Kryetari i ri i Akademisë, Gjinushi: Akademik e ministër më ka bërë matematika, jo politika

Foto 1 nga 5 Pas Para

Zgjedhjet akademike konfirmojnë 4 kandidatët në pozicione drejtuese. Në pritje të dekretimit nga Presidenti Ilir Meta, kryetari i ri i ASH-së, Skënder Gjinushi shprehet se nuk i druhet vendimit të tij

Anila Dedaj

4 pozicionet vakante në Akademinë e Shkencave, në sajë të zgjedhjeve që u mbajtën ditën e djeshme duket se janë plotësuar. Në pritje të dekretimit nga presidenti Ilir Meta, akademiku Skënder Gjinushi u zgjodh si kryetar i Akademisë me 35 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim. Për këtë pozicion, ai ishte i vetmi kandidat, ashtu siç edhe për 3 postet e tjera.  Si zëvendës kryetar i ASH-së, u përzgjodh akademiku Vaso Tole, me 35 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim. Tole më herët kryente funksionin e Sekretarit Shkencor të ASH-së, pozicion të cilin tanimë e gëzon akademiku Salvator Bushati. Ndërsa, akademiku Neki Frashëri, i cili në janar të këtij viti ishte shpallur si një nga anëtarët e komisionit të zgjedhjeve (komision i cili më vonë u shpërbë dhe me dorëheqjen e kryetarit, akademikut Jani Vangjeli), u shpall dje me 37 vota pro dhe 4 kundër, kryetar i seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike.  Po dje u ngrit edhe komisioni i ri, që mbikëqyri këto zgjedhje i përbërë nga akademiku Beqir Meta, akademiku Dhimitër Haxhimihali dhe akademiku i asociuar Shaban Sinani, i cili ishte gjithashtu i përzgjedhur, si anëtar gjatë komisionit të mëparshëm.

Procesi, Kadare dhe 10 akademikë të tjerë dërgojnë votën me zarf

Zgjedhjet u udhëhoqën nga akademiku Luan Omari, një nga themeluesit e këtij institucioni njëherazi edhe akademiku më i vjetër në moshë. Që në krye të herës, krahas procedurës së votimit u bë me dije, se “ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, kandidatët në këto zgjedhje duhet të fitonin sipas parimit 50 plus një”. Në procesin e votimit morën pjesë 43 akademikë. Pedagogu dhe akademiku Artan Fuga, siç e ka bërë me dije edhe publikisht, qe i vetmi që refuzoi të bëhej pjesë e këtyre zgjedhjeve, të cilat ai i konsideron si të paligjshme. Ndërsa, 11 akademikë, mes të cilëve edhe Ismail Kadare, Anastas Angjeli, Arian Durrësi, Bahri Beci, Jani Thomai, Efigjeni Kongjika, Marenglen Verli, Kosta Barjaba etj., zgjodhën ta jepnin votën e tyre në zarf, përmes postës. Po me zarf, e kishte nisur votën edhe shkrimtari e akademiku Xhevahir Spahiu, edhe pse ai ishte i pranishëm gjatë procesit, dhe e përçoi dorazi vendimin e tij për 4 kandidatët në kutinë e votimit. Krahas Spahiut, i pranishëm ishte edhe akademiku e shkrimtari Fatos Kongoli. Pasi 32 akademikët e pranishëm votuan, votat e tyre u numëruan së bashku me votat e nisura me zarf. Prej tyre 2 rezultuan të pavlefshme, ndërsa, dy akademikë kishin zgjedhur t’u thoshin “jo”, të katërt kandidaturave të propozuara.

Gjinushi: Një institucion “pa kokë”, nuk mund të reformojë as veten, as të tjerët

Pas përfundimit të zgjedhjeve akademike, Kryetari i ri i ASH-së, u shpreh për mediet se mbyllja e këtij procesi është me rëndësi, jo vetëm për vazhdimin e Reformës në Akademinë e Shkencave, por edhe për reformën për shkencën në tërësi. Sipas tij, këto dy procese nuk mund të shikohen të ndara dhe roli i ASH-së, në rregullimin e tyre duhet të jetë parësor. “Kjo është edhe barra e detyra që marrim sot, jo vetëm unë, por edhe kryesia e re e Akademisë, në mënyrë që Akademia të jetë një ndër partneret kryesore të shoqërisë, të Qeverisë, të Kuvendit, për të shtyrë përpara ringritjen e nivelit të kërkimit, ringritjen e nivelit të arsimimit në Shqipëri, si një institucion elitar që është, dhe që është baltosur me dhe pa të drejtë. Është baltosur për gjëra që nuk i meriton, përkundrazi të gjithë bashkë, duhet të jemi krah për krah për t’i çuar gjërat përpara”, u shpreh akademiku.

I pyetur nga gazetarët, nëse zgjedhjet akademike, ku ai dhe tre akademikët e tjerë të sapoemëruar në pozicione drejtuese nuk kishin përballë asnjë konkurrent, mund të quhej i ligjshëm ose jo, duke qenë se herën e fundit që pati një proces të tillë Kryeministri nuk e njohu Kryetarin e përzgjedhur, duke e quajtur si “farsë” (dy vite më parë në Akademi u mbajtën zgjedhjet, ku në fund të procesit u përzgjidh akademiku Gudar Beqiraj, i cili nuk u njoh as nga Rama, e nuk u dekretua as nga Meta), Gjinushi u përgjigj se:

“Kryeministri nuk ka quajtur farsë garën me një kandidat. Ka qenë momenti kur Akademisë i kërkoi të bënte reformën dhe Akademia ende s’po vepronte, pra ishte në fazën kur debatohej. Tani ka një vit e gjysmë që e kemi theksuar, se Akademia nuk është më ajo që i bëhej presion për reformë, por është ajo që bën presion për reformë. Dhe Akademia e ka hartuar projektligjin, ka dhënë kontributin e vet. Jemi në konsesus të plotë edhe me kryeministrin që ju cituat, edhe me Kuvendin. Sigurisht, përsa i takon Ekzekutivit është shumë e rëndësishme të theksohet që Ekzekutivi ka mbajtur një distancë të arsyeshme në reformën Akademike, duke ja lënë barrën Akademisë, ndërsa reformën për shkencat do e bëjnë së bashku. Dhe meqenëse faza e parë e reformës u përmbyll dhe Akademia nuk është më ajo që është nën presionin për reformim, atëherë natyrisht ajo vazhdon e zgjedh organet e veta drejtuese, sepse një institucion pa kokë, nuk mund të reformoj as veten, as të tjerët”.

Të vetëm në zgjedhje, akademiku: Askush nuk u pengua të kandidojë!

Lidhur me faktin se nga 44 akademikë, vetëm katër prej tyre kandiduan dhe paraqitën platformat përkatëse për vendet vakante, Gjinushi u shpreh se: “Demokracia kudo është kjo: Kushdo ka të drejtë të kandidojë dhe askush nuk duhet penguar. Patë të pengohej njeri në votim të kandidonte? Jo! Janë 43 akademikë, njëri më prestigjioz se tjetri, njëri më me vlera se tjetri. Janë emra që nuk e ndotin emrin e tyre për procedura të sajuara dhe që e mbështetën këtë proces, votuan me demokraci dhe kuptohet që kishin edhe po-në edhe jo-në”.

“Nuk kemi ardhur për të politizuar akademinë, por të akademizojmë politikën!”

Lidhur me debatet që ka ngjallur kandidatura e akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i ASH-së,  përsa i përket faktit se me emërimin e tij në këtë pozicion, politika mund të shtrijë ndikimin e saj në Akademi, Gjinushi u shpreh se: “Nuk më ka bërë politika as akademik, as ministër, më ka bërë matematika!”. Akademiku, që pak ditë më parë ka “ngrirë” të gjitha funksionet e tij politike për të drejtuar Akademinë, tha dje, se gjatë kohës që ka qenë i angazhuar në politikë, nuk është përzierë asnjëherë me punët e Akademisë. “Jam përfshirë dy herë, para dhjetë vjetësh nëpërmjet kapjes së Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar reforma që synojnë në emër të rithemelimit ndërhyrje politike në Akademi. Do thoni atëherë e bëtë se që maxhorancë tjetër, të njëjtën gjë po bëj dhe sot! Pra rasti e dha që nëpërmjet grupit të punës ne të ndalim, atë që dikush e quan reformë, e që nuk është asgjë tjetër veçse një rikthim tek tendenca për të rithemeluar Akademinë. Dhe kush e rithemelon?! Qeveria apo komisione jashtë akademike. Ky është politizim i procesit dhe në të dyja rastet pavarësisht nga maxhoranca, ne s’jemi pajtuar me këtë proces dhe kjo tregon qartë se jemi në vendin e duhur. E ritheksoj, nuk kemi ardhur për të politizuar akademinë, por të akademizojmë politikën. Që politika të dëgjojë më shumë njerëzit e dijes dhe të shkencës, të dëgjojë më shumë këtë institucion. Dhe nuk është Qeveria që shpërndan akademikët, por janë akademikët, studentët, qarqet intelektuale që mund të çojnë edhe në dorëheqje të Qeverisë”, u shpreh akademiku.

Tituj shkencorë pa meritë, akademiku: Plagjiaturat mund të luftohen në rrugë ligjore!

I pyetur nga mediat, nëse Akademia përmes reformës do të mund të kontribuojë në heqjen e titujve të pamerituar e të diplomave plagjiaturë, Gjinushi tha se: “Akademia e tregoi këtë edhe gjatë kohës që ishte nën sulm të padrejtë sigurisht, në shumicën e vet. Hartoi projektligjin për vërtetimin e doktoraturave, titujve dhe gradave, për të thënë atë, që edhe në qoftë se dikush mendon se paska falsitete në nivele të caktuara, apo deri edhe në Akademi, atëherë në rrugë ligjore mund të luftojë këto plagjiatura, falsitete, fabrikime. Projektligji është ende në proces shqyrtimi, por Akademia e Shkencave është nismëtarja dhe nuk e ka bërë vetëm, e kemi bërë në kuadër të akademive evropiane”.

Dekretimi nga Meta, Gjinushi: Nuk i druhem!

Eksperiencës së dy viteve më parë, kur akademiku Beqir Gruda nuk u dekretua nga presidenti, Gjinushi shprehet se nuk i druhet, edhe për faktin se Akademia tanimë gjendet në të tjera pozita në lidhje me reformën. “Meta i njeh mjaft mirë institucionet, plus që dhe marrëdhëniet institucionale nuk janë të tilla që nuk e dinë se ku i takon vendi njëri dhe tjetrit”.

Akademikë mbi 80 vjeç, votimi i paligjshëm?!

Ka qenë pedagogu dhe akademiku Artan Fuga, ai qe e ka konsideruar të paligjshëm votimin e akademikëve mbi 80 vjeç në zgjedhjet akademike. Por akademiku Skënder Gjinushi u shpreh dje se një shtesë e tillë është bërë kohët e fundit, në kuadër të dekriminalizimit për kriminelët. “Lexoni të gjitha ligjet e akademive evropiane, askund s’do të gjeni, që për arsye moshe të heqin të drejtën e votës.  Dhe përse hiqet?! Për të manipuluar institucionin”.

“Akademikët e moshuar, në shumicën e rasteve janë më me vlerë!”

Pas zgjedhjes si Kryetari i Ri i Akademisë, Gjinushi foli gjithashtu për pozicionin e funksionet që duhet të mbajnë akademikët më të vjetër në moshë. “Është e vërtetë se u duhet hapur rruga të rinjve dhe reforma e re e bën diçka të tillë, por pa cenuar të drejtat e më të moshuarve, të cilët nuk janë më pa vlerë, por më me vlerë, në shumicën e rasteve. Në moshën 75-vjeçare ata lirojnë vendin dhe nuk përfshihen në numrin total, duke hapur vende për të rinj”(siç shpjegohet edhe në relacionin shpjegues të projektligjit “Për Akademinë e Shkencave”: Projektligji nuk përfshin më kategorinë e akademikut të përhershëm, duke iu dhënë akademikëve mbi 75 vjeç statusin “Emeritus” dhe duke i çliruar ata nga disa detyrime institucionale të pjesëmarrjes në veprimtarinë e Akademisë. Projektligji parashikon funksionimin e Akademisë së të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë së Shkencave, me synimin për të inkurajuar drejtpërsëdrejti veprimtarinë kërkimore shkencore të kërkuesve të rinj dhe për vendosjen e një ure komunikimi e promovimi me ta). Gjinushi u shpreh më tej, se në dy vjet në Akademi mund të pranohen 15 anëtarë të rinj. “Dhe mbi 15 anëtarë të tjerë janë të mundshëm nga intelektualët, kërkuesit më të suksesshëm apo më gjerë, pra që punojnë jashtë. Dhe ju e kuptoni se një prurje prej 30 vjetësh nga brezat e rinj më pasues jashtë dhe brenda vendit, hapja edhe ndaj akademive rajonale veçanërisht të Kosovës, të gjitha këto krijojnë një frymë krejt tjetër në ASH. Rikthimi i votës për mbi 75-vjeçarët krijojnë atë që brezat nuk luftojnë me njëri-tjetrin, përkundrazi duhet të transmetojnë dijen tek më të rinjtë, dhe së bashku duhet të dinë t’i bëjnë oponencën qeverisë dhe shoqërisë për të rritur interesimin për shkencën”.

Platforma:

Gjatë prezantimit të platformës, Kryetari i ri i Akademisë Skënder Gjinushi ndali ndër të tjera në këto pika:

  • Reforma: “Shkenca shqiptare, sistemi ynë i kërkimit është në fazën e nevojës së një reforme rrënjësore. Akademia e Shkencave do të kthehet nga institucioni që ishte nën presion për t’u reformuar, në institucionin që drejton dhe nxit reformimin e sistemit të shkencës dhe të vetë Akademisë, në institucionin që bën presionin e duhur në emër të trupës së kërkuesve, të mjedisit intelektual e të gjithë shoqërisë, për nevojat dhe drejtimet e reformës, jo vetëm me akte ligjore, por të shoqëruar me institute, qendra kërkimore shkencore të riorganizuara, me dhënie të statusit të merituar punonjësve të kërkimit dhe institucioneve kryesore të sistemit të kërkimit shkencor në vend”.
  • Bashkëpunimet: “Reflektimi në mënyrë profesionale i urdhërimit ligjor, për të përcaktuar në statut procedurat dhe kriteret e pranimit, në bashkëpunim me IAL e institucionet e interesuara, shoqëruar kjo me rritjen e përgjegjësisë së çdo anëtari për të mbështetur e votuar më të mirët, në mënyrë që pranimet e reja të jenë reflektimi real i arritjeve më të suksesshme e më të spikatura të gjeneratave në vijim, do të shënonin hapin e parë për përmirësimin e përbërjes dhe figurës së Akademisë së Shkencave”.
  • Të rinjtë: “Vendosja për herë të parë në ligj e ngritjes dhe funksionimit të Akademisë së të Rinjve, një praktikë kjo tashmë pozitive, do t’i japë kësaj Asambleje mundësinë për një lidhje më të mirë me prirjet e reja të kërkimit shkencor, me frymën e ambicien e kërkuesve të rinj, problematikat që ata hasin në punën e tyre kërkimore. Këta të rinj duhet ta ndjejnë veten të përfshirë në kryerjen e misionit dhe objektivat kryesore të Akademisë së Shkencave, për promovimin e shkencës, përpilimin e strategjive, rritjen e cilësisë së botimeve, organizimin e aktiviteteve shkencore, përfaqësimin e lidhjen me akademitë si motra”.
  • Çmimet: “Çmime duhet të ketë në çdo fushë kryesore të kërkimit. Konkurruesit së pari, duhet të konkurrojnë brenda së njëjtës degë apo fushë. Çmimet duhet të kenë më shumë vlerë morale se sa materiale. Vetë ato duhet të bazohen mbi pjesëmarrjen dhe impaktin e punimeve të paraqitura në kongrese, konferenca, takime pune të organizuara nga Akademia e Shkencave apo me iniciativën e saj. Është një ambicie e madhe organizimi vjetor i tyre, ato mundësojnë një vlerësim objektiv të vlerës së gjithkujt, nga vetë mjedisi shkencor”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet