Kush do të përgjigjet për shkatërrimin e Gjirokastrës?

Entela Bineri

Kryetares së Bashkisë në Gjirokastër,

Ministres së Kulturës në Shqipëri,

dhe jo vetëm…

Do të duhej ta nisja këtë letër të hapur me nderimet e duhura, ashtu siç, rëndom, shkruhen letrat zyrtare, por është e pamundur kjo, për shkak të hidhërimit që e nxiti…Madje, madje, nuk dita me siguri me cilin person ta nis letrën (pavarësisht shkallës përkatëse)… Me personin e diplomuar shkëlqyeshëm në studimet për arkitekturë apo me personin e lindur në qytetin hijerëndë që i ka rrënjët në parahistori?…Dhe sigurisht, fitoi lidhja me zanafillën. Për rrjedhojë, edhe përgjegjësia (morale kryesisht, meqë projekti nuk buron prej pushtetit vendor, por atij qendror) i takon personit që do të duhej ta donte më shumë Gjirokastrën, tashmë prej kohësh të rrënuar.

Kanë qenë ditë dëshpëruese këto, ditët e shpërndarjes së lajmit (me zë dhe pamje) mbi “restaurimin” e njërit prej qyteteve më të rëndësishme shqiptare…Nuk do të doja ta shkoja në mend që e gjithë kjo që po ndodh është e qëllimshme… Larg qoftë! Nga ana tjetër, nuk mund t’u besoj syve që paaftësia mund të filmohet e shpërndahet si një vepër e mirë kaq lehtësisht…

DHE NUK MUND TË HESHT! Stërgjyshërit e mi, gjyshërit e mi, prindërit e mi dhe më tej, të parët e tyre, prehen në Gjirokastër… Dhe nuk mund të mos ndieja që, pas çdo rënie qysqish e levash, tronditeshin edhe eshtrat e tyre. E jo vetëm të tyre. Por edhe eshtrat e gjithë atyre që e kanë dashur atë qytet. Sidoqoftë, unë (kushedi, edhe ndonjë shpresëhumbur tjetër) kam pritur këto ditë një dalje publike tuajën, për t’u dhënë shpjegime e sqarime gjithë të shqetësuarve mbi fatin e Gjirokastrës, kudo ku janë, brenda e jashtë Shqipërie.

Ndonëse të emëruarit, në mos e paçin aftësinë për ta ripërtërirë si duhet trashëgiminë kulturore, së paku do të duhej ta linin, ashtu siç brezat e mëparshëm – dukshëm me shumë më tepër vlerë se ne të gjithë, pa përjashtim – arritën të na e lënë. E kam parë me trishtim rrënimin e kohëpaskohshëm të Gjirokastrës, por kam menduar që me kohë, duke u fuqizuar secili prej nesh, afër ose larg saj, do të bënim diçka të mirë për të, pa marrë domosdoshmërisht në këmbim diçka tjetër. Çdo vendlindje e meriton kaq, madje edhe më tepër!

Por goditjet e këtyre ditëve, në të vërtetë, nuk më bënë të mendoj gjë tjetër se nuk ka qenë vetëm paaftësia arsyeja e shpërfilljes ndaj Gjirokastrës gjithë këta 20-30 vjet, por edhe urrejtja e madhe e atyre që nuk arrijnë ta përballojnë “shtypjen” e hijes së këtij qyteti. Për ta dashur po njëlloj, në mos edhe më tepër, njeriu duhet t’i largohet paksa.

Mënyra e shkuljes së gurëve të rrugëve të saj, nga çdo kënd i mundshëm të shihet, s’është gjë tjetër veçse urrejtja e një të marri. Një të marri që ka pamjen tonë fundja, të gjithsecilit prej nesh, i cili me atë që (nuk) ka bërë (dot), bën me faj rrethanat dhe jo vetveten. A thua se rrethanat vetëkrijohen…

Ndjeva në ato goditje edhe urrejtjen e qytetarëve që nuk mundën të jenë kurrë pjesë e këtij qyteti. Dhe është e çuditshme se si mund të hakmerren brezat edhe përmes gurëve… KUSH NUK MUND TË JETË I MIRË, BËN ÇMOS TË JETË SA MË I KEQ. Rrugët e rrugicat, si mbarë Gjirokastra, kanë rreth 25 vjet që lëngojnë. Kjo, që gjithë shqiptarët panë, është ajo çka nuk e kishin parë ende në reklamat shkëlqyese të njohjes së Shqipërisë nëpër botë, në të cilat qyteti i gurtë zë përherë vendin e nderit, ashtu, duke gënjyer, duke fshehur plasaritjet e Zekatëve; mbulimin e Skëndulajve me shtëpinë e Kadareve, sajuar më e madhe dhe më e nderuar nga çka qenë në të vërtetë; gropat e rrugëve; çatitë e shqyera. Të gjitha këto, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, numrin e madh të shtëpive të rrënuara pa kthim, mes tyre edhe atë të Musine Kokalarit.

Këto ditë, prekëm me sy shprehjen: “T’I VËSH KAZMËN VENDIT!”. Pati mundësi gjithkush dhe do ta ketë edhe në të ardhmen të shohë se ç’pamje kanë barbarët e mijëvjeçarit të tretë. Luftojnë brenda meje habia, lëndimi dhe turpi për kohën dhe shoqërinë së cilës i përkas. Do të doja të jem sa më pak pjesë e kësaj shëmtie, papërgjegjshmërie, paaftësie, mungese largpamësie dhe urrejtjeje. Sidoqoftë, askush nuk mund të shkatërrojë askënd, pa përfshirë në shkatërrim vetveten, anipse kjo është e pashlyeshme për dëmin që i shkaktohet historisë dhe kulturës së një vendi.

Diçka e rëndë, një formë mallkimi duhet të jetë duke na ndëshkuar, përderisa nuk shohim njësoj dhe nuk bëjmë atë që duhet si shoqëri. Kjo s’është veçse mungesë drite, ndriçimi…Më rivjen në mendje letra e dykuptimtë e të shumëheshturit Kadare, drejtuar kryetares së tanishme të bashkisë:

“Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat”*. Sigurisht, mëtonjësi i çmimit “Nobel” i shmanget me mençuri parashikimit përcaktues të fatit, por s’ka mençuri njerëzore që mund t’i zhbëjë një kombi aftësinë për të përzgjedhur ose jo baballarët e vet e në mungesë të etërve të gjallë, një kombi do t’i duhet t’i hedhë sytë te bijtë, sado të brishtë qofshin ata… Përtej kësaj të fundit, kushedi ç’do të thoshte për një moshë edhe më të re i “urti” ynë, madje, në detyrë edhe më të lartë. Por me shumë mundësi, Ministria e Kulturës, pas gjithë lëvizjeve politike, nuk e di më ç’po ndodh në Gjirokastër. Në të vërtetë, askush nuk e di më ç’po ndodh në gjithë Shqipërinë. Orteku ka kohë që është ngjizur. Kush mund ta dijë ku do të na çojë më tej?… Po ku tjetër, përveçse në theqafje…

Prapëseprapë, unë kam shpresë. Kam shpresë, sepse kam frikë. Kam frikë nga aventurier-ët/et që nuk njohin kufij… Nga bijat e bijtë plangprishës. Nga etërit e munguar. Nga rreziku i ngutshëm i radhës: Gjarpërimi betonues i të ashtuquajturit “by-pass”, i cili rrezikon kryesisht kalanë, tashmë të dëmtuar nga koha dhe mungesa e mirëmbajtjes. Kam frikë nga heshtja e qytetarit i cili mbron bukën e gojës, duke zgjedhur thjesht gjallimin dhe jo jetën; nënshtrimin brenda llojit në vend të vlerësimit për gjeninë e qenies njerëzore.

Prandaj, njëherazi, me dëshpërim dhe shpresë, pres ringritjen prej tulatjes, lirimin prej frikës së pakuptimtë nga njëri-tjetri dhe çmuarjen e vlerave jo vetëm për dukje. Këtë kam parasysh kur shprehem në krye të letrës: “dhe jo vetëm…”

Sigurisht, shënimi i marrësit/marrëseve në këtë letër të hapur s’është veçse simbolik. Ju jeni ndër përgjegjëset e fundit (moralisht) në gjithë këtë koklavitje mbarëkombëtare, brenda së cilës shoqëria e tanishme vuan mallkimin e shitjes së shpirtit, lirë madje, shumë lirë…Ju mbani tituj të rëndë, por, në të vërtetë, pesha juaj është e papërfillshme në tërë këtë, paçka se dëmi është më shumë se i madh, ndoshta edhe i pakthyeshëm, sepse jo çdo pranëvënie gurësh mund të quhet kalldrëm, jo çdo shqiptar mund të jetë një Fishtë, ndonëse mund të përpiqemi të jemi të tillë, apo jo?

Së fundmi, lind pyetja: Çfarë do të ndodhë, nëse punimet nuk do të përfundojnë në cilësinë e duhur??? KUSH DO TË PËRGJIGJET PËR KËTË MASAKËR??? Të paktën, a meritojnë përgjigje “robërit taksapagues” nga autoritetet përkatëse?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet