Kupa e Shqipërisë, spikat dueli Kukësi-Tirana

Tjetër duel i rëndësishëm që do të diskutojnë kualifikimin për në gjysmëfinale është sfida mes Partizanit dhe Flamurtarit në “Selman Stërmasi”

Këtë mesjavë do të rikthehet Kupa e Shqipërisë ku do të zhvillohen ndeshjet e kthimit për të mësuar skuadrat që do të kualifikohen në turin tjetër të këtij kompeticioni. Ndeshja më interesante është ajo mes Kukësit dhe Tiranës. Dy skuadra emblemë të futbollit shqiptar. Favorit për të kaluar më tej është skuadra e Kukësit për shkak  se e favorizon rezultati i takimit të parë në “Selman Stërmasi” ku sfida përfundoi në barazim 1-1 falë një goli në fundin e takimit të sulmuesit Guri. Veri-lindorët nuk fitojnë në shtëpi që prej tetorit të vitit të kaluar dhe kjo është një tjetër sfidë për skuadrën e teknikut Peter Pakult. Humbja në fundjavë ndaj Kamzës i ka trazuar jo pak ujërat në shtëpinë e kampionëvë në fuqi të Shqipërisë.

Tirana nga ana tjetër nuk do të udhëtojë në Kukës për turizëm pasi bardheblutë kanë si një objektiv të rëndësishëm fitimin e Kupës së Shqipërisë çka do t’i kualifikonte ata direkt në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë po kalojnë një moment shumë të mirë në kampionat pasi udhëheqin Grupin B dhe ngjitja në elitën e futbollit shqiptar është thjeshtë çështje kohe për kryeqytetasit. Një tjetër takim shumë i rëndësishëm do të zhvillohet mes Partizanit dhe Flamurtarit në “Selman Stërmasi”. Takimi i aktit të parë përfundoi me fitoren e vlonjatëve me shifrat 1-0 falë një goli të shënuar nga sulmuesi brazilian Danilo Alvesh. Në këtë takim skuadra e Partizanit nuk ka se çfarë të humbasë pasi rezultati nuk flet në favor të të kuqve.

Vështirësitë në kampionat për të kapur një vend që të kualifikon në Kupat e Europës bën të mundur që kryeqytetasit të shohin triumfin në Kupën e Shqipërisë si urë lidhëse për të kaluar në Kupat e Europës. Skuadra e teknikut Sulejman Starova po zhvillon një nga sezonet më të dobëta në vitet e fundit dhe skuadra e ka humbur hijeshinë e sezoneve më parë. Partizanin në këtë takim do ta drejtojë zv.trajneri Klevis Dalipi për shkak të pezullimit të Sulejman Starovës. Partizani pritet të ketë një problem të madh në këtë ndeshje, mungesën e tifozëve.

Tifogrupi “Ultras Guerrils” kanë bojkotuar të gjitha ndeshjet e të kuqve pasi nuk pranojnë të nënshtrohen rregullave të policisë pasi sipas tyre quhet diskriminim. Policia ka vendosur që tifozët e skuadrave të kryeqytetit të pajisen me kartë identiteti në momentin që do të hyjnë në stadium. Kjo nuk është pritur mirë nga ky tifogrup të cilët prej tre ndeshjesh kanë bojkotuar stadiumin. Nga klubi i Partizanit bëjnë me dije se drejtuesit më të lartë po bisedojnë me policinë për të gjetur gjuhën e përbashkët që tifozët të rikthehen në stadium pasi janë një ndihmesë e madhe për skuadrën.

Nga ana tjetër Flamurtarti vjen më i qetë në këtë takim pasi janë skuadra më e favorizuar për tu kualifikuar për më tej. Vlonjatët kanë treguar se janë një skuadër e fortë dhe të denjë për të sfiduar çdo kundërshtar. Skuadra e teknikut Shpëtim Duro pritet të luajë në mbrojtje në këtë takim dhe nuk përjashtohet mundësia që të testohen lojtarët që kanë pasur më pak minuta në dispozicion në këtë sezon.

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet