Kur ambasadorët “harrojnë” statusin

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Genc Mlloja

“Serbia nuk ka ndryshuar pozicion dhe as ka qëllim ta bëjë. Kosova për Beogradin zyrtar është pjesë e Serbisë dhe do të vijojë të mbetet e tillë.” Deklarata është e cituar si pjesë e një artikulimi të ambasadorit serb në Tiranë, Miroljub Zariç, gjatë një vizite në komunitetin Serbo-Malazez në Shkodër, Shqiperia veriore, në kufi me Malin e Zi e Kosovën, me rastin e Krishtlindjes Ortodokse, në 8 janar 2018. “Pozicioni i Serbisë është shumë i qartë. Për ne Kosova dhe Metohia është pjesë e territorit të Serbisë dhe nuk ka mundësi realiteti për të pranuar pavaresine e Kosovës. Kosova dhe Metohia ka qenë Serbi, akoma është dhe do të vazhdojë të jetë Serbi në të ardhmen”.

Askush nuk e vë në dyshim çfarë mbart ky qëndrim ‘pasionant’ i Beogradit zyrtar për Kosovën, e aq më shumë i bërë para vrakaçorëve, patriotëve të mi shkodranë në Shqipëri. Mirëpo në diplomaci ka edhe një ‘gjuhë’ tjetër- të mundësisë, çka e bën këtë deklaratë të panatyrshme ta konsiderosh në përmbajtje, pathos dhe kohë. Kohë- jemi në zbatim të të ashtuquajturit ‘Procesi i Berlinit’ për Ballkanin Perëndimor dhe kryeministrja serbe Ana Brnabac, të cilën pata rastin ta intervistoj në takimin e Durrësit në gushtin e shkuar, shprehu entuziazmin e saj të bashkepunimit ballkanik të çdo shteti të rajonit.

Por deklarata nga Vraka e vënë në gojën e Ambasadorit serb në Shqipëri, Miroljub Zariç, Dekan i Trupit Diplomatik në Tiranë, duket se ka kaluar disa kufij që ai, edhe në kohët më të këqija, (sillet në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash), nuk i ka tejkaluar kurrë; përkundrazi si diplomat veteran ka vazhduar t’u tërheqë vëmendjen kolegëve të vet miq për statusin e diplomatit në një vend tjeter-mosndërhyrje në punët e brendeshme. Është diplomat i vjetër me punë në vende ‘delikate’. Madje ai është diplomat i karrierës e i nderuar edhe nga klasa politike shqiptare për maturinë e tij!

Por në Vrakë, duke dale çuditërisht nga detyra e tij diplomatike, artikulime të tilla kanë qenë të pazakonta të bëra publikisht. E kjo më ka bërë të hamendësoj nëse i ka thënë apo jo vetë ai gjate vizitës në çfarë quhet komuniteti serbo-malazez në Shkodër me rastin e Krishtlindjes Ortodokse. Mbi të gjitha këtu ka ambasador malazez dhe z. Zariç duhet të ketë vënë në siklet kolegun e tij duke folur edhe në emrin e malazezëve në Shqipëri! Siç kam mësuar, Z. Zariç u paska thënë vrakaçorëve e padrigaçanëve në Shkodër, prej nga jam, se njohja e Kosovës nuk është kusht i Brukselit për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian. “Serbia është shtet sovran dhe ka qeverinë e saj, Kuvendin e Presidencën dhe pozicioni i saj është shumë i qartë”.

Fjalim për në Bruksel ky i Zariç në këtë rast, por jashte natyrës së tij (kjo është punë e kulisave të atij klubi), dhe jo për në Vrakë e banorët atje, që megjithë jetën e vështirë në kohën e rregjimit komunist para viteve 90, e provuan aventurën serbe kur u turrën në vendin fqinj për një jetë më të mirë më 1992; për fatin e keq të tyre s’i mirëpriti askush. Përkundrazi, ata me fëmijë e katandi rigjetën shtëpitë e pronat e tyre në Shqipëri. E për këtë jam dëshmitar i atyre kohërave! Askush nuk ua kishte prekur këtu në atdhe. Përkundrazi, ua kishin ruajtur. Mirëpo tash ambasadori Zariç, siç kam mësuar nga media, i paska paralajmeruar vrakaçorët se marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë nuk duhet të ndikohen nga ato mes Prishtinës dhe Beogradit, duke përshëndetur ‘miratimin e ligjit për minoritet në Kuvendin e Shqipërisë’.

I bindur se Ambasadori serb është jo vetëm profesionist në detyrën e tij, por edhe shumë njohës i çdo ‘pike’ në këtë vend, kur përshëndet ligjin për minoritetet në vendin tim të jetë elegant dhe i arsyeshëm të vetëpërmbahet në kumtesa përballë genocidit gjakatar ndaj popullit të Kosovës; nuk ka orë, ditë, muaj, vite e shekuj t’i ‘lajnë’ bashkëpatriotët e tij serbe me satrapin e Ballkanit Millosheviç në krye për makabritetet që kanë bërë në Kosovë. Z. Zariç, që i përket, çfarë dua të mendoj, pjesës humanitare të popullit serb, në këtë rast në Vrakë, e jo në kufi me Serbine, por me Malin e Zi, nuk ngurroi të sfidojë Tiranën zyrtare me ato prononcime kur ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ishte i ftuar në Beograd për të forcuar ‘miqësinë’. Normalisht nga ana diplomatike z. Bushati nuk duhet të shkonte… Si mbyllje, vrakaçorët e padgriçanët në Shkodër janë tejngopur me banalitetet serbe, madje edhe mund të pyesin pushtetarët e vet shqiptarë se a ka kufi ‘sovraniteti’ serb mbi Kosovën e pavarur… Madje edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të tyre.