Kujdesi oral gjatë shtatzënisë, këshilla për nënat

Nga Dr. Lorena Duri, mjeke stomatologe

Kariesi gjatë shtatzënisë shfaqet si rezultat i neglizhencës së higjienës nga ana e nënës dhe kur ajo nuk ka një dietë të pasur dhe të ekuilibruar me karbohidrate.

Shtatzënia është një gjendje e veçantë fiziologjike në jetën e një femre. Është një periudhë e bukur, njëkohësisht e ndërthurur me emocione të forta dhe një dëshirë e brendshme për t’u kujdesur sa më mirë për shëndetin e bebes që do vijë në jetë, i cili është i lidhur drejtpërdrejtë me shëndetin e nënës së ardhshme. Duke patur parasysh faktin që shëndeti përkufizohet si një mirëqenie e përgjithshme fizike dhe mendore, atëherë arrijmë në konkluzionin se mjaft i rëndësishëm është dhe shëndeti oral gjatë shtatzënisë. Gjatë punës sonë të përditshme jemi hasur me dy lloj situatash: E para ka lidhje me atë kategori femrash të cilat planifikojnë një shtatzëni të afërt dhe lënë një takim të posaçëm për të marrë këshillat e duhura në lidhje me shëndetin oral ose merren me probleme konkrete që kanë në kavitetin oral në mënyrë që të kenë një shtatzëni të qetë dhe të sigurt për sa i përket shëndetit oral.                 E dyta lidhet me atë kategori femrash që janë shtatzënë dhe paraqiten në klinikë sepse kanë një shqetësim konkret të lidhur me shëndetin oral që mund të jetë një dhimbje dhëmbi, thyerje e një dhëmbi, ënjtje, gjakosje të mishrave të dhëmbëve, shkëputje e ndonjë punimi protetik, për shembull e ndonjë ure etj.

Ne si mjekë stomatologë këshillojmë që, të gjitha femrat të cilat planifikojnë të kenë një shtatzëni të afërt, të informohen paraprakisht për rëndësinë e kujdesit dentar në shtatzëni dhe të kryejnë të gjitha shërbimet dentare të nevojshme para se të nisin një shtatzëni, pasi e gjitha kjo është në dobi të shëndetit të tyre dhe të fëmijës që do të sjellin në jetë. Prej kohësh qarkullon bindja se gjatë shtatzënisë dhëmbët prishen sepse fëmija i plotëson nevojat për kalcium nga dhëmbët e nënës. Në të vërtetë nuk ka asnjë fakt shkencor që të mbështesë këtë bindje. Burimi i kalciumit për fëmijën sigurohet prej ushqimeve që nëna konsumon, e në rast se është i pamjaftueshëm, sigurohet prej kockave. Kariesi (prishja e dhëmbëve) gjatë shtatzënisë shfaqet si rezultat i neglizhencës së higjienës nga ana e nënës dhe kur ajo nuk ka një dietë të pasur dhe të ekuilibruar, që do të thotë se në dietën e nënës mbizotërojnë karbohidratet dhe ushqimet që rrisin aciditetin e gojës.

Është e vërtetë që ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë rrisin shansin e inflamacionit të mishit rreth dhëmbit (gingivës) dhe ky i fundit paraqitet klinikisht i ënjtur, i skuqur, i gjakosur dhe i dhimbshëm në prekje. Ky fenomen quhet gingivit gravidar. Vlen të theksohet që, nëse nëna nuk ka një higjienë të rregullt dentare, ndryshimet hormonale gjejnë terren dhe patjetër do manifestohen me gingivit. Nëse gingiviti nuk trajtohet, mund të çojë deri në probleme të kockës rreth dhëmbit dhe ai bëhet i lëvizshëm. Nga ana tjetër, ka studime që mbështesin faktin që gingiviti i agravuar mund të çojë në lindje të parakohshme ose lindja e një bebi me peshë të ulët trupore. Pra, nëse nëna konstaton gingivit, duhet patjetër të konsultohet me mjekun e saj stomatolog në mënyrë që situata të jetë nën kontroll. Shumë femra gjatë periudhës së shtatzënisë kanë të vjella, sidomos gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Ky fenomen rrit aciditetin e gojës dhe, nëse dhëmbët nuk lahen dhe goja nuk pastrohet, ky mjedis acid do të favorizojë prishjen e dhëmbëve. Edhe në këtë pikë rol kyç luan higjiena e gojës.

Pra, me pak fjalë, këshillat lidhur me kujdesin oral gjatë shtatzënisë janë:

  1. Lani rregullisht dhëmbët (2 herë në ditë pas marrjes së ushqimit, furçojini përreth 2 minuta).
  2. Ndiqni këshillat e gjinekologut në lidhje me mënyrën e ushqyerjes (dieta sa më e pasur dhe e shëndetshme).
  3. Merrini vitaminat që mjeku juaj ju ka përshkruar në recetë (sidomos kur ai konstaton mungesë të tyre në organizëm).
  4. Nëse keni të vjella, gjithmonë pas tyre lajini dhëmbët dhe pastrojeni kavitetin oral me ujë të bollshëm në mënyrë që të largohet aciditeti i vazhdueshëm.
  5. Nëse konstatoni ndonjë shqetësim lidhur me dhëmbët ose kavitetin oral, drejtohuni gjithmonë tek mjeku stomatolog dhe mos merrni mendime nga njerëz jokopetent apo t’u drejtoheni rrjeteve sociale për një këshillë apo një zgjidhje të situatës.

Po nëse një grua gjatë shtatzënisë përballet me probleme të dhëmbëve ose kavitetit oral, si duhet të veprojë?

Siç u përmend edhe më sipër, nëse nëna haset me një situatë të tillë, duhet patjetër të drejtohet tek mjeku stomatolog. Ai nëpërmjet një vizite klinike mund të bëjë vlerësimin e situatës dhe vendosjen e një diagnoze të saktë. Kur diagnoza përcaktohet saktë, atëherë hartohet dhe plani i trajtimit. Para se ky plan të zbatohet, mjeku stomatolog kërkon një përshkrim nga mjeku gjinekolog për sa i përket moshës së shtatzënisë dhe ecurisë së saj. Ka raste kur mjeku stomatolog nuk e ka të qartë diagnozën dhe lind nevoja e ekzaminimeve shtesë, siç janë grafitë dentare. E mira është që bërja e tyre të shmanget gjatë shtatzënisë, mund të ketë dhe raste kur ato janë domosdoshme. Në të tilla raste, gjatë procedurës së bërjes së grafive nëna duhet të vishet me veshjet e posaçme për t’u mbrojtur nga rrezatimi. Këto veshje duhet të jenë patjetër në studion ku do bëhet grafia. Gjithashtu, ka raste ku pjesë e trajtimit është dhe antibiotikoterapia. Edhe kjo e fundit është e këshillueshme të shmanget gjatë shtatzënisë, por ka raste ku duhet përfshirë patjetër. Në të tilla raste mjeku stomatolog do përshkruajë antibiotikun dhe dozën në recetë, si dhe do japë sqarimet e nevojshme, mënyrën dhe kohëzgjatjen e marrjes.

Së fundmi, në mënyrë që të shmangen problemet me dhëmbët gjatë shtatzënisë, këshillohen të gjitha femrat të cilat planifikojnë një shtatzëni të afërt të merren seriozisht me problemet e dhëmbëve para se të hedhin një hap të tillë dhe gjithashtu t’u përmbahen këshillave që mjeku stomatolog do iu japë lidhur me higjienën orale. Në këtë mënyrë nëna do të mundë të ketë një shtatzëni të qetë dhe të shëndetshme për sa i përket shëndetit oral, e njëkohësisht të mund ta shijojë në maksimum këtë periudhë të bukur e të veçantë në jetën e saj.

“Prej kohësh qarkullon bindja se gjatë shtatzënisë dhëmbët prishen sepse fëmija i plotëson nevojat për kalcium nga dhëmbët e nënës. Në të vërtetë nuk ka asnjë fakt shkencor që të mbështesë këtë bindje”.

“Nëse nëna nuk ka një higjienë të rregullt dentare, ndryshimet hormonale gjejnë terren dhe patjetër do manifestohen me gingivit. Nëse gingiviti nuk trajtohet, mund të çojë deri në probleme të kockës rreth dhëmbit”.

Të tjera

Abissnet