Kush është shqiptari i vrarë me tre plumba në Greqi

Publikuar më 09. 10. 2017 nga Dionis Xhafa

Roland Shëmbitrasi, 39 vjeç është shqiptari të cilit i është bërë atentat në Athinë disa ditë më parë në Glyfada të Athinës.

Viktima u ekzekutua rreth orës 04.40 minuta të mëngjesit në një lokal nate që ai e kishte në pronësi, në rrugën “Agelo Metaksa 48”. Shëmbitrasi ishte i martuar dhe është babai i dy fëmijëve. Atentatorët, që dyshohet se janë gjithashtu shtetas shqiptarë kanë ardhur në këmbë në lokal dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të Shëmbitrasit, duke e lënë atë të vdekur. Plumbat e kapën shënjestrën në pjesën e kraharorit dhe se Shëmbitrasi nuk ka pasur asnjë lloj shansi për të shpëtuar. I plagosur mbeti miku i shënjestrës së atentatorëve dhe bëhet fjalë për Gjergj Kapajn. Ndaj këtij të fundit atentatorët qëlluan disa herë me armë.

Dy klientë të lokalit që rastësisht ishin në ato momente aty, janë plagosur. Policia deklaroi se arsye e vrasjes ishte larja e hesapeve mes bandave rivale për çështje të drogës. Shqiptari ka qenë disa herë i dënuar në shtetin grek.