Kurti mbështet bombardimet ndaj Asadit: Diktatorët të lëshojnë udhë

Kreu Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbështetur fushatën e bombardimeve të SHBA-ve, Francës dhe Britanisë ndaj Sirisë, pas dyshimeve për përdorim të armëve kimike nga regjimi i Asadit.

Kurti ka thënë që e përkrah paqen dhe nuk i gëzohet luftës, por sipas tij, agresioni mizor i Assadit nuk mund t’a lë askënd indiferent, sidomos kosovarët.

“Diktatorët duhet të lëshojnë udhë, e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Postimi i plotë

Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë.

Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto.

Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet.

Urojmë që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë, me sa më pak viktima.

Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet