La alkoolin, rigjeti gruan

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Edi është 42-vjeçari, i cili prej një viti rehabilitohet në Klinikën e Alkoologjisë, në QSUT, për varësinë ndaj alkoolit, është e treta herë që ai tenton të ndahet njëherë e përgjithmonë ndaj këtij vesi. Në moshën 14-vjeçare kur i ati tij ndërroi jetë, Edi nisi të pinte nga një gotë. “Unë kam filluar shumë i vogël, por që kam filluar të pijë keq fare, ka filluar që në 2007-n. Thjesht që unë të humbisja mendjen e gjeja ngushëllimin atje”, shprehet 42-vjeçari.

Problemet familjare, debatet me të ëmën, por edhe divorci bënë që Edi të zhytej në botën e alkoolit edhe më shumë. “Dhe përsëri në dasmën time domethënë ndërhyri mamaja. Jam ndarë pas 9-vjetesh dhe ma vinin pikën tek alkooli, një prej shkaqeve ai ka qenë, alkooli”, thotë Edi. Ai ka punuar nga polic e deri te punëtor gipsi, për të qenë i angazhuar, çka do ta ndihmonte të mbante veten larg vesit, por pika e kthesës ishte ish-bashkëshortja e tij. “Në qoftë se ti e lë alkoolin edhe unë do të kthehem përsëri me ty. Dhe unë këtë hap e bëra, kam lënë alkoolin dhe kam filluar kafenë”, shprehet 42-vjeçari. Fenomeni shqetësues i përdorimit të alkoolit, reflekton edhe në raportet e institutit të shëndetit publik. “Studimi në popullatën e përgjithshme në vitin 2014 sugjeron që prevalenca gjatë jetës për përdorimin e alkoolit ka qenë rreth 70%. Natyrisht që dominojnë meshkujt kundrejt femrave. Në zonat urbane më shumë persona konsumojnë alkool krahasuar me zonat rurale, mosha më e prekur është mosha 25-34 vjeç”, shprehet Ervin Toçi, Specialist ISHP. Gjatë vitit 2016, rreth 70 % e rasteve të dhunës në familje dhe rreth 10% e aksidenteve rrugore, ndodhen për shkak të konsumit të alkoolit./T.Ch/