Kroaci, Vuçiç acarohet me gazetarët: Nuk kërkoj falje…

Publikuar më 13. 02. 2018 nga Agim Popoci

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në ditën e dytë të vizitës së tij në Kroaci ndërsa zhvilloi një takim në Vërginmost, ku u takua me serbët lokal, refuzoi të kërkoj falje për shkak të fjalimit që kishte mbajtur në vitin 1995 në Glinë, ku para serbëve lokal kishte deklaruar se qeveria kroate është “ustashe” dhe “Glina kurrë nuk do të jetë kroate”.

Sot kur qeveria kroate vazhdon të jetë demokratike dhe Glina është pjesë e Kroacisë, atij nuk i ngelet asgjë tjetër vetëm se të zihet me gazetarë, duke i akuzuar se kanë për qëllim që ta përçmojnë.

“Unë kam qenë shumë i sjellshëm dhe për asnjë sekondë nuk kam dashur, që në ofendime dhe shpifje të përgjigjem me ofendime dhe shpifje. Edhe sot, për veten time kam dëgjuar të pavërtetat më të tmerrshme.  Siç duket ju nuk kuptoni një gjë, kemi pikëpamje të ndryshme për atë që ka ndodhur para 23 ose 28 vitesh, por kjo nuk do të thotë  se ne nuk duhet të jetojmë. Një përndjekje të këtij lloji nuk do ta përjeton asnjë president ose kryeministër kroat, kur të vjen në Serbi”,  tha Vuçiç i cili kishte humbur kontrollin për ato që fliste, por gazetarët sërish kërkuan një koment për fjalimin që kishte mbajtur në Glinë më 1995.

“E keni shpikur atë pjesën për Serbinë e Madhe, në fjalimin e Glinës nuk ka asgjë prej kësaj. Ju vetëm dëshironi diçka, për ta përdorur për përçmim të presidentit të Serbisë ose cilin do nga Serbia. Këtë film, për herën e njëqindë ju them, nuk do ta shikoni,” tha Vuçiç duke akuzuar gazetarët ndërsa bëri të ditur se do ta ftoj presidenten kroate për vizitë në Serbi, para kësaj vere, dhe atje nuk do të ketë histeri si në Kroaci, e ai i cili nuk do ti përmbahet këtyre rregullave, do të ketë pasoja, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili tashmë kishte humbur arsyen dhe po i drejtohej me akuza të rënda gazetarëve që po pasqyronin vizitën e tij në një fshat serb të Kroacisë.

Fjalimi

 Aleksandar Vuçiç, Glinë, 1995

Në vitin 1995, disa muaj para aksionit të fundit të luftës kroato-serbe, i koduar me emrin, “Stuhia”, Vuçiç  përshëndet “popullin heroik serb” në Krahinën Serbe në Kroaci, Srpska Krajina, i cili nën urdhërat e Millosheviçit dhe me forcat paramilitare e ushtarake të Serbisë, kishte okupuar territorin kroat dhe vazhdonte konfliktin me, siç e quante ai në atë kohë, “pushtetin ustash”:
“Kurrë Srpska Krajina, kurrë Glina nuk do të jetë kroate! Kurrë Banija nuk do të jetë më nën Kroaci! Askush më nuk e din as në këtë sallë se për çfarë shteti po angazhohet Sllobodan Millosheviç. A do të jetë pashallëk i Beogradit ose një Jugosllavi e KAÇKJ, çfarë shteti do të jetë ky? Nëse radikalët serb fitojnë dhe ngadhnjejnë ndaj presidentit të Serbisë, ju e dini që do të jetoni në Serbinë e Madhe, shtetin unik serb dhe këtu zbrapsje nuk do të ketë,” është shprehur Vuçiç në vitin 1995, si sejmen i Sheshelit, duke bërë sikur po e shante Millosheviçin, edhe pse kjo kundërshti kishte të bënte me luftën për pushtet, dhe jo për krimet që ishin bërë dhe po bëheshin nga paramiltarët dhe ushtarët serbë.