Kumbaro përzgjedh edhe debatuesit në studio, ja reagimi i fortë i artistëve

Publikuar më 11. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) ka reaguar ashpër kundër tentativës së Ministrisë së Kulturës për të përzgjedhur debatuesit në emisionet televizive për pr/ligjin për Artin dhe Kulturën, si dhe për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar në godinën “Turbina”.
Reagimi i SASE ka ardhur pasi Ministria e Kulturës ka refuzuar që në debatin që do të organizohej në një prej studiove televizive të ishte i pranishëm përfaqësuesi i përzgjedhur nga kjo sindikatë, madje kërkonte që ai të zëvendësohej me një tjetër emër.
Në kushte të tilla, SASE ka bërë të ditur se do të bojkotojë këtë emision, ndërsa ka ftuar ministren Mirela Kumbaro për një debat të hapur në sallën e Teatrit Kombëtar javën e ardhshme në lidhje me pr/ligjin e propozuar nga ky institucion.
“Znj. Ministre e Kulturës nuk dëshiron debatin me artistët, por manipulimin e opinionit publik me debate false.
Znj. Ministre e Kulturës duhet të kuptojë se ka perënduar koha kur vendoste Partia e Punës se kush duhej të fliste e çfarë të thoshte “në emër të masave”.
SASE nuk është departament i Ministrisë së Kulturës dhe nuk është krijuar për të qenë “rrip transmisioni i Partisë”, por avokat i artistëve në çdo konflikt që ata kanë me shtetin.
SASE i qëndron kërkesës së saj, të nënshkruar nga mbi 80 artistë dhe të mbështetur nga mijëra qytetarë, që po nënshkruajnë peticionin në Internet, për debat të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, javën e ardhshme. Ne mirëpresim znj. Ministre në debat dhe e sigurojmë se nuk do të vëmë asnjë kusht për panelin apo stafin që do ta shoqërojë atë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit.