Kriza politike e shqiptarëve në Preshevë

Nga Sevdail Hyseni

Po mbushen gati dy muaj, që nga mbarimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për pushtet lokal në Preshevë të 24 dhjetorit të vitit të kaluar, e qeverisja e re komunale ende nuk ka filluar së funksionuari. Shkaqet e zvarritjes procedurale rreth formimit të koalicionit qeverisës dhe krijimit të pushtetit të ri, gjenden te subjektet politike shqiptare, të cilat në mungesë të një kulture politike dhe të mbërthyer nga inatet partiake e kanë zhytur Preshevën në një qorrsokak, nga i cili zor të dilet pa ndonjë çmim të madh.

E përfitues nga ky ngërç politik dhe kolaps ekonomik është Beogradi, i cili përmes disa grupeve të caktuara shqiptare në Preshevës, arriti qëllimin që parlamentin lokal ta bëjë multietnik, duke krijuar hapësirë më shumë për të zgjatur dorën e pushtetit qendror, në administratën e një komune, e cila gjithnjë po i përngjanë një bashkësie lokale me kompetenca tepër të reduktuara. Zgjedhjet e fundit në Preshevë, që kishin karakter të parakohshëm zgjedhor, do të mbahen mend në historinë e kësaj komune, për  shembullin e tyre të keq, të turpshëm dhe shumë të dëmshëm.

Gjithë ata, që kontribuan për shkatërrimin e rezultatit të zgjedhjeve të rregullta, duke shpartalluar parlamentin qind për qind shqiptar, në favor të atij multietnik, duhet ta kenë të qartë se legjislativi i kësaj komune nuk e ka gjetur dot rehatinë, përkundrazi kuvendi preshevar, do të shndërrohet në një arenë gladiatorësh me shumë të papritura, jo të këndshme për qytetarët e saj. Përvoja e gjatë e hidhur rreth: jo-stabilitetit, mos-funksionimit dhe pa-përgjegjësisë së ish Kuvendit Komunal të Preshevës, më shumë do ta çorientoj dhe katandis organizimin e pavarur politik të shqiptarëve, duke u lidhur me ndonjë parti qendrore në Beograd për interesa partiake, grupore dhe familjare.

Parcializimi i skenës politike preshevare në shumë parti politike shqiptare, duke llogaritur edhe Listën serbe, nuk është çudi që partitë e dikurshme Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare, të parat dhe të vetmet e dikurshme bartëse të shumë proceseve demokratike, duke llogaritur edhe Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, të mbeten në opozitë, pa pushtet lokal dhe pa atë të nivelit qendror.

Beogradi përmes partive të reja, kinse të formuara në emër të ndonjë “alternative për ndryshim”, do të zbeh dhe humb kuptimin e partive me taban kombëtar dhe mëvetësi të organizimit politike, duke i lidhur për partitë qendrore, me një qëllim largimin nga opsionet për bashkim kombëtar, për unitet ndërpartiak etj. Subjektet politike shqiptare fituese të zgjedhjeve për pushtet lokal në Preshevë, duhet t’i lënë anësh inatet, përçarjet, zënkat, shantazhet, hasmëritë dhe të bëhen tok, në mënyrë që ta ruajnë frymën kombëtare të Kuvendit të tyre komunal, duke vazhduar traditën e tyre të qeverisjes shqiptare.

Multietniciteti sa do që është një formë e pëlqyer nga ndërkombëtarët për mënyrën e qeverisjes lokale, një model i mirë për thithjen e fondeve republikane dhe rajonale, një shembull klasik për ofrimin e pushtetit komunal me atë qendror, kjo çka po ndodh tani në Preshevë, pas zgjedhjeve të parakohshme, është e dëmshme dhe me pasoja afatgjate.

Nuk është kurrë vonë për t’i vënë gishtin kokës dhe për të menduar njëherë e mirë rreth gjetjes së një rrugë të sigurt e me perspektive për të ardhmen politike të Preshevës, kësaj komune me një pozitë strategjike e cila shtrihet në afërsi të kufirit me Maqedoninë dhe Korridori ndërkombëtar E-10, i cili lidh Beogradin – Shkupin – Selanikun – Athinën. Këto begati natyrore e ky resurs njerëzor në Preshevë dhe rrethin, nuk guxon të shkelet për interesa të ngushta partiake, grupore e familjare, sepse përndryshe do të devijohet nga amaneti i të parëve, të cilët u flijuan brez pas brezi për t’i lënë një nam kësaj komune me të mira shumë.

Të tjera

Abissnet