Kuvendi do të shkarkojë kryetarin e KQZ-së, Klement Zgurin

Futet në rendin e ditës kërkesa për heqjen nga detyra, me motivacion “shkelje të rëndë të ligjit” nga kryetari i KQZ. Ndërkaq, në KQZ, pesë kandidatë të tjerë kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit, të thirrur për të marrë mandatin e deputetit.

Lindita Bushgjokaj

Në kulmin e protestave jashtë Parlamentit, mazhoranca pritet të rrëzojë kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri, i cili është emëruar si propozim i Partisë Demokratike. PS ka rikthyer sërish në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, me motivacionin “për shkelje të rëndë të ligjit”. Konferenca e kryetarëve ka përfshirë në kalendarin e punimeve 3 javore kërkesën e depozituar nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla. Sipas socialistëve, në vitin 2017, kreu i KQZ nuk respektoi ligjin e dekriminalizimit në rastin e një kryebashkiaku të akuzuar nga mazhoranca si një ish-i dënuar. Klement Zguri drejton këtë institucion që pas marrëveshjes së 18 Majit Rama-Basha. Ai zëvendësoi në këtë detyrë ish-kryetarin Denar Biba, i cili dha dorëheqje dhe kaloi në postin e nënkryetarit. Në KQZ opozita nuk ka dërguar përfaqësuesit e saj duke i lënë vakante karriget e tyre duke bërë që KQZ të funksionojë vetëm me 5 anëtarë. Madje dhe në votime Zguri ka qenë vendimtar në rrëzimin ose miratimin e propozimeve. Për shkarkimin e Kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve PS-së i mjafton shumicë e cilësuar votash sipas përcaktimeve në nenin 15 të kodit zgjedhor.

Kërkesa

Kërkesa është bërë nga kreu i Grupit Parlamentar të  Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili me anë të një statusi ne Facebook ka bërë të ditur këtë vendim. Kjo kërkesë vjen pas debatit të javës së shkuar, ku PS kërkoi shkarkimin e kreut të Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj. Sipas Partisë Socialiste, Kapllanaj është i dënuar në Itali dhe duhet që të shkarkohej, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga opozita që ka shumicën në KQZ. “Asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë. Është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”-Zoti Balla bën të ditur se gjykatat italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”…” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike, ç’ka për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Gjithnjë sipas zoti Balla “Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn”.“Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë çështjes në fjalë nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij. Duhej të ishte Komisioni si organ kolegjial dhe jo Kryetari si individ struktura që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë” vlerëson zoti Balla.

Kundërshtimi i Zgurit

Zguri ka njoftuar se pretendimi i socialistëve nuk qëndron. Anëtarët e KËZ-së janë njoftuar me një shkresë mbi dokumentin e Prokurorisë për Kapllanajn, që është protokolluar nga ky institucion. Materialet nga Prokuroria kanë mbërritur në datën 16 tetor në KQZ dhe janë protokolluar më 17 tetor 2017. Në shkresën sqaruese të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, dërguar anëtarit Hysen Osmanaj, thuhet se “në datë 17.10.2017 është bërë nxjerrja e këtyre shkresave nga zyra e Kryetarit të KQZ-së dhe po në datën 17.10.2017, është bërë dorëzimi për anëtarët e KQZ-së, tek sekretarja Elna Dai, e cila ka nënshkruar në regjistrin përkatës për marrjen në dorëzim të këtyre shkresave me numër kopje gjashtë”. Në dokumentacionin e Prokurorisë sqarohet se vepra penale e konsumuar nga Kapllanaj është parashkruar, pasi ka kaluar afatin 10-vjeçar. Kjo ka bërë që çështja të arkivohet.

Gjatë  kandidatë të rinj për deputetë

Në KQZ dorëzuan formularin e dekriminalizimit dhe 6 kandidatë të tjerë, çka çon numrin e deputetëve në kuvend me 91 mandate. Ajo që spikat mes emrave të sipërpërmendur është Ediola Braha, kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, e cila do të pranojë mandatin e deputete mandatin e lënë nga Vangjel Tavo. Ajo ka mbajtur postin e kryetares së LSI-në Tepelenë. pak pasi dorëzoi formularin e dekriminalizmit, kreu i OMONIA-s në Korçë, Ligoraq Karamelo ka folur rreth çështjes. Ai tha se mandati u takon atyre që kanë dhënë kontribut, ndërsa jep një mesazh për kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. “Mandati i takon atyre qe kanë dhënë kontribut. Jam i detyruar të pranoj mandatin për qytetarët. Me Dulen nuk jam dakord për dorëzimin e mandatit. Nuk duhet të braktiset parlamenti”,-shpreh ai.

EMRAT

Emrat e kandidatëve që dorëzuan formularët: Ediola Braha nga lista e LSI-së në Gjirokastër, Ligoraq Karamelo nga PD në Korçës, Elda Hoti nga lista e kandidatëve të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, në Lezhë, dhe Edlira Hyseni e LSI në Durrës, dhe Majlinda Halilaj nga listat e PD-së. Ndërsa ditën e djeshme, dorëzoi formularin e vetëdeklarimit në KQZ, Lefter Maliqi, nga lista e PD-së në qarkun e Beratit.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet