Kur ëndrrat bëhen realitet, Petrit Kozeli takon Papa Françeskun

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Këpucari shqiptar që ka kontribuar në Itali për të ndryshuar paragjykimet për shqiptarët rrëfen emocionet pas takimit me Papa Françeskun. Petriti është njohur për mesazhet kuptimplote të bëra popullit italian, nëpërmjet artit të bërjes së këpucëve me ngjyrat e flamurit italian

Shumë emocione të forta dhe të bukura e kanë pushtuar përsëri Petrit Kozelin, shqiptarin e Italisë dhe italianin e Shqipërisë që prej 26 viteve ndodhet në Mantova të Italisë. Në javën që lamë pas, ai është takuar me Atin e Shenjtë Papa Françeskun në Vatikan.

“Emocionet janë akoma sot të papërshkueshme, që të jesh i ftuar në atë sallë, një nga më të bukurat dhe të rëndësishme në Vatikan. Jam nderuar me nderimet nga më të larta dhe kam pasur shumë emocione, por kjo i kalon të gjitha nderimet dhe emocionet. I kam akoma brenda vetes time me po të njëjtën forcë”, shprehet për “Shekulli”-n Kozeli.

Gëzimet kanë tonalitetet e tyre të ndryshme, ato edhe pse bëjnë pjesë në të njëjtën familje, dallohen nga forca e emocionit, që në rastin konkret arin kulmin e bukurisë dhe të papërshkrueshëmërisë së tyre. Por për të shpjeguar bukurinë dhe emocionet e këtij takimi kujtojmë lexuesit, që ai punonte në Shqipëri, si fotograf dhe me vajtjen në Itali me familjen për të kuruar djalin e tij detyrohet të bëjë punë të ndryshme, deri sa të arrij në profesionin e këpucarit.

Familja Kozeli vinte në Itali nga një ateizëm i shtetit dhe nëpërmjet kishës ata njohën “Zotin”.

Petriti në Vatikan, ishte i ftuar në një nga sallat më të rëndësishme dhe më të bukura të saj, salla “Klementine”, nga Federata e gazetarëve të shtypit katolik të Italisë, si bashkëpunëtor fotograf për gazetën “Cittadella” në Mantova.

Ati Shenjtë u dha dorën një nga një të gjithë të pranishmëve. “Emocionet për mua u rriten hap pas hapi, ndërsa më afrohet Atit Shenjtë, më bllokohet mendimi i të shprehurit”. Mendimi nëse do të arrijë të shprehet përpara Tij e fusin në një panik të madh. Por ngrohtësia e dorës dhe buzëqeshja e tij i jep mundësinë Petritit që ta falënderoj me fjalët: “Ati Shenjtë, dëshiroj të falënderoj kishën katolike nëpërmjet Juve, që më njohu me Zotin, në pamundësi të për ta njohur më parë për shkakun e një ateizmi shtetëror në Shqipëri”.

Dhe Ai me një buzëqeshje të ëmbël i drejtohet duke i thënë: “Kjo është një dëshmi shumë e bukur”

Në krah të Atit të Shenjtë ndodhet dhe Presidenti i të gjithë testatave gazetareske monsinjor Giorgio Zuçhelli, i cili ndodhur në krahë të Atit të Shenjtë, shprehet: “Vërtet kjo është një nga dëshmitë më të bukura, të lumtë”.

Mediet italiane

Drejtori i gazetës “Cittadella” i kishte premtuar Petritit se do të bënte të pamundurën, që do ta takonte Papa Françeskon, kështu do të mund t’i tregonte edhe atij, historinë e tij me të vërtetë të pabesueshme. “Në “Cittadella” të 29 tetorit të kaluar, në këtë rubrikë, kisha përshkruar bisedën me Petrit Kozelin, këpucarin e rrugës Orefici në Mantova, i cili nga ateizmi që kishte shteti shqiptar asokohe kishte kaluar në fenë katolike. Një histori e bukur, por njëkohësisht prekëse për të gjithë. Ndonjëherë ëndrrat realizohen, sepse, në 16 dhjetor, Petriti ka mundur të takojë Papa Françeskon për t’i treguar drejtpërsëdrejti atë çka mrekullisht ka ndodhur në jetën e tij. Ai ishte me mua në pritjen e gazetarëve në sallën “Clementina”, në Vatikan: e kisha prezantuar si fotografin e “Cittadella”, pasi Petrit, prej disa javësh, është angazhuar të kryejë këtë shërbim.

Pavarësisht se Papa ishte në dëgjesën e tij të gjashtë këtë mëngjes, në fund ka dashur të përshëndesë personalisht 400 të ftuarit që gjendeshin në sallë. Dhe më në fund erdhi moment i shumëpritur i Petritit. “Emocionet ishin kaq ë forta, -shpjegon- saqë kisha frikë se mos bllokohesha dhe nuk do dija më ç’të thoja. Por pastaj buzëqeshja e Françeskos më dha kurajë që të flisja”… Para se të largohej Petriti ka dëgjuar fjalët e don Giorgio Zuçhelli, presidentin e “Unione Stampa” e përditshme italiane, që përsëriste fjalët e Papës: “Kjo është me të vërtetë një dëshmi shumë e bukur”. Gëzimi i Petritit ishte i madh, emocione të cilat ai ka dashur t’i regjistrojë në celularin e tij, duke shqiptuar fjalët “Një emocioni papërshkrueshëm”, “Nuk do të kisha menduar kurrë se një ditë do të mund të takoja Papën: sot ëndrra ime u realizua”, “Dita më e bukur e jetës sime”.

Pasi u kthye në Mantova, Petriti e ka ndarë gëzimin e tij me bashkëshorten Zhuljetën dhe të birin Eltjon, bashkë me të cilët janë transferuar në Itali në 1991-shi, kur Eltjoni asokohe fëmijë kishte nevojë për kura pasi vuante nga bronkiti azmatik. Në kishën e “San Spirito”, në rrugën Vittorine da Feltre, për Petritin ka lindur shkëndija e gjithë bisedës: fillimi i një rrugëtimi që, në prill të vitit 1998, gjatë vigjiljes së Pashkëve, e bëri që të kryejë ritualin e Pagëzimit së bashku me Zhuljetën pikërisht në atë kishë. Vitin e ardhshëm bëjnë plot 20 vjet. Ndërkohë Petriti është ndjerë “I konfirmuar në besim, shkruan Giovanni Telo.

Petriti ka shumë kohë që njihet nëpërmjet shtypit jo vetëm nga publiku shqiptar dhe italian, por edhe nga ai gjerman dhe australian. Janë me dhjetëra e dhjetëra artikuj të ndryshëm të publikuara në kohë të ndryshme për të. Ai me mënyrën e tij të thjeshtë të komunikimit ka bërë që të duhet dhe të respektohet nga të gjithë.

Petriti është njohur jo pak në atë vend për mesazhet kuptimplote të bëra popullit italian nëpërmjet artit të bërjes së këpucëve me ngjyrat e flamurit italian. Nëpërmjet tyre, ai shpreh respektin dhe mirënjohjen kundrejt atij populli që e mirëpriti. Këto këpucë i dhurohen Presidentit të Italisë me një mesazh inkurajimi: “Le t’i mbathim për një ecje të një Italie më të mirë dhe më me shpresë”.

Presidenti nuk heziton që ta falënderoj Petritin me letrën e tij dhe pas 15 ditësh i jep atij një nga titujt më të lartë të Republikës “Cavaliere al Merito della Repubblica Italiana”. Por nuk ndalon aty, sepse dashuria për mëmëdheun dhe popullin e tij është dhe do të mbetet e pazëvendësueshme. Ai realizon edhe një palë këpucë me ngjyrat e flamurit shqiptar dhe kësaj radhe ia dhuron Atit të Shenjtë Papa Françeskut me një mesazh të bukur paqeje: “Le të ecim së bashku…”.

Mbi këtë gjest ai u kërkon të gjithë gazetarëve: “Ju nuk duhet të fokusohemi dhe t’i jepni vlerë autorit të mesazhit, sepse vlera më e madhe është që populli shqiptar i dërgon një mesazh paqeje të gjithë popujve të botës nëpërmjet Atit të Shenjtë… Le të ecim së bashku drejt paqes”. Për këtë Ati i Shenjtë e ka nderuar shqiptarin me një letër falënderimi.

 

Letra e Atit të Shenjtë

“Realizova këpucët me shqiponjën e flamurit shqiptar, që t’i vendosja pranë këpucëve italiane! I shoqërova këto këpucë, për mua të veçanta, me një mesazh të thjeshtë, por shumë kuptimplotë: “Të ecim së bashku…”. Kështu Kozelit i lindi ideja, që t’ia dërgonte këto këpucë edhe Atit të Shenjtë, Papa Françeskut për njëvjetorin e vizitës së tij në Shqipëri (2016). Përgjigja e tij ndaj dhuratës simbolike do të vinte me një letër që emocionon pa masë. “Ati i Shenjtë falënderon për mendimin delikat dhe për ndjenjat që e kanë shtyrë, dhe i kërkon që të lutet për Personin e Tij dhe për shërbimin e Tij ndaj Kishës, kërkon ndërmjetësimin e Virgjëreshës së Shenjtë për t’ju dërguar përzemërsisht Juve, familjarëve dhe personave të shtrenjtë për ju Bekimin Apolistik, si një premtim i çdo të mirë të dëshiruar në Zot”. Kozeli mban një nga titujt më të lartë të Republikës, atë të “Cavaliere dell’Ordine al Merito della Repubblica Italiana”.

Titulli “Cavaliere dell’Ordine al Merito della Repubblica Italiana”

Kozeli këto këpucë ia ka dhuruar dhe Presidentit të Republikës Italiane, Giorgio Napolitano-s. Për këtë Prefektura e Mantovës i ka shprehur mirënjohjen për idenë dhe mesazhin plot vlerë, dukë u bërë ndërmjetëse, që këto këpucë së bashku me artikullin e publikuar të vendosura në një kuti peksiglasi transparent, për mesazhin që mbartnin, t’i dorëzoheshin Presidentit. Pas 4 ditësh (16 Maj të vitit 2014), në postën e shtëpisë së tij vjen një letër nga jo më pak, por Presidenti i Italisë, i cili e falënderoi për gjestin fisnik. Plot 15 ditë pas letrës së Presidentit, Kozelin e nderojnë me një nga titujt më të lartë të Republikës, atë të “Cavaliere dell’Ordine al Merito della Repubblica Italiana”.

Biografia

Në Shqipëri Petrit Kozeli ka punuar si fotograf, mirëpo jeta e bëri që të merrte vendimin për t’u larguar së bashku me familjen e tij në Itali. Në vitin 1991 vendoset në Mantova, ku jeton dhe sot e kësaj dite. Ka punuar në 6 vitet e para, punë nga më të ndryshmet duke filluar, si pjatalarës, kamerier dhe punëtor mekanik. Më pas filloi të punoi, si këpucar në një supermarket, ku përpos kësaj bënte edhe çelësa, ndërrime pilash për orët, për gati 10 vjet. Me dëshirën për t’u përmirësuar, kur kishte një orë të lirë në dispozicion vraponte te një këpucar i vjetër në zanat. Falë ndihmës së këpucarit italian dhe pasionit të tij për të mësuar, u bënë 6 vjet që Petriti punon si artizan.