Kurse verore në Gjermani, ja kriteret dhe si të aplikoni

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Ambasada Gjermane ka komunikuar një lajm me interes për të gjithë studentët shqiptarë.

Ata kanë të drejtë të ndjekin kurse verore të gjuhës gjermane, nëpërmjet bursave që afron shteti gjerman.

“Landi i Bavarisë ofron bursa për kurse verore të gjuhës gjermane për studentë dhe shkencëtarë të rinj nga Evropa Lindore (Shqipëria, Kosova etj.) me njohuri paraprake të gjuhës gjermane, minimalisht me nivelin B1. Në momentin e aplikimit studentët duhet të kenë mbaruar të paktën dy semestra të plotë studimi dhe të kenë mundësi ta dëshmojnë këtë me një listë notash. Të gjitha dokumentet e aplikimit duhet të dërgohen me postë tek BAYHOST dhe të kenë mbërritur atje deri më 26 mars 2018”, – thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane Tiranë.

 “Bursa mbulon shpenzimet e kursit, akomodimin dhe përfshin një pagesë për ushqim”, sqarohet në njoftim, ndërsa “shpenzimet e udhëtimit, sigurimit dhe vizave nuk do të rimbursohen. Disa kurse kërkojnë një depozitë akomodimi që nuk mbulohet nga bursa. Prandaj ju duhet të planifikoni të merrni disa mjete financiare me vete. Depozita do të paguhet në largimin tuaj nëse nuk ka ankesa (dmth. dëmtime) në strehim”.

Gjermania gjatë viteve të fundit është duke krijuar lehtësira për studentët shqiptarë dhe për ata që janë në kërkim të një vendi pune. Shumë studentë shqiptarë, të cilët pas mbarimit të studimeve hasin vështirësi në gjetjen e një pune, kurset e fundit që afrohen nga Gjermania u krijojnë atyre një mundësi më shumë për të fituar eksperiencë dhe për t’u punësuar në të ardhmen në shtetin me ekonominë më të fuqishme të kontinentit tonë.