Kromanjonë në Shekullin e 21

Nga Dritan Shano

Njeriu i Kromanjonit (Cro-Magnon) ka ekzistuar 43.000-45.000 vjet më parë; ai ecte drejt dhe i shprehte ndjenjat duke bërë vizatime dhe skulptura në shpella. Po, ne kemi investimet e huaja më të ulëta në rajon. Raporti i BERZH tregon të vërtetën. Sepse nuk i kemi prioritet investimet, por na pëlqen të flasim për ndihmën ekonomike. Sepse asnjë nga vendet e tjera të rajonit nuk i thyen kockat investitorëve. Asnjë nga vendet e tjera të rajonit nuk mbulon territorin me drogë. Asnjë nga vendet e tjera të rajonit nuk e ndryshon sistemin fiskal dhe nuk i rrit taksat pambarimisht si këtu tek ne. Kemi investimet e huaja më të ulëta në rajon sepse ekonomia jonë është një coftinë me osteoporozë-ajo ka 6-7 vjet që nuk rritet, nuk e njeh inovacionin teknologjik; dhe sidomos sepse kemi kapitalin human më pak produktiv, dhe më të prapambetur të rajonit. Gjatë 5 shekujve të pushtimit osman gjithçka që ndodhte në Europë ishte e huaj për ne; ne nuk jetuam asnjë sekondë të zhvillimit, shpikjeve, Rilindjes dhe Iluminizmit Europian. Asgjë e këtyre shekujve nuk gjendet brenda nesh, në kulturën tonë, në indin apo genin tonë. Qysh nga 1912 e deri sot, asnjëherë nuk arritëm ta absorbojmë, ta tresim në gjakun tonë Europën.

Mbetëm në vend, një “tuttifrutti oriental-oksidental”. Kjo gjë po ndodh edhe tani; ndërsa Revolucioni i 4t Industrial po akseleron në Europë dhe në botë, duke kërkuar aftësi, mjeshtëri të reja, krejt të ndryshme nga ato që njohim, që mësojmë, për punë dhe profesione ende të panjohura për njerëzit-ky si proçes është krejt i huaj për ne. Ndryshimi radikal i strukturës sociale dhe ekonomike për shkak të Inteligjencës Artificiale dhe automatizimit nuk na prek, nuk na vjen as si puhizë në fytyrë, nuk arrijmë ta perceptojmë me asnjë shqisë të kulturës apo vizionit tonë kombëtar, jemi të shkëputur, nuk jemi pjesë e tij. Si atëhere, pasi na pushtoi osmani. Veçse tani, për dreq, jemi të lirë. Ndërsa bota përreth sprinton në korsinë e inteligjencës artificiale, në krye të 15-20 vjetëve, çdo shqiptar do jetë si fosil i gjallë i njeriut të Kromanjonit për Europën e sotme.

Pse? Sepse ne e kemi mendjen tjetërkund. Mendja jonë lëviz ngadalë, dhe ka të tjera prioritete. Ajo prodhon sulltanë dhe në vend të lirisë për të menduar e vepruar do vetëm siguri për të gjalluar– që ja premton sulltani. Por kush sakrifikon lirinë për sigurinë, nuk do ketë asnjërën, thosh një burrë i mençur. Ne duhet të luftojmë genin tonë, duhet të ndërrojmë prioritetet që të mos shndërrohemi në një Zoo Kromanjonësh në mes të Europës-ku Europianët sjellin krijesat e tyre për t’u treguar, në habitat natyral, se si ishte rraca njerëzore 1 apo 2 shekuj më parë. Sa për të ilustruar quo vadis të prioriteteve aktuale (kërkesë-ofertë) të evolucionit tonë pas 30 vjetësh qeverisje “demokratike”: Republika e Shqipërisë ka gjithsej 140 librari (vetëm 5 të mëdha, të tjerat të vockla), pra 1 librari për çdo 20,500 shqiptarë. Por, nga ana tjetër ka 3,788 pika bastesh të mbushura me televizorë LED, ose 1 pikë bastesh për çdo 758 shqiptarë. Sa për kafenetë, e dini vetë-Ka 18,312 syresh, ose 1 kafene për çdo 153 shqiptarë. Dhe kur s’ka ndeshje, ose nuk jemi në kafe-shesim diploma!

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet