Kryeprokurorja Arta Marku: Për vitin 2017 u përgjuan 3575 persona

Nga Lindita Bushgjokaj

Kryeprokurorja Arta Marku raporton mbi kriminalitetin për vitin 2017. Opozita deklaron se nuk e njeh si prokurore

Ulet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndjekur për korrupsion, rritet numri i dosjeve për zyrtarët

Mes debateve në Komisionin e Ligjeve është bërë raportimi i analizën vjetore të kriminalitetit për vitin nga Kryeprokurorja E Përkohshme, Arta Marku. Në raportin voluminoz, Marku solli shifra mbi krimin, drogën dhe veprat e tjera penale, por më shumë ngjallën evidencat e rasteve të korrupsionit dhe përgjimet e përfshira në këtë raport. Marku tha, se në vitin 2017 ka pasur një rritje prej 69.6% të veprave penale të korrupsionit në krahasim me vitin 2016. Duke folur për korrupsionin pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Marku theksoi se u ul ndjekja e këtyre çështjeve në 5% të veprave të korrupsionit për vitin 2017, nga 11.2%, në 2016. “Në vitin 2017 ka një rritje prej 69,6 % të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, në krahasim me vitin 2016, rritje prej 80,8 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2016.

Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike në vitin 2017, në grupin e veprave penale të korrupsionit, është 45,4 %, ndërsa në vitin 2016 pesha që zinte kjo vepër ka qenë 29,2 %. Pra vërehet rritje e peshës specifike të kësaj vepre në totalin e veprave penale të grupit”-tha Marku. Me interes në këtë raport ishte edhe shifra e përgjimeve, e cila evidenton personat e përfshirë në vepra kriminale. Gjatë leximit të mëtejshëm, kryeprokurorja tha se gjatë këtij viti janë 3575 persona të dyshuar që u vunë nën kontroll postar elektronik dhe telefonik. “Gjatë vitit 2017 janë ekzekutuar gjithsej 2429 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 723 procedime penale. Nga këto, 276 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Është mundësuar interceptimi për 3575 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale”, tha Marku.

Akuzat

Kryeprokurorja Arta Marku është pritur me akuza nga opozita në Komisionin e Ligjeve, duke mos e njohur si Prokurore të përkohshme. Ata u shprehen të revoltuar ndaj Kryetarit të Komisionit Ulsi Manja, se ka vepruar kundër rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, duke ndërmarrë një vendim të pa konsultuar me ligjin dhe pa kërkuar mendimin e nënkryetarit të komisionit Enkelejd Alibeaj. Edhe pse morën pjesë në mënyrë të pavullnetshme, deputetët e opozitës, thanë se prokurorja është zgjedhur vetëm me 79 vota, ndërsa miratimi i saj në këtë pozicion kërkonte të kapte 84 vota, duke e konsideruar një vendim personal të marrë nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Ata shprehën gjithashtu, se prokuroja nuk ka tagrin ligjor të përgjigjet për pyetje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me sasitë e kapura të drogës, për rastin e akuzave të ngritura ndaj Agron Xhafajt, si dhe për çështjen Tahiri, por ka tagër ligjor që të angazhojë prokurorinë në mbrojtje të vëllait të Ministrit të Brendshëm në mes të natës. Debati ka agravuar në fjalë të rënda mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, të cilët kërkuan përgjigje për pyetjet e ngritura, në të kundërt prokuroja të japë dorëheqjen dhe ti hapë rrugë një prokurori tjetër. Ata thanë, se deklaratat ti lexojë përpara kryeministrit dhe në komision të japë sqarime, jo përralla. Në këtë situatë kryetari i komisionit Ulsi Manja ka mbyllur mbledhjen në mënyrë arrogante, ashtu siç e cilësoi opozita.

Presim të mbarojë Vetingu që të ngrihet KLP

Deputetja e LSI-së Silva Caka, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku ishte prezentë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka pyetur se kur do krijohet KED, si dhe garanci për pavarësinë e tyre për shkak të ndryshimeve që janë bërë në ligj për emërimin e magjistratëve. “Emërimi i magjistratëve kërkohet të bëhet nga prokurorja e përkohshme. Emërimi i magjistratëve nuk do të bëhet nga KLP, kjo është shumë e qartë, por po kërkohet të bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. A mendoni ju, se ky ndryshim është i ligjshëm dhe garanton pavarësinë e prokurorëve të rinj”, tha Caka. Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, tha se shumë shpejt do të ngrihet Prokuroria e Posaçme, e cila do të realizohet me mbarimin e procesit të Vetingut.

“Krijimit i një prokurorie të posaçme në luftën kundër korrupsionit është tashmë e miratuar, ka hyrë në fuqi, pritet vetëm që të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me qëllim që dy muaj më pas, të ngrihet prokuroria e posaçme në luftën kundër korrupsionit. Dihet që Ministra e Drejtësisë në paketën ligjore që miratuam së bashku me LSI-në, parashikon kompetenca shumë të qarta, edhe se kujt i kalojnë kompetencat e mëparshme ministrit të Drejtësisë për të qenurit anëtarë në KLD, janë shumë të qarta.

Tashmë janë këshillat të dy organeve: KLP dhe KLGJ. Ministri i Drejtësisë edhe në procesin e vetingut apo ngritjes së institucioneve përsa i përket aspektit thelbësor, mënyrës së përzgjedhjes, nuk ka asnjë rol. Ministri i Drejtësisë vetëm monitoron sesi po zbatohet reforma në drejtësi me të gjitha hallkat dhe mekanizmat e saj. Përsa i përket afateve të ngritjeve të institucioneve të reja, presim që shumë shpejt të mbarojë vetingu, me qëllim që dy muaj më pas të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, tha Gjonaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet