Kukësi dhe Luftëtari vazhdojnë blerjet

Nga Klevis Deda

Gjirokastritët mbajnë rekord në këtë merkato pasi kanë transferuar plot 9 futbollistë ndërkohë që Kukësi tenton afrimin e një sulmuesi për të përmbyllur me sukses këtë merkato

Klubet e kampionatit shqiptar të futbollit vazhdojnë të jenë shumë aktiv në këtë merkato duke kaluar të gjitha pritshmëritë. Skuadra e Kukësit po zhvillon një sezon tepër negativ dhe aspak argëtues për tifozët. Vendi i katër në tabelën e renditjes për kampionët në fuqi të Shqipërisë është një dështim që u faturua ish-trajnerit Milinkoviç. Largimi i tij solli një frymë të re në skuadër. Afrimi i trajnerit Peter Pakult duket se ka sjellë një ribashkim të grupit. Trajneri është shumë i kënaqur me performancën e lojtarëve dhe natyrisht i lumtur është paraqitur edhe për merkaton.

Lojtari i fundit që është afruar në ekipin veri-lindor është mesfushori gjeorgjian, Irakli Dzaria. Ai do të qëndrojë me Kukësin deri në verën e vitit 2019.  29 vjeçari ka luajtur më parë me kombëtaren e tij dhe konsiderohet si një lojtar me eksperiencë që do t’i bëjë shumë punë skuadrës së Peter Pakult. Mesfushori u prezantua dje në Antalia nga drejtori sportiv Nderim Nexhipi. Me afrimin e Donjet Shkodrës dhe Irakli Dzaria, skuadra e Kukësit është më e konsoliduar dhe në ditët në vijim pritet dhe një lojtar në fazën sulmuese. Nuk ka mbetur më mbrapa skuadra e Luftëtarit e cila e ka çuar në plot 9 lojtarë afrimet në  këtë merkato.

Ivan Jakovleviç dhe  Xhekson Ferreira Silverio janë dy përforcimet e fundit të klubit gjirokastrit. Qendërmbrojtësi serb kaloi në klubin blu zinj me parametra zero për shkak se ishte një lojtarë pa kontratë. Atij i skadoi kontrata me klubin e Flamurtarit dhe u largua i lirë në drejtim të Gjirokastrës. 28 vjeçari gjeti dakordësinë me drejtuesit e klubit të Luftëtarit sa i përket çështjes financiare. Ai ka firmosur një kontratë për një vit e gjysmë me skuadrën gjirokastrite. Lojtari tjetër që u konfirmua si blerja më e re e Luftëtarit është Xhekson Ferreira Silverio.

Mbrojtësi i majtë ka një eksperiencë në kampionatin e vendit fqinjë, Greqisë ku është aktivizuar me skuadrën e Trikalla dhe Kalithea. 26 vjeçari luan si mbrojtës i krahut të majtë dhe është ky lojtari që do të zëvendësojë të larguarin Vangjel Zguron. Luftëtari ka zyrtarizuar deri tani plot 9 lojtarë. Një merkato e tillë pritet të ndryshojë menjëherë gjendjen e skuadrës e cila është shumë larg formës së treguar sezonin e kaluar.

Objektivi parësor i gjirokastritëve është qëndrimi në kategorinë Superiore, por me afrimet e shumta në skuadër nuk përjashtohet mundësia që në sfidat e mbetura të tentohet kualifikimi në Kupat e Europës, objektiv që kjo skuadër për pak sa nuk e arriti sezonin e kaluar. Ndryshe paraqitet situata në klubin e Partizanit ku nuk ekziston asnjë garanci për të mbyllur sezonin në mënyrë pozitive.

Largimi i lojtarëve kryesorë nga skuadra i jep shumë pak shpresë tifozëve për të shpresuar në një mbyllje të denjë këtij sezoni. Sulmuesi kryesor që kishte Partizani, Xhevahir Sukaj u largua në drejtim të Vllaznisë ndërkohë që bomberi tjetër Edgar Çani vijon të mbetet i dëmtuar. Fenomeni i largimeve është pasuar me ato të afrimeve pasi të kuqtë nuk kanë ofruar në skuadër lojtarë  me emër të madh që të bëjnë diferencën. Partizani dështoi të nënshkruante me ish-mbrojtësin e Kamzës, Ivan Fushtar, një objektiv i rëndësishëm për skuadrën e Sulejman Starovës. 28 vjeçari kaloi të skuadra e Al Arabit në Katar.

Të tjera

Abissnet