Kur ikte për të qëndruar përgjithnjë

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Abdurahim Ashiku

Ai sot do të ishte 72 vjeç e 97 ditë. Moshë e re për një krijues të madh, një studiues të madh të çështjes arvanite, një njeri të dashuruar pas arvanitasve, gjini e gjak i të cilëve ishte. Nuk është. 17 vjet të shkuara, më 13 tetor 2000, ai iku. Grekët kanë një fjalë ngushëlluese në raste të tilla, nuk thonë “vdiq” por “IKU”. Aristidh Kola IKU fizikisht për të qëndruar midis njerëzve shpirtërisht, me fjalën e tij të ëmbël, me tonin e veçantë të një avokati të një çështjeje madhore të asaj që lidhej me “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëve”, vepra madhore e tij, vepër që sikur të kishte jetë do ta pasonte  “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane”.

E kam takuar më 4 shkurt 2000 në një mjedis shqiptarësh kur ai do të referonte me kompetencën e një shkencëtari të shkencave historike temën “Arvanitasit dhe kontributi i tyre në kishën ortodokse“. E fotografova tek fliste dhe midis njerëzve. I dhashë disa pyetje në shqip për të marrë disa ditë më vonë përgjigjen në zyrën e tij. E fotografova tek më lexonte përgjigjen. Një shok i tij më bëri nderin duke më fotografuar bashkë me të. Aristidh Kola Iku. Thonë se në pamundësi të prerjes së fjalës së shkruar e të gojës brisk në ditët e mëdha të betejës së kosovarëve për liri e dinjitet, atë e helmuan. Nuk e di. Nuk mund ta them për t’u bashkuar me ata që e thonë në gjysmë zëri. Një gjë ama, shkëputur nga biseda me të mund ta shkruaj në korsiv.

Për sa  i përket  “Betejës së Kanaleve“, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm  për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm  me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis (jokompozitori), Dhimu e të tjerë.

Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh  “kokën në torbë“. Më 2 gusht të vitit 2013 pata nderin të marr në tubimin qendror “Ditët e diasporës” çmimin postmortum që Ministria e Diasporës të Republikës së Kosovës u jep çdo vit njerëzve për veprën e madhe në shërbim të çështjes shqiptare.

Në certifikatë shkruhet: Z. Aristidh Kola (Post mortum) Për kontribut të veçantë jetësor. Prishtinë, më 2 gusht 2013. Ibrahim Sh. Makolli, Ministër. Çmimi ka mbetur në bibliotekën time. Me gjithë përpjekjet e shumta nuk kam arritur t’ua dorëzoj njerëzve që ai i donte dhe shpresonte se do ta vazhdojnë veprën e tij. Mjerisht ata kanë heshtur. Dhe bashkë me të ka heshtur edhe shoqata Arvanite “Marko Boçari”.