Kujtimet e Simon Rrotës për Shkodrën dhe Gjergj Fishtën

Foto 4 nga 6 Pas Para

Promovohet libri “Kujtime për vedi e Shkodrën” i piktorit Simon Rrota. Ngjarje nga Lufta e Parë Botërore, Pazari i Shkodrës, por edhe marrëdhënia e tij afërt me Kol Idromenon dhe Gjergj Fishtën sjellin një panoramë të qytetit të tij të lindjes

Anila Dedaj

Kujtimet artistit Simon Rrota, birit të Shkodrës, shohin dritën e botimit në librin “Kujtime për vedi e Shkodrën”. Studiuesi Pjetër Logoreci në promovimin që u bë dje në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar ndali tek kujtimet e piktorit, i cili kësaj here ka ngjyer penën për të shkruar në mënyrë kronologjike ngjarjet që ka kaluar në fëmijërinë e tij gjatë viteve 1902.  Por, jo vetëm kaq. Përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi, zhvillimet e Luftës së Parë Botërore dhe jeta në Pazarin e Shkodrës vijnë plot qartësi. Simon Rrota përshkruan atë çka ka kaluar në moshën 15- vjeçare, teksa punonte tek një tregtar në Pazarin e Shkodrës, si shënues i mallrave që hynin në magazinë. Personazhet që ai përballet në këtë atmosferë do të zënë një hapësirë të rëndësishme edhe në jetën e tij të mëvonshme si piktor. Por, për t’u veçuar në këtë libër është edhe sesi babai i tij, pas kërkesës së Simonit për të mësuar pikturën, bëri që të jetë nën mbikëqyrjen e piktorit të njohur Kolë Idromeno. Ndërsa, miqësia e Simonit me At Gjergj Fishtën, i cili atë kohë drejtonte shkollën françeskane në Shkodër vërtetohet edhe në faqet e këtij libri. Piktorin e ardhshëm, jo vetëm që poeti do ta ndihmonte me materiale, që i duheshin për pikturën që atë kohë gjendeshin me shumë vështirësi, si dhe me ambiente për të punuar, por edhe do ta afronte për të bërë dekorin e shfaqjeve që ngjiteshin në skenën e teatrit Françeskan. Vepra të shkruara nga Gjergj Fishta ose të përkthyera prej tij.

Pjetër Logoreci: Bashkia e Shkodrës nuk ndihmoi botimin e librit, ky është turp!

Shkodra nuk është vetëm vendi ku ka jetuar Simoni dhe kolosët e familjes së tij, Nënë Tereza ka jetuar aty, Monsinjor Çoba, Monsinjor Prennushi, Tish Daija, Loro Boriçi. Pra është një lagje, që në pak metra kuadrat ka mbajtur të gjithë kulturën shqiptare. Unë kam pasur fatin që të njoh familjen e Rrotave, Gjoni këtu është nipi i tij. Kam qenë fëmijë dhe kujtoj se bashkë me të tjerë qëndronim dhe shikonim, ka qenë një shtëpi alpine, shumë e veçantë, në të gjithë Shkodrën nuk gjeje një tjetër të ngjashme, si të ishe në Austri dhe ne habiteshim, pa ditur për personat që mbante brenda ajo shtëpi, të cilët ishin kolosët e mendimit dhe të patriotizmit shqiptar. Unë në Austri jam marrë me eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit, i cili është shuar në Vjenë. Ai ka qenë një burrë i madh që unë nuk e shikoj si prift katolik, siç e shikojnë shumica e shqiptarëve, unë e shikoj si patriot. Unë kam lexuar gjithçka në lidhje me të dhe mund të konstatoj për mëdyshje se ai është personaliteti i dytë pas Gjergj Kastriot Skënderbeut. Dhe duke kërkuar nëpër arkivat e Austrisë, që kanë të gjithë historinë tonë dhe shyqyr që e kanë ata se ne do ta kishim tretë. Unë hasa një dokument që më bëri shumë përshtypje dhe e bëri gjigant statutin e familjes Rrota. Pra Kolë Rrota që ka jetuar në Vjenë, kishte bërë një akt që shumë pak shqiptarë mund ta bëjnë. Kishte paguar varrin e Nikoll Kaçorrit për tërë jetën, pasi sipas ligjit të atjeshëm çdo pesë vjet duhet të paguash një taksë të caktuar, përndryshe i ndjeri kalon në një varr të përbashkët dhe humb. Kol Rrota për të mos humbur ky njeri i madh, nga xhepi i tij ka paguar për gjithë jetën. Dhe duke hulumtuar më shumë rreth kësaj çështjeje më thotë nipi i tij: “Ne kemi një ditar të lutem lexoje njëherë!”. Dhe si një shkodran që njeh të gjithë skutat e Shkodrës, menjëherë jam kuriozuar. Gjatë leximit jam emocionuar shumë, më ka rrëngjeth trupin dhe kam thënë: Ky libër duhet të dalë! Jam munduar të gjejë mbështetje, që nuk erdhi e megjithatë vendosa ta bëjë këtë punë vetë. Bashkia e Shkodrës nuk e mori përsipër dhe ky është turp! Nuk ndihmuan as tre personazhe të njohur që për futbollin paguajnë dhe për këtë vepër nuk deshën të kontribuojnë! Për 7 muaj jam munduar që t’i hedh kujtimet nga dorëshkrimi në kompjuter dhe duke mos qenë profesionist kam kërkuar një njeri në Shkodër për ta formatuar. Fatmirësisht  ndesha në njerëz të tjerë të mirë si Martin Ndoja dhe Frano Kulla që bashkëpunuan në mënyrë vullnetare që këto kujtime të dilnin në dritë. Jam shumë i kënaqur që falë bashkëpunimit tonë dhe Martin Logorecit, i cili bëri pikturën e Simon Rrotës në kopertinë çdo gjë shkoi shumë mirë, punuam së bashku sikur të kishim gjithë jetën që njiheshim. Edhe pse kujtimet janë fokusuar në Shkodër, aty përmenden të gjitha trevat shqiptare. Ky libër është një mrekulli, për shkodranët mund të them madje se është njëlloj bible, por edhe për të tjerët ka kënaqësi brenda që nuk duhen humbur, pasi ka vlera.

Ferid Kola skulptor, nxënës i tij: Ja si e kujtoj Simon Rrotën, si mësues

Si u njoha me Simonin? Mora një fletë të kampit në Shirok. Në atë kohë ishte Kampi i Pushimit në Shirokë, ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, mblidhej atje rrethi i vizatimit, i alpinistëve etj. Nuk kishte se si unë të mos shkoja në rrethin e vizatimit, plus që isha shumë i tërhequr edhe nga alpinizmi. Ajo që më bënte shumë përshtypje ishte natyra e këtij personi ishte 1957-‘58 ai ishte diku tek të shtatëdhjetat. Ai ishte gjithmonë i buzëqeshur, gjithmonë i sinqertë e fjalëmbël. Momentet më të bukuar ishin kur mblidheshin në rreth vizatimi. Ne ndryshe nga të gjithë klasat e tjera që shkonin nëpër klasa e dhoma punonim në ballkon. Ai kishte shumë qejf të dilte në peizazh 1954- ‘55. Dolëm bashkë, unë mbaja çantën dhe kavaletën. Ai filloi duke punuar ndërkohë që unë po e shikoja. Për një moment kalon një zhapi dhe unë u tremba, ndërsa ai filloi të qeshë. Masandej kalon një flutur, të cilën unë e kapa dhe i them: Shiko sa e bukur është kjo flutura! Dëgjo thotë, këto janë ngjyrat e vërteta, këto janë ngjyrat e Zotit. A e pe zhapikun që kaloi? A e ke dëgjuar atë shprehjen shkodrane: “E verdhë si zhapiku”? E pra , këto janë ngjyrat e vërteta. A e ke parë ylberin më thotë? Epo këto janë ngjyrat e Zotit. Të tjerat i bëjmë ne ashtu sipas dëshirës sonë. Dhe ky episod më ka mbet në kujtesë…

Dorian Koçi: Ky libër i rëndësishëm dhe për ngjarjet historike të Shqipërisë

Ishte një befasi për mua e veçantë kur rashë në kontakt me këtë libër, ku arrita të gjeja një kronikë të një qyteti të veçantë siç është qyteti i Shkodrës. E cila vinte jo drejtpërdrejt e strukturuar përmes rrëfimeve të shkrimtarëve të mëdhenj të Shkodrës si Migjeni apo Koliqi, por përmes perceptimeve të një piktori të njohur siç ishte piktori Simon Rrota. Sepse, gabimisht jemi mësuar t’i shikojmë njerëzit të prerë në vetëm një aspekt, nuk e njihnim këtë pjesë tjetër të të rrëfyerit dhe të pasqyrimit të këtij aktiviteti dhe të kësaj jete të piktorit Simon Rrota. Është një udhëtim në kohë dhe në hapësirë, i cili të lë pa frymë për momentet historike që ka përzgjedhur, për kohën që ka përzgjedhur, për personazhet historikë të cilët ai i takon dhe shkëmbin mendime si Gjergj Fishtën, i cili është edhe një nga mbështetësit e tij kryesorë në rrugën e fillimit të artit dhe të kulturës. Aty gjejmë të gjithë kolegjin Françeskan të Shkodrës, gjejmë të gjithë qytetin, rrugicat etnografinë, veshjet, njerëzit e profesione tashmë të harruara, të cilat nuk janë më dhe me të vërtetë për cilindo që do të ketë mundësinë që ta lexojë, ka për të mbetur i befasuar jo nëpërmjet një gegnishtje që vjen e qetë dhe e ëmbël, por edhe nga dendësia e ngjarjeve. Ngjarjet fillojnë në vitin 1902 edhe vazhdojnë deri në vitin 1922, ku përfshihen ngjarje të rëndësishme edhe të natyrës historike. Simon Rrota nuk mban një qëndrim për këto ngjarje, por ajo që me të vërtetë  krijon pasazhe të drejtëpërsëdrejta dhe të jep kënaqësi kur e lexon është një ndjenjë dhe një shpirt patriotik i tij. Ai bën pasqyrimin e jetës në Shkodër në mënyrë të drejtpërdrejtë duke folur edhe për marrëdhënien e dy kontinenteve më të mëdha, atij mysliman dhe komunitetit katolik. Është i drejtpërdrejtë, pa krijuar mite, por duke dhënë një pasqyrë të asaj kohe. Ai gjithashtu nuk është ksenofob, pasi  përshkruan në libër edhe personalitete italianë apo malazezë, ai flet edhe për muratorët dibranë që vinin dhe ndërtonin shtëpitë në Shkodër me syrin e artistit se si i shikonte ai këto ndërtime, ato të cilat ne i quajmë sot ndërtime të rëndësishme. Piktori duke ecur në hapësirë dhe në kohë na jep dhe një pasqyrim tjetër të rinisë shqiptare të asaj kohe, që i bën nder qytetit të Shkodrës. Ai në përshkrimet e tij nuk tenton të duket si hero siç jemi mësuar rëndom të lexojmë për personalitete të ndryshme. Ka atë frikën e ndërgjegjes, gjë që është njerëzore. Pra është shumë e rëndësishme që nuk kërkohet në serviret një hero, por në të njëjtën kohë pasqyrohet figura e madhe e këtij njeriu pa e ndarë nga frikërat, emocionet apo dhe afrinë ndaj kulturës.

Familjarët: Nuk donte famë!

Familjarët e pranishëm kanë theksuar se Simoni ka qenë një njeri të cilit nuk i interesonte fama, por fokusohej tek kontributi që ai vete duhet të jepte në shoqëri. Nipi i tij, Gjoni u shpreh se nuk ka arritur ta njoh gjyshin veçse nëpërmjet rrëfimeve, ai u ndal gjithashtu edhe tek vlerat që përmbledhja me kujtimet e mjeshtrit mbart.  “Nëpërmjet këtij libri gjyshi pasqyron edhe historinë e Shqipërisë së asaj periudhe të cilën e kemi pasur të zbehtë dhe të panjohur, pasi historia jonë që kemi mësuar nëpër shkolla, ka qenë tjetër”.

Tonin Çobani: Nga kujtimet e Simon Rrotës, duhet korrigjuar disa gjëra, si titulli i shfaqjes së parë në gjuhën shqipe në teatrin Françeskan!

… mbas sa ditësh, me thirri Patër Gjergj Fishta për me ba disa skena për një teatër për nji drame të përkthyeme prej tij “Mjeku i përdhunë” (komedi e Molierit). Kjo do të ishte rasa ma e mirë për mue me pasë përpjekje ma ë ngushta me poetin tonë. Edhe ai vetë, mori pjesë me mue, në punimin e atyre skenave mbasi vizatimi i vinte shumë për dorësh, e kështu punojshim bashkë. Ndërsa unë, pa pushim me brushat e mija ngjyrojshe në ata skena të bukura, poeti recitonte vjersha e lëshonte disa batuta satirike qi mue më bajshin me qesh aq shumë sa m’u donte me lamë edhe punën, tue i thanë se nuk mujshe me vazhdue ma, pse dhimbje të mëdha më kishin kapë dejt e qafës prej të qeshunit të fortë. E kështu, tue e pa edhe ai vetë, menjiherë u largue, por ne nesre e shof se po vinte, e me vehdi kishte pru do vjerrsha të pregadituna prej tij. Unë i mbylla derën e teatrit (Teatri i Françeskanëve, ndodhej djathtas në oborrin e Shkollës Vasil Shanto) e nuk e lashë me hy mbrendë, por mas pak kohët qi ai qindroi jashtë deret,më premtoi se nuk do të më trazonte ma e, me këtë konditë, i çila derën. Por premtime e tija kjenë të shkurta e tue pa se skena po delte e bukur, ndërsa po pinte cigare e kafe së bashku memue afër tangarit (mangallit), në njatë kohë ia mbrrijti Mati Logoreci qi atëherë ishte mësues në Skollën Françeskane. Prandej rasa kje e mirë për poetin me na lexue vjerrshat e pregadituna aq bukur ku ndër to kishte përmendë vendin edhe mue….

Për studiuesin Tonin Çobani, i pranishëm ditën e djeshme gjatë promovimit të “Po shkruej për vedi dhe për Shkodrën”, ky libër vjen edhe si dëshmi për data e ngjarje kulturore të rëndësishme që duhen rishikuar.  Ne e kemi ditur që shfaqja e parë në teatrin e Françeskanëve  ka qenë një komedi e Molierit, por titulli i saj ka qenë i gabuar, dhe nuk i është dhënë vëmendja e merituar këtij fakti.  Është konsideruar vepra e parë “I ligu për mend”. Sigurisht që “I ligu për mend” është një vepër tjetër e Fishtës, por është vënë në skenë më vonë në 1912-ën, kurse në 1905-ën është shfaqur komedi tjetër “Mjek i përdhunë”. Këtë na i konfirmon piktori Simon Rrota, i cili ka punuar me dekoret e kësaj shfaqjeje dhe është krejt i besueshëm pasi nuk mund të marrim mendim më të mirë se sa nga dikush që ka punuar në këto shfaqje. Ky është korrigjimi i parë që duhet të bëhet. Është i rëndësishëm për faktin se shfaqja e Fishtës e vënë në skenë aty është në gjuhën shqipe dhe është në shfaqjet e para në gjuhën shqipe jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri, pasi në Shqipëri nuk ka kund tjetër një teatër, nuk ka kund tjetër një Fishtë që punon e që shkruan pjesë teatrale për tu vendosur në skenë. Është e mëvonshme periudha e Rilindjes, kur dramaturgjia fillon të zërë peshën e vet dhe ka edhe teatër në disa qytete të Shqipërisë. Por i pari në gjithë Shqipërinë është në Shkodër. Së dyti, edhe Teatri i françeskanëve që e përmend Simon Rrota në kujtimet e veta, thotë se është ndërtuar para vitit 1989. Ne e kemi ditur se në vitin 1989 janë ndërtuar shkolla dhe teatri. Kurse Simon Rrota thotë se shkolla është ndërtuar më vonë dhe më përpara ka qenë teatri. Dhe kjo është e rëndësishme, sepse teatri nuk mund të bëhet në rrugë, nuk mund të bëhet me çarçafë në oborret e shtëpive, Teatri do sallat, do vendin e spektatorëve, do komunikimin midis artistëve, midis autorit të tekstit ose dramës, regjisorit dhe aksesorëve të tjerë që duhen për një shfaqje për të realizuar këtë komunikim. Për këtë duhet teatri dhe Fishta ka menduar këtë sapo ka shkuar drejt shkollës, qysh në vitin 1902, ai ka dorë disa herë mbi teatrin derisa e ktheu në një sallon të përshtatshëm për gjithë shikuesit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Libri që jeton

Natasha Lako Nuk e di përse, para se të flas për Panairin e sivjetmë të librit, veçoj menjëherë nga shkrimtarët…

Abissnet