Kulluri: Të bëhet reformim për partitë politike 

Intervista/ Ish-funksionari i PD-së, Edvin Kulluri kritika kryedemokratit Basha për politikën që ka ndjekur, duke favorizuar qëndrimin e Ramës në pushtet.  Listat e hapura do ishin një reformim “nga jashtë” i partive dhe i gjithë sistemit

Lindita Bushgjokaj     

Kriza politike në Shqipëri ka hyrë në një fazë nga e cila e vetmja që do të dalë e humbur do të jetë Shqipëria dhe qytetarët e saj. Partitë politike në Shqipëri nuk po funksionojnë, në radhët e tyre shikon njerëz me rekorde kriminale dhe procedime të tyre jashtë vendit. Nëse do të mund të ketë një bashkëpunim politik do të mund të ketë edhe një zgjidhje të krizës, e cila në vetvete është një krizë politike. Një mënyrë reformimi është edhe pastrimi i figurave tek partitë politike dhe shmangia ndaj klientelizmit në parti. Këtë mendim ka Z. Edvin Kulluri i cili nuk është më anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike.

Z. Kulluri, cilat janë mangësitë e politikës sot?

“Listat e hapura” si mekanizëm që provon mbështetjen që kanë politikanet tek anëtarësia dhe votuesit. Kjo do sillte edhe përfaqësim më të gjerë dhe reflektim për programet elektorale që mund të përfshijnë më shumë propozime qeverisëse përmes njerëzve që i artikulojnë. Listat e hapura do ishin një reformim “nga jashtë” i partive dhe i gjithë sistemit. Demokracia është përfaqësim. Nëse i kthehemi asaj se çfarë është demokracia moderne, do më duhet të bëj një histori të shkurtër. Në shekujt 17-18-të, në Angli dhe Francë, janë dy kombe të mëdha që arritën të kufizojnë pushtetin absolut të mbretit. Dhe gjithë demokracia moderne liberale nga shekulli 18-të e pas, nuk është asgjë tjetër vetëm një rrjet institucionesh për të garantuar ndarjen e pushteteve, të cilat i japin garanci individëve për të jetuar të lirë brenda komunitetit të tyre politik. Po të vijmë te partitë politike shqiptare, gjithë përpjekja masive e popullit antikomunist në vitin 90-të, ishte një përpjekje për të rrëzuar diktaturën e një njeriu dhe besnikëve të tij, që ishte Partia e Punës. Sot është e pafalshme pas 29 vitesh që të kthehemi në të njëjtat metoda, megjithëse në kushte të tjera. Pra, unë shikoj që thelbi i krizës politike në dy partitë e mëdha dhe sistemin politik është që liderët e partive tona sillen si monarkë apo si diktatorë, në një shoqëri e cila jeton dhe kërkon kushte demokratike bashkëjetese. Ky është ngërçi që kemi sot midis elitës politike, anëtarëve të partive dhe masës së gjerë të qytetarëve që e gjejnë veten të pa përfaqësuar. Është pushteti absolut Rama-Basha-Kryemadhi, për të cilën njerëzit kanë krijuar pakënaqësi ndaj elitës drejtuese politike. Sot kemi një qeverisje autoritariste të Edi Ramës, ndërsa modeli që ofron Basha është po i njëjti. Ai drejton partinë në të njëjtën mënyrë që Rama drejton qeverinë. Pra, nëse Rama nuk mban premtimet dhe përgjegjësitë, z.Basha humbet 3 palë zgjedhje dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Në qoftë se sot kemi ministra që nuk ua mësojmë dot emrin, pavarësisht se kanë 3 vite në atë karrige, në kryesinë e PD-së kemi të njëjtin problem anonimati vetëm me një qëllim: shërbim ndaj kryetarit dhe klientelizmit të tij politik. Ky është thelbi i krizës! Opozita e sotme nuk bën gjë tjetër veçse konstaton dështimet e Rilindjes pa u ofruar shqiptarëve dhe vetë demokratëve njerëz më të zotë, program më të mirë dhe moral të ndryshëm. Pra me pak fjalë, kjo është gazetari jo opozitarizëm. Jo më kot, urimin për paritë fituese në Kosovë e kam quajtur absurde, pasi këta nuk kanë asnjë të ngjashëm me atë që ka ndodhur disa ditë më parë në Prishtinë.

A mendoni se afrimi i figurave të vjetra në Partinë Demokratike është e nevojshëm në këto momente?

Unë jam një nga më të rinjtë, por e them me bindje se jam në një aktivitet të fortë brenda PD-së që nga viti 2003. Dhe sulmet që na janë bërë nga lidershipi i partisë për bashkëpunim me Edi Ramën i konsideroj qesharake. Besoj se këtu nuk kemi dyshim për integritetin e gjithë atyre zërave publik brenda PD-së. “Nuk ishin kritiket ata që bënë marrëveshje me Ramën”. Së dyti, pyetja që ngrini është e drejtë, por nuk është për ne. Kjo pyetje është për z.Basha, Kryesinë e partisë dhe Këshillin Kombëtar, sepse janë forume që drejtojnë sot partinë. Nuk e përçamë ne partinë në 2017-ën, me atë fushatë dhe lista të gabuar dhe me atë taktike mizerabël elektorale. Kjo ka qenë dhe është përgjegjësi e z.Basha. Natyrisht, që personalitet politike, njerëzit me influencë në parti nuk mund të trajtohen si anëtarë të thjeshtë të partisë. Jemi anëtarë të partisë për nga të drejtat dhe detyrimet, por jo nga përfaqësimi, pasi bëhet fjalë për njerëz me atribute të rralla politike. Ky lloj populizmi dhe masivizmi është pjesë e asaj trashëgimie shumë të keqe komuniste në Shqipëri, ku përveç liderit që është forca supreme e partisë, të gjithë të tjerët duhet të jenë të barabartë. Kjo nuk shkon. Ne kemi kërkuar garë, meritokraci dhe përfaqësim, jo për vetë, por ky model politik i funksionit të partisë duhet të shtrihet nga grup seksioni më i vogël deri në kryesinë e partisë. Nëse z.Basha i bën listat e deputetëve në 11:55 të natës në mënyrë krejtësisht personale, unë nuk e di se ç ‘vend kemi më në këtë parti. Kush i pyet demokratët e thjeshtë sot? Kush e pyet anëtarin e PD-së se ç ’mendim ka për gjithë këto çështje? Kush do mbajë përgjegjësi për katër muaj protesta, për qindra të burgosur? Dhe sot thotë pa asnjë dridhje qerpiku se “jam gati të ulem me Edi Ramën në tavolinë”. A ishte po ky njeri që nuk ulej me Edi Ramën me 30 qershor dhe që nuk do lejonte zhvillimin e votimeve?

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, thekson se Lulzim Basha nuk po e kryen si duhet rolin e opozitarit dhe se me veprimet dhe mos veprimet e tij po e mban akoma në pushtet Edi Ramën. Sipas tij, jo vetëm e djathta, por edhe partitë e tjera politike duhet t’i nënshtrohen një reformimi urgjent.

 A besoni se PS-PD do përsërisë marrëveshjen e fshehtë të 17 Majit me reformën zgjedhore?

Situata në të cilën z.Basha e ka vendosur veten me propozimin e tij aventuresk për të djegur mandatet, duke mos hyrë në zgjedhje, po penalizon gjithë opozitën në Shqipëri, jo vetëm Partinë Demokratike. Kjo është një hakmarrje shumë ironike ndaj gabimeve që janë bërë. Unë e shikoj me shumë shqetësim pamundësinë e z.Basha për ta zgjidhur krizën. Së pari, që të bëjë një reformë elektorale duhen vota në parlament. Tani, z.Basha ose duhet t’i kërkojë Rudina Hajdarit dhe deputetëve të tjerë vota, të cilët i ka shpallur armiq, ose duhet t’i miratojë këto reforma me votat e Edi Ramës. Nuk ka zgjidhje tjetër. Unë nuk e di, nëse veprimet apo mosveprimet e z.Basha kanë për qëllim që të lënë Edi Ramën në pushtet. Ky është një konspiracion, por një gjë është e sigurt: Edi Rama është në pushtet i vetëm dhe ka gjitha pushtetet. Ky është fakt. Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Bashës po mbajnë Edi Ramën në pushtet. Natyrisht që Edi Rama nuk është një adhurues i zgjedhjeve të lira, nuk është adhurues i një qeverie të ndershme dhe transparente në emër të qytetarëve, por përballë tij nuk ka një model ndryshe për ta ndryshuar qeverisjen në Shqipëri për të gjitha arsyet që thashë më lart. Nëse z.Basha mendon se fajin e kanë ndërkombëtarët, është gabim. Në të kundërt z.Basha duhet të kishte pyetur ndërkombëtarët për çadrën dhe për djegien e mandateve. Ose janë gabim ndërkombëtarët dhe këtu ka një konspiracion të madh, pasi z.Basha ka qenë një figurë e mbështetur nga ndërkombëtarët para gjashtë vitesh, ose z.Basha nuk është në gjendje të marrë parasysh gjithë faktorët politik para se të marrë vendime. Domethënë është një drejtues i paaftë që të marrë vendime për sa kohë në rrugë e sipër të gjitha vendimet e tij prishen nga ndërkombëtarët ose mungesa e mbështetjes popullore. Pra, një lider që nuk di të bëjë kalkulime, një lider që nuk di të ketë pragmatizmin e duhur për të drejtuar partinë dhe për t’i dhënë rezultate konkrete, nuk është lideri i duhur.

 A mendoni se Partitë politike e kanë të nevojshëm një vetting të figurave të tyre drejtuese dhe anëtarësisë së tyre?

Paritë politike duhet t’i nënshtrohen një reformimi urgjent. Unë jam i bindur që e vetmja mënyrë që sistemi politik në Shqipëri të dalë nga kjo krizë ilegjitime, pa përfaqësim, korrupsioni politik të brendshëm është reformimi i thellë dhe historik, të cilit duhet t’i nënshtrohet PD-ja. Unë mendoj, se partia që ka rrëzuar komunizmin në vitin 90-të, sot duhet të rrëzojë mitin e individit të fortë dhe të ngrejë mitin e individit të lirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet