Kuratorja për “Onufrin”: Nuk është dështim i artistëve, por institucional

Foto 1 nga 3 Pas Para

Studiuesja dhe kuratorja e artit Suzana Varvarica Kuka rrëfen shkaqet që çuan në degradimin e “Onufrit”. Ajo bën një analizë të mirëfilltë të gjendjes se Galerisë Kombëtare dhe shpreh nevojën për një Galeri Qyteti për Tiranën

 Anila Dedaj

Thirrjeve të artistëve e kuratorëve për të mos mbyllur një ekspozitë tradicionale si “Onufri”, ose që më së paku pauza të shërbente për ta rikonceptuar atë, Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve i është përgjigjur me heshtje. Mediet, komuniteti i artistëve dhe publiku janë ende në pritje të një “relacioni shpjegues” të premtuar nga ana Ministria e Kulturës, ndërkohë që kuratorja dhe studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka, si njohëse e mirë e situatës artistike dhe menaxhimit të Galerisë në këto 28 vite bën një analizë të mirëfilltë rreth shkaqeve që çuan në degradimin të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore që mban emrin e ikonografit të mesjetës. Kuka vë theksin në faktin se Tirana ka vetëm një galeri shtetërore dhe një universitare.Për këto 28-të vite Qeveria dhe bashkia e Tiranës duhet ta kishte ngritur Galerinë e Qytetit dhe një Galeri të Artit Bashkëkohor siç kanë bërë vendet e tjera të rajonit”, shprehet ajo në këtë intervistë për “Shekullin”. Kuratorja tregon se GKA duhet të ekspozojë veprimtari të nivelit të lartë si ajo e Edi Hilës. “A ndodhet një krijimtari e tillë në Shqipëri? Natyrisht që po”…

Zonja Kuka, gjatë këtij viti në Galerinë Kombëtare të Arteve janë çelur vetëm 3 ekspozita. A mendoni se janë të mjaftueshëm këto 3 aktivitete, përsa i përket vizitorëve?

Më parë më lejoni t`u rikujtoj se institucionet GKA dhe “Onufri” nuk vijnë nga një botë e zbrazët, por kanë një ecuri mes përpjekjesh për ndryshim nën shkëmbime idesh të rrymave herë regresive, herë pozitive, ku në çdo rast ndërhyn kahu politik. Këto situata u ndërtuan në mjedisin e ndryshimeve të mëdha politike, kulturore, ekonomike dhe artistike. Trashëgimia artistike tregoi se metoda e realizmit socialist nuk ishte thjesht një stil krijimi, por ishte një ideologji e mbarështimit të një individi, ku artisti dhe njeriu i ri jetuan bashkë. Ndryshimet e reja përfshinë më parë botëkuptimet dhe edukimet e sistemit njerëzor, i cili luftoi për pastrimin brenda llojit.  GKA ka kaluar kohë të mbara dhe të mbrapshta. Ka pasur kohë të mrekullueshme kur departamenti i studimeve ishte pjesë e rëndësishme e përcaktimit të agjendës së GKA; pjesë e studimeve, intervistave me artistë shqiptarë të traditës, modern dhe bashkëkohorë; intervistave me artistë dhe kuratorë të huaj. Pjesë e kurimeve të “Onufrit” e “Marubit” dhe përfshirjes në çështje kërkimore në programet e edukimit të lidhura me publikun. Kam qenë kritike e asaj kohe kur gëlonte populizmi apo çelja e tri ekspozitave në ditë; kritike ndaj ekspozitave me iniciativë nepotike dhe propagandistike, që do të thotë se hapja e saj kryhej me urdhër nga administrata e lartë shtetërore apo nga vetoja e drejtuesit; kritike ndaj një bordi artistik, i cili i shpesh herë ishte i pafuqishëm të arsyetonte mbi zgjedhjet e propozuara; kritike, që propozimet e departamentit të studimeve të veprave të artit, quajtur i edukimit përmes kulturës kalonin në heshtje dhe në indiferencë nga Bordi Artistik. Në këtë vit 2018 janë çelur tri ekspozita, dy tejet profesionale dhe e treta paksa konfuze edhe pse cilësisht e pastër. A janë pak tri të tilla? Po të nisem nga vizitorët, nuk janë një e dhënë përcaktuese, për një institucion ekspozues në Tiranë. Lloji, drejtimi artistik dhe edukimi përcakton numrin e vizitorëve. Një art bashkëkohorë ka vizitorë të paktë. Një art klasik ka radha të mëdha vizitorësh. Mendoj se tri ekspozitat janë OK, por janë pak në krahasim me traditën, ku hapeshin 10 apo më tepër ekspozita në vit. Tirana ka vetëm një galeri shtetërore, një galeri universitare, një sallë kryeministrore, një sallë muzeu me pagesë, dy apo tre galeri të vogla arti private, do të thotë se kemi një situatë të mangët në infrastrukturën e cilësisë ekspozuese. Kushtëzimi i numrit të ekspozitave në GKA varet nga buxheti financiar dhe kapaciteti njerëzor i specializuar i politikave ideologjike – kulturore të shtetit mbi artin, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me vizionin manaxherial të drejtuesit të saj. Deri më sot çdo drejtues i GKA-së ka shpalosur një vizion vetjak të orientuar, i cili është i lidhur ngushtësisht me politikat ideologjike. Pavarësisht vizionit të çdo titullari, në çdo ndryshesë katër vjeçare, ai mbetet i varur prej tyre. Ndërkohë, në një shoqëri të hapur, ai duhet të jetë i varur nga politika artistike ekspozuese të lidhura me artin gjithëpërfshirës kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. A ndodh kjo sot? Mendoj se po, pasi tri ekspozitat tregojnë cilësi. A janë pak? Mendoj se po.

Artistët vendas shprehen se tanimë ndjehen të përjashtuar nga Galeria Kombëtare si institucion. Si do ta komentonit ju këtë ?

Në çdo segment kohor të ekzistencës së GKA-së ka pasur grupe artistësh të përjashtuar dhe shkak kryesor ka qenë vizioni nepotik dhe politik, më pak manaxherial e aftësi e individit. GKA, në vite, me politikat e ndjekura, në sytë e grupeve të ndryshme të artistëve, është parë si një institucion përjashtues. Së pari, para viteve `90-të, GKA ka qenë vendi ku ekspozonin profesionistë dhe diletantë. Dhe kjo bëri të krijohej një amalgamë keqkuptimesh në publik, i cili i bënte bashkë profesionistin me amatorin. GKA-së nga viti 1990 i`u desh të bënte ndarjen përfundimtare me amatorët dhe diletantët. Ata i`u turrën GKA-së se po i përjashtonte. Së dyti në sfondin artistik u duk arti bashkëkohor, i cili kërkonte të edukonte publikun me botëkuptimin e vet të ri. Në këtë arsye lindën konflikte të ashpra ndërmjet GKA-së me artistët tradicionalë dhe modernë, që po i përjashtonte nga agjendat e ekspozimit. Ndërkohë që ekspozoheshim pa ndërprerje punime të realizmit socialist. Dhe kjo, në kohët demokratike solli “gabimet” e para të GKA-së, e cila edhe sot, edhe pse ekspozon një art të selektuar thellësisht kah bashkëkohorja, përsëri konfliktin me misionin e vet, që ka si qëllim të ruajë, konservojë, restaurojë dhe ekspozojë vlerat kombëtare të artit tradicional, i cili është më shumicë, si dhe modern apo bashkëkohorë, që është i pakët në fondin e saj. Kjo atmosferë sjell përsëri mendësinë e të ndjerit të përjashtuar nga agjenda e GKA-së të një pjese të mirë të artistëve shqiptarë, pasi fakti i hapjes së vetëm tri ekspozitave të drejtimit bashkëkohorë është real. Së treti, nëse aso kohe, që fillimherës së viteve 90-të, politikat kulturore do t`i jepnin rëndësi infrastrukturës ekspozuese, duke e mbështetur financiarisht GKA-në si një mjedis tradicional dhe modern, si dhe të ndërtonin një galeri të re, ku artistët bashkëkohorë dhe alternativë të ekspozonin artin e tyre, sot grupe artistësh nuk do të ndjeheshin të përjashtuar, por të selektuar në mënyrë profesionale. Për këto 28-të vite Qeveria dhe bashkia e Tiranës duhet ta kishte ngritur Galerinë e Qytetit dhe një Galeri të Artit Bashkëkohor siç kanë bërë vendet e tjera të rajonit.

A duhet të këtë më shumë ekspozita cilësore si psh. ajo e Edi Hilës?

Absolutisht po! Dhe pse mos? Kam mendimin se jo çdo kush mund të ekspozojë në GKA dhe se GKA duhet të produksojë veprimtari të nivelit të lartë, siç ndodhi me ekspozitën e artistit Edi Hila.  A ndodhet një krijimtari e tillë në Shqipëri? Natyrisht që po. Dhe GKA-së i duhet të sistemojë stafin e kuratorëve, sinior kuratorëve dhe konservatorëve, qofshin specialistë të huaj, që të nxisin rritjen e specialistit shqiptar. Tashmë ka artistë shqiptarë të rinj e në moshë; në disa drejtime e stile krijuese; të rritur e të formuar mirë, të cilët kanë një vizion, një strukturë, një bosht krijues, koncepte të qarta, kanë dinjitet artistik. Ata duhet të përzgjidhen nga GKA dhe t’u afrohet i gjithë shërbimi profesional.

Problemi kyç si për publikun ashtu edhe për artistët ngelet mungesa e informacionit. Drejtuesi aktual i GKA-së, po i mohon vazhdimisht publikut dhe medieve të drejtën për informim. Si do ta komentonit ju një qëndrim të tillë?

Mendoj se çdo institucion, me specialistët përkatës që zbatojnë pikë për pikë parimet e ligjit në fuqi për informimin, është i detyruar të informojë. Pyetja që shtroni merr përgjigje vetëm nga instanca më e lartë shtetërore, që kontrollon dhe udhëzon institucionin në varësi, që në këtë rast është Ministria e Kulturës. Nëse Drejtuesi aktual i GKA – së nuk informon mediat është ajo e detyruar të pohojë arsyet pse ndodh një gjë e tillë. Mos harrojmë që KM i quan mediat “kazan” dhe ndoshta?Ekspozita  ndërkombëtare “Onufri”, një nga aktivitetet më të mëdha dedikuar artit pamor për më shumë se dy dekada, është mbyllur në heshtje. Pse? Ndërkohë që nuk ka asnjë deklaratë lidhur me këtë as nga Ministria e Kulturës apo drejtuesi i GKA-s (edhe pse është pyetur). Mua nuk më befason as një ndërmarrje e tillë. Nuk është hera e parë, që mbylljen veprimtari në GKA. Po i`u kujtoj se me urdhër të X- drejtor u mbyll veprimtaria mbi fotografinë “Marubi”, e cila u zëvendësua me veprimtarinë “Qeramika” dhe më pas “Marubi” u hoq përgjithmonë nga axhenda e GKA-së. Mendoj se ishte një kohë që “Onufri” ndikoi për një aktivizim të gjallë të artistëve të rinj e në moshë, që kultivuan koncepte të reja dhe domethënëse, të përshtatur dhe të lidhur me sistemin aktivist të koncepteve të artit që gjeneronin ide në kohësinë tonë. Ato u kthyen në figuracione qëmtuese dhe inteligjentë, ku sarkazma dhe provokimi mbi fenomenet ngërthehej në vizione figurative. Më pas erdhi një kohë që “Onufri” tregoi se e kishte përmbushur qëllimin e tij, pasi filloi të degradojë pak e nga pak. Le të thuhet kjo. Mos të ketë tërheqje të pazëshme. Nuk është aftësi të mos flasësh, për një gjë që nuk shkon. Le të thuhet me zë si nga Drejtori aktual ashtu dhe nga Ministria e Kulturës me argumente se: nuk mbështesin një veprimtari, e cila profesionalisht nuk arriti të zhvillohet ashtu siç duhej.

“‘Onufri’ u nepotizua, i përkiste kuratorit dhe artistit mik”

Pse degradoi kjo ekspozitë?

Kjo ndodhi më parë nga vet institucioni GKA, i cili nuk zbatonte as rregulloren e veprimtarisë. Ajo, përmes Drejtorit dhe Bordit artistik e përcaktonte emrin e kuratorit me vonesë dhe ai nuk kishte kohë të njihte sistemin e artit në Shqipëri. Ai, më pas zgjidhte në mënyrë të rastësishme apo të improvizuar veprat e artistëve, që shpesh herë nuk lidheshin me konceptin kuratorial. Le të thuhet që “Onufri” humbi rëndësinë e tij, sepse filloi t`i kishte përherë e më të pakta kontaktet me artin më të thekshëm e më të njohur bashkëkohor në rajon, Europë dhe botë. Le të thonë se “Onufri” doli nga sistemi aktiv i një arti në aksion që lëviz e ekspozohet kudo në botë. Le të pranojnë se “Onufri” u nepotizua, u kthye në një grup artistësh që i përkiste kuratorit dhe artistit mik, shok apo të njohurit. Mos harrojmë se “Onufri” prodhoi fenomene të tilla të dobëta, si: nga kurator i “Onufrit” në Tiranë, bëhej artist fitues i çmimit “Mulliqi” në Prishtinë.

Si e shikoni kyçjen e “Onufrit”, për më tepër në këtë mënyrë?

Mënyra s`ka rëndësi, fakti që është mbyllur po. Nuk mendoj se është gjë e mirë që një veprimtari e tillë mbi 20-vjeçare të mbyllet. Nuk është dështim i artistëve, është dështim institucional, jo i ditëve tona apo i drejtorit aktual, por i një institucioni politik kulturor, që kalbi pak nga pak qëllimin e misionit të “Onufrit”, si dhe pak më gjerë. Më vjen keq. “Onufri”, në ditët e sotme, mund të shpëtonte. Së pari duhet dashamirësi ndaj formës së tij, përkushtim serioz nga ana e stafit drejtues të GKA-së dhe besim i Ministrisë së Kulturës ndaj GKA-së, besim i cili përkthehet në mbështetje financiare. Kyçja e “Onufrit” ka trokitur kohë më parë dhe ky fakt i përket aftësive shterpë të politikave kulturore. Dhe mos më keqkuptoni këto politika përfshijnë të gjitha kahet politike.

Çfarë propozoni ju për të dalë nga gjendja ku është arti pamor shqiptar sot?

Bëj pjesë në ata persona që beson se në kapitalizëm shteti nuk e mbështet artin 100%, por bëj pjesë në ata persona që shteti përmes sistemit të taksave mbështet arritjet më të mira të arteve pamore, për të qenë më pas vlerë të trashëgimisë kulturore kombëtare. Për kohën dhe kushtet në të cilat jetojmë, nuk mendoj se arti pamor është në një gjendje të vështirë mbijetese. Aspak. GKA apo Muzeu i Artit, edhe pse me tri ekspozita, shpalli ndryshimin thelbësor që i bëri institucionit. Solli ekspozita të plota vetjake, të organizuara me cilësi të lartë, ku do të veçoja diskutimet në publik të artistit. Grupi i pedagogëve të Universitetit të Arteve është ende në vijimin e veprimtarive të suksesshme, ku ekspozimi, esetë, bisedat dhe temat tregojnë për një ndryshim cilësor të kontaktit të tyre me studentët dhe më gjerë me publikun. Galeria “Kalo” ka investuar me sukses në çeljen e ekspozitave të artit modern. Në sallat e Muzeut Historik hapin ekspozita grupe të artistëve tradicionalë, pjesëmarrëse në koloni, si dhe ekspozojnë krijimtari individuale. Po jetojmë një kohë e cila ka bërë dhe vazhdon të bëj shoshitjen e nivelit të individit si artist dhe të grupeve të artistëve. Koleksionistët ekzistojnë dhe janë bërë faktor i rëndësishëm. Jemi një vend periferik, ku artistët e rinj kundërshtojnë në thelb të vjetrit. Jetojmë në një atmosferë ku artet pamore ecin me hapa të ngadalta, ku diskutimi rreth tyre po pëson ndryshesa esenciale. E gjithë kjo na bën të gjendemi në një situatë ku shohim qartë vlerat nga antivlerat në artet pamore. Shohim dhe dallojmë qartë cili është artisti i formuar, imagjinativ, produktiv dhe origjinal; dallojmë artistin përshkrues, meditativ dhe riprodhues të natyrës, si dhe prekim punime të “artistit” amator dhe “artistit” megaloman, që tenton të mohojë. Pyetja që shtroni duket si e “parregullt”, sepse arti është një veprimtari private dhe vetjake. Artin e zhvillon, e shpëton dhe e afron tek publiku vetëm edukimi i shoqërisë dhe në këtë pikë shteti përmes programeve luan një rol të rëndësishëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet