Kush është portieri grek që pritet të luajë në Superligën shqiptare

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Një portier grek për Luftëtarin. Klubi gjirokastrit ka mbyllur marrëveshjen me një portier me shumë eksperiencë në Greqi, që në pjesën e parë të sezonit ka qenë pjesë e Trikallas, që militon në “Football League“ (Liga e dytë greke).

Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Kristos Athanasopulos, me të cilin është arritur marrëveshja dhe pritet t‘i bashkohet ekipit në Gjirokastër më 19 janar, raporton “Panorama Sport”.

Mesa duket klubi bluzi do të heq dorë nga firmosja e kontratës me 24-vjeçarin Amarildo Çekrezi, i cili po stërvitet me Luftëtarin në Turqi dhe u aktivizua në pjesën e dytë të miqësores ndaj Trabzonsporit.

Transferimi i Athanasopulos te Luftëtari ka bërë jehonë edhe në mediat greke. Në të kaluarën portieri ka qenë pjesë e Kalitheas, Iraklisit, Panahaikisë dhe Panegaliosit. Ardhja e tij shton konkurrencën te Luftëtari, teksa në pjesën e parë të sezonit titullar ka qenë Shkëlzen Ruçi.