Kukësi mbërrin në Antalia, Albi Dosti mbetet jashtë

Nga Klevis Deda

Trajneri i skuadrës, Peter Pacult do të testojë lojtarët që ka në dispozicion dhe më pas do të vendosë rreth emrave që dëshiron të blejë në merkato

Skuadra e Kukësit mbërriti dje në Antalia ku do të zhvillojë minifazën përgatitore pas ndalesës së kampionatit. Në ditët në vazhdim do të mbërrijnë në Turqi edhe disa lojtarë të tjerë që nuk arritën të udhëtonin me skuadrën. Janë grumbulluar dy portierët e skuadrës Enea Koliqi dhe Stivi Frashëri. Në mbrojtje nuk ka asnjë surprizë dhe tekniku Pacult ka ftuar: Ylli Shametin, Albi Allën, Rustem Hoxhën, Simo Rrumbullakun, Eni Imamin dhe Ardit Peposhin. Reparti i mesit të fushës është me problematiku në këtë sezon për skuadrën.

Në Antalia janë grumbulluar edhe lojtarë për tu testuar si: Jose Pereira De Andrade, Kevin Kumanova, Albi Koldashi, Valdrin Hallaçi, Klevis Sadiku dhe Maldin Ymeri. Sulmi përbëhet nga treshja e frikshme: Elis Bakaj, Valon Et’hemi dhe Sidrid Guri. Këta janë lojtarët e grumbulluar nga stafi drejtues i Kukësit. Bie në sy mungesa e dy lojtarëve që priten shumë prej tyre, Albi Dosti dhe Filip Osman. I pari u transferua te Kukësi pasi u përjashtua nga Teuta. Me sa duket ai nuk është në planet e trajnerit të ri, Pacult. Lojtari tjetër me origjinë serbe, Filip Osman nuk e bindi trajnerin për të udhëtuar me skuadrën në drejtim të Antalias ku skuadra do të kryejë përgatitjet për nisjen e fazës tjetër të kampionatit.

Me skuadrën nuk ka udhëtuar as malazezi Millosh Kërkotiç i cili nuk ka mundur dot të largohet nga Kukësi. Mes palëve nuk është arritur akordi për tu ndarë paqësisht nga njëri-tjetri. Sa i përket merkatos së transferimeve, Kukësi ka bërë një goditje shumë të mirë pasi ka nënshkruar me ish-futbollistin e Skënderbeut, Donjet Shkodrën. Ai ka firmosur për dy vitet e ardhme me kampionët në fuqi të Shqipërisë. Minutat e pakta që kishte në dispozicion te Skënderbeu e detyruan lojtarin të largohej nga Korça.

Ai kërkonte  të ishte protagonist me një skuadër prestigjioze. Shkodra është lojtari i shumë dëshiruar në ambientin e klubit kuksian. Objektivi i Kukësit është të ngushtojë sa më shumë diferencën me Skënderbeun kryesues dhe për këtë arsye presidenti i veri-lindorëve Safet Gjici zgjodhi në stolin e ekipit trajnerin austriak Peter Pacult. Një teknik i cili ka drejtuar shumë skuadra në të kaluarën e tij, por jo ekipe me emër të madh në arenën ndërkombëtare.

58 vjeçari ka firmosur për  Kukësin një kontratë për një vit e gjysmë. Objektivi i tij është të shpallet kampion në Kupën e Shqipërisë dhe të mbrohet titulli kampion. Gjatë prezantimit ai tha se do të mundohet me të gjitha mundësitë për të plotësuar kërkesat e presidentit Gjici. Ai vazhdon më tej duke theksuar se kërkon me ngulm të paktën dy përforcime të forta në merkaton e janarit. Kukësi pritet të ndërhyjë në repartin e mesit të fushës pasi skuadra has shumë probleme.

Nuk përjashtohet mundësia që në vijën e parë të sulmit të kemi ndonjë surprizë të mundshme pasi ndihet mungesa e largimit të Pero Pejiç i cili ishte njeriu gol te skuadra veri-lindore. Kroati ka theksuar disa kohë më parë se nuk e përjashton rikthimin te skuadra e Kukësit ku ai u shpall kampion. Marrëdhëniet e mira të tij me drejtuesit e klubit bëjnë të mundur që gjithçka mund të ndodhë. Aktualisht skuadra e Peter Pacult do të impenjohet në fazën përgatitore në Turqi ku lojtarët do të mësohen me skemat e reja të trajnerit austriak.

Të tjera

Abissnet