Kuarteti i dukjeve dhe pyetjeve

Tanush Çaushi

  1. Anekdota:

Nastradini shkoi tek një komshi që njihej si shumë lakmitar. Në drekë, kur u shtruan për të ngrënë, Nastradini filloi të hante me të dy duart.

– Shumë i uritur je efendi, me të dyja i ha gjellët.

– Po të kisha tri duar, do të haja me të tria, u përgjigj gaztori.

– Si kështu?… Zakon i keq ky!

– Jo nga zakoni o gjiton, as nga uria, po në sofrën tënde më vjen babëzia.

  1. Fakti:

Jemi në sezonin turistik të verës. Disa individë “bajlozë të detit” në qytetet bregdetare para hoteleve të tyre apo plazheve të dhëna me qira nga bashkitë kanë shtresoret (alias shezlonget, sipas modës epidemike të futjes së fjalëve të huaja dhe zhdukjes së fjalëve shqipe). Nga babëzia kanë pushtuar çdo cep të bregut të detit duke mos lënë asnjë metër për qytetarët. Babëzia është kaq e madhe sa shoqërohet edhe me çmime të larta 1000 deri 1500 lekë për kashtore.  Shumica e të thjeshtëve, pronarëve realë të bregut, e ngul prapanicën mbi ndonjë gur të vendosur diku fshehtas duke iu ruajtur syrit të “bosit të detit”. Se “bosi i detit” e ka si bajlozi i detit: “ditë për dite nga një plazh me djegun”!

  1. Shteti dhe Ligji:

Mediat fokusojnë ministrat e Turizmit apo të Financave. Ministrat paskan nisur “aksionin” për çlirimin e plazheve nga bajlozët e detit, për kasat fiskale, për kuponin tatimor për… për… për… Jashtë në të dikur duket shumë bukur! Mijëra metra katror sikur çlirohen nga pushtuesit, kasat e kuponët sikur vu e vu… dhe lajmet e reklamat sikur ligji bu bu bu!… Kuptohet, asnjëra prej tyre s’është e vërtete se edhe kur ndodh diçka, është pjesore dhe e përkohshme.  Propaganda e fasadës e quan dhe e trumbeton sikur ndodhi mposhtja e bajlozëve të detit nga aksionet e shtetit! Mirëpo vetiu të shkon mendja tek kuptimi i fjalës aksion dhe funksionimi i tij. Aksioni i është një shkundje e përkohshme për një problem të caktuar dhe kaq.

  1. Katër pyetje:
  2. Pse kështu duhet të veproje shteti, me aksion e tërmete të përkohshëm minore?
  3. A duhet reklamuar me pompozitet ajo që bëhet nga mekanizmat shtetërorë si aksione të suksesshëm?
  4. A duhet të mbajnë përgjegjësi deri penale për mos zbatimin e ligjit për 11 muaj rresht dhe kujtohen në të dymbëdhjetin?
  5. Duhet të veprojë ligji përditë apo të organizohet një aksion në vit?…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet