Kriza që po vret në heshtje të ardhmen tonë!

Nga Zamira Çavo

Shikoj fëmijë që mëngjeseve, para se të futen në klasa, tymosin duhan a dicka tjetër. Qelben erë ende pa hapur sytë mirë. Më tej hyjnë në mësim. Kam parë fëmijë dhe sigurisht adoleshentë që pas britmave banale që lëshojnë duke “lozur” me njëri-tjetrin, kalojnë në dhunë fizike. Derisa një adoleshent vret dhe tjetri vritet. Jetojmë në kohë krize. Nuk e keni vënë re se sa pak vëmëndje i kushtojmë brezit të ri? Prindër të verbuar nga dëshira për pasuri e prindër të verbuar nga skamja që çdo orë të ditës e kanë të zënë në hallin e tyre. Shoqëri indiferente që është e “zenë” me problemet e mëdha të politikës! Media që është e mbushur me modele antivlerash dhe antikulturë! Qeveri që është e “zënë” me luftën ndaj opozitës! Opozitë vetëm çliron energji negative! Politikanët që janë të zënë me pasuritë e tyre! Elita që të harruara nga koha janë tërhequr në hullitë e tyre të mbijetesës! Dhe brezi i ri pa ëndrra, pa vizione, pa ambicie, pa shpresa e pa ide! Të gjithë indiferentë ndaj këtij brezi! Kemi harruar t’i dëgjojmë! Nuk dimë më se si dëgjohen e mirëkuptohen! Askush nuk debaton më për emergjencën edukative! Dhe këta fëmijë, fëmijët që i kemi para syve përpiqen vetë të gjejnë modelet e tyre.

Dhe ecin në fijen e telit mbi humnera të pakuptueshme as nga ne. Njerëz ktheni sytë nga fëmijët tuaj! Ti gazetar, mendo qoftë edhe për një çast se me çfarë po e “ushqen” çdo ditë fëmijën tënd dhe do kuptosh se çfarë rreziku i ke vënë mbi krye! Ti qeveri më shumë se sa tonët e drogës së kapur të vlen kthimi i vëmëndjes ndaj brezit të ri! Ky brez ka nevojë për EDUKIM! Ka nevojë për MODEL, ka nevojë për SHPRESE! Ti pedagog që për të mbijetuar vetë prodhon mësues analfabetë, mendo një çast të ardhmen e fëmijës tënd, por edhe tënden! Ti mësues që i vënë më “shpatulla pas murit” për shkak të performacës ke hequr dorë nga misioni i edukimit, mendo një çast fëmijërinë tënde. Të gjithë bashkë të mendojmë më shumë për brezin e ri sepse mendojmë për të ardhmen tonë!

Të tjera

Abissnet