Kujt i duhet kredo politike mbi interesat tona kombëtare?

Dr. Sulejman Abazi

Është qëndrim i pranuar që, SHBA-të janë aleati i vetëm strategjik i Shqipërisë. Kjo është e dëshmuar në mënyrë institucionale e popullore. Një mendim domen në territoret shqiptare, por nga ana tjetër, askush nuk mund të pretendojë që SHBA-të në gjeostrategjinë e tyre, të kenë aleat strategjik Republikën e Shqipërisë. Të dy këto pozicione respektive nuk janë e njëta gjë. Një analist politik besoj është në gjendje të kuptoj diçka më shumë nga ky konstatim. Në këtë këndvështrim, nga politika dhe diplomacia shqiptare është hedhur një hap me shumë dhimbje në votën kundër vendimit të Presidentit Trump, për të cilin arsyet i di qeveria shqiptare. Në krahun tjetër, shikohet se vendimin amerikan nuk ka kthim prapa.

Nëse do të vazhdojmë në rrjedhën logjike këtë arsyetim, atëherë dalim në disa pika delikate por të rëndësishme, të cilat duhen marrë në konsideratë, më përpara se sa të zhurmohet dhe të hidhet baltë për përfitime politike. Kjo që po ndodh në mjedisin shqiptar, nuk është e ndershme. Së pari; mund të kuptojmë që Presidenti Trump me këtë vendim mbajti një premtim elektoral dhe s’ka të bëjë me raportet e çimentuara SHBA-Shqipëri, të cilat janë afatgjata.  Nuk ka pse të besojmë që SHBA-të kanë dëshirë me këtë rast të na armiqësojnë me Bashkimin Europian, kur ato mbështesin totalisht futjen e Shqipërisë në këtë organizëm të fuqishëm ndërkombëtar. Në këtë kontekst, qëndrimi i Shqipërisë, mbetet një qëndrim thjeshtë parimor, por jo i justifikuar.

Presidenti i SHBA-ve me këtë rast mbajti një premtim elektoral të adresuar ndaj kërkesave të lobit hebre në Amerikë. Gjithësesi, këto janë çështje që u takojnë t’i zgjidhin vetë politikanëve dhe shteteve që merren me to.  Në planin e brendshëm për ne kanë rëndësi problemet që mund të lindin nga ky votim. Problemi për opinionin shqiptar, është çështja e qëndrimit të politikës shqiptare në raport me këto ngjarje ndërkombëtare. Opinioni shqiptar duhet të kuptojë dhe vlerësojë realisht sa dhe si mund të lëvizë politika dhe diplomacia shqiptare në këto ngjarje, për të mbajtur ekuilibrat në favor të mbrojtjes së interesave kombëtare, pa dhunuar interesat tona gjeopolitike në rajon dhe duke iu përmbajtur vizionit strategjik të përcaktuar saktësisht deri tani.

Në këtë qëndrim, sigurisht që Shqipëria nuk mund të kaloja pa pasoja. Ndoshta shtrëngimet në disa projekte që mbështet ambasada amerikanë në Tiranë, qoftë dhe mbështetjen që ajo i bën procesit të reformës në drejtësi, edhe mund të pësojnë goditje financiare. Por duhet të kuptojmë se, në lidhje me çështjen midis Palestinës  dhe Izraelit, nuk është hera e parë që ka angazhime të politikës së shtetit shqiptar. Që shteti i Palëstinës dhe Izraeli nuk e njohin Kosovën, kjo nuk është vetëm faji i tyre, por dhe i diplomacisë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, që çdo herë u kanë qëndruar palestinezëve dhe izraelitëve me “mjaltin në sahan”, duke nënvleftësuar mbrojtjen e interesave kombëtare. Këto lëshime dhe paëprgjegjëshmëri politike, e çuan diplomacinë shqiptare sot në një “pikë vdekje”, duke e kryqëzuar dhe akuzuar deri për tradhëti kombëtare. Të njëjtat fjalë mund të themi edhe për deklaratën ekstreme e Presidentit të Kosovës, i cili në këtë rast, mund të mos ishte prononcuar, pasi Kosova nuk është në inventarin “e votës” së vendeve të interesuara. Deklarata e tij nuk ka vlerë dhe ajo u bë me synime utilitare dhe nuk tregon aspak zgjuarësi politike. Atëherë, kujt i shërbejnë politikat e kundërvënies?

Politika e shtetit shqiptar, nëse e konsideron veten si “solucion të ngopur dhe imun” në çështjet e diplomacisë së saj, atëherë gabon. Shqiptarët janë një komb me dy shtete me shumë probleme dhe kjo është një arsye shumë e fortë, që asnjëherë të mos ngutemi në vendimarrjen politike. Ajo që mund të na krijojë siguri dhe dinjitet, mbetet pozicioni i drejtpeshuar, ku të mos lejohet asnjeherë që të vihen në diskutim mbrojtja e interesave tona kombëtare. Në rastin konkret, nëse diplomacia shqiptare do të jepte votën “pro” vendimit Trump, ndoshta do të ishte shumë më pak e ekzpozuar ndaj goditjeve politike brenda kombit. Këtë duhet ta kishte menduar mirë dhe duhet ta kishte bërë me kurajo. Të gjesh pozicionin e duhur politik, për të ecuar rend pas besimeve fetare, nuk ka nevojë që këtë politika shqiptare ta kërkojë te “modeli Jeruzalem”, pasi këtë populli shqiptar e ka dëshmuar në shekuj dhe e ka në traditën e tij edhe sot, duke u bërë model paqe për botën demokratike. Atëherë, kujt i duhet kredo politike mbi vlerat dhe interesat kombëtare?!

Drejtor i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në partinë “Zgjidhja”

 

Të tjera

Abissnet