.

Operacioni

Operacioni mësohet nisi në orët e para të së premtes, datë 19 tetor dhe vazhdoi përgjatë gjithë ditës, pasi policia bëri krehje të zonës, për të bërë të mundur gjetjen e ambienteve të tjera që mund të ekzistojnë dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti kriminal, i cili është i dyti i zbuluar në Shqipëri, pas laboratorit të Xibrakës në Elbasan. Hetimi ka nisur disa muaj më parë, ndërsa ende janë duke u kryer hetime sa i takon arrestimit të personave të identifikuar dhe shpallur në kërkim. Nga pamjet e bëra publike, duket se si laborator është përshtatur në një banesë e vjetër, e rrethuar gjithandej me pemë dhe hunj, ndërsa oborri është i gjithi me barë dhe i përshtatur në dy kapanone. Ndërkohë, kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që në Shqipëri janë ndërtuar laborator të përpunimit të drogave të forta. Plot tre vite më parë në qytetin e Elbasanit, në Xibrak, policia duke marrë informacione nga agjencitë gjermane, zbuloi laboratorin e përpunimit të kokainës. Në atë kohë, u arrestuan 8 persona, ndër ta edhe 2 kolumbianë që bënin përpunimin e lëndës narkotike.

 Ryshfet biznesit për të mos e gjobitur, arrestohen 3 agjentët tatimor

Tre punonjës të Hetimit Tatimor në Tiranë janë arrestuar nga policia e Korçës ditën e djeshme pasi akuzohen për “Shpërdorim detyre”. Referuar njoftimit, në prangat e uniformave blu të qytetit juglindor përfunduan, Maluen Hoxha, 30 vjeç, Alban Kapo, 28 vjeç banues në Tiranë dhe Idajet Vrapi, 28 vjeç, banues në Durrës. Këta punonjës në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kundrejt një shume prej 30.000 lekë, kanë favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës, duke i shmangur masën administrative. Burime thonë se gjatë kontrolleve në bizneset në qytetin e Korçës, punonjësit e tatimeve kanë konstatuar një subjekt i cili nuk ka prerë një kupon tatimor. Në terren për të parandaluar informalitetin në qytetin e Korçës kishin zbarkuar tre tatimorët e arrestuar. Pasi kapën biznesin me shkelje për mos i vënë gjobën, ku sipas ligjit një aktivitet që kapet me shkelje gjobitet minimumi 50000 mijë lekë të reja, tre tatimorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i morën personit që zotëronte subjektin tregtar 30000 mijë lekë ryshfet për mos e gjobitur. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, kanë finalizuar operacionin e koduar “Pritja” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i punonjësve tatimorë.

Operacioni “Pritja”

Një operacion policor i koduar “Pritja” ka vënë në pranga tre punonjës të Hetimit Tatimor-Tiranë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në këmbim të ryshfetit. Të arrestuarit janë Maluen Hoxha, 30 vjeç, Alban Kapo, 28 vjeç, dhe Idajet Vrapi, 28 vjeç, të tre me detyrë punonjës të Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën. Gjithçka pasi kundrejt një shume prej 30 mijë lekë të reja, kanë favorizuar një subjekt tregtar në qytetin e Korçës, duke i shmangur masën administrative. Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, për të zbuluar më shumë mbi aktivitetin e tyre. Sakaq në ngarkim të tyre materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës.

U arrestuan të mërkurën, gjykata italiane liron dy nga vëllezërit Sallaku

Pas një aksioni të zhvilluar nga policia italiane gjatë ditës së mërkurë u arrestuan 22 persona, mes tyre edhe biznesmeni shqiptar, Gëzim Sallaku si dhe tre vëllezërit e tij. Këta të fundit, u akuzuan për armëmbajtjen pa leje, ndërsa gjatë kontrolleve  u gjetën 3 pistoleta në një garazh, i cili ishte në pronësi të vëllezërve shqiptarë. Mediat italiane bëjnë me dije se gjykata italiane ka liruar biznesmenin dhe pronarin e klubit “Darfio” si dhe dy vëllezërit e tjerë, ndërsa i treti vijon të mbahet në burg, ku ndaj tij rëndojnë akuzat për trafik droge në Itali. Lajmi raportohet nga mediat lokale në Itali, të cilat nuk japin detaje se përse gjykata ka dalë në këtë përfundim. Kujtojmë se kohë më parë drejtësia italiane ka hetuar Sallakun për evazion fiskal si dhe fshehje të ardhurash, por në fund vendosi t’i rikthejë 13 milionë dollarë të cilat ia sekuestroi me dyshimet e mësipërme. Gjykata italiane vendosi të heqë masën e sekuestrimit të pasurive, pasi nuk kishte siguruar dot prova që të implikonin biznesmenin shqiptar në aktivitete e mësipërme. Mbiemri Sallaku është bërë tashmë i njohur për policinë italiane. Ditë më parë, një tjetër i afërm i vëllezërve Sallaku u arrestua me një 1 kg kokainë të pastër,  ndërsa bashkë me të në pranga përfunduan edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë.

“Ngasin urbanët të dehur”, policia kontrolle shoferëve në Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës ka ushtruar dje kontrolle në rrugë ndaj shoferëve të transportit publik, pasi shume qytetarë janë ankuar se lëvizin të dehur dhe nuk respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor. Nisur nga shqetësimet e shumta të adresuara në numrin emergjencave 112, në lidhje me shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve të transportit publik qytetas, kryesisht telefonata për përdorim alkooli nga drejtuesit e autobusëve, manovra të rrezikshme në rrugë, mos rregullim shpejtësie etj., organizoi disa pika kontrolli me aparat Drager, në orët e para të mëngjesit, me qëllim verifikimin dhe kontrollin e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e mjeteve të kësaj kategorie”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë. Më tej policia bënë të ditur se, përgjatë 1 ore u verifikuan dhe kontrolluan 78 autobusë të linjave të ndryshme urbane dhe vetëm dy prej tyre, rezultuan nën efektin e alkoolit. Gjithashtu përgjatë kontrolleve u vendosën edhe 34 masa administrative, për shkelje të tjera  të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet