“Kriza në Kosovë, zgjidhja ende e largët”

Jakup Krasniqi

Ky titull është i një shkrimi (analize) të DW i 9 shkurtit 2019, që tek ne e sollën mediet tona (portalet). Sigurisht që nuk pajtohem me pjesën e parë të titullit “Kriza në Kosovë”, kur dihet se në 30/40 vitet e fundit, kriza në ketë pjesë të Evropës është e shkaktuar nga Serbia dhe kriza vazhdohet nga politikat që zihen e përzihen në kuzhinën serbe e ruse dhe se kriza i tejkalon goxha shumë kufijtë e Kosovës, pra jo edhe me fajin e Kosovës.

Mbase titulli do t’i shkonte shumë më mirë po të thuhej: Krisa në Ballkanin Jugperëndimor, “zgjidhja ende e largët”. Pasi Ballkani do të vazhdoi të ketë kriza të karakterit nacionalist edhe aty ku zjarrit nacionalist i është qitur një kapak ngulfatës, e të cilit i duhet një zgjidhje afatgjatë të bazuar në vlera evropiane. Kaq sa i përket pjesës së parë të titullit. Është interesant edhe përshkrimi që i bënë Kosovës, për të cilën gjë autori shkruan: “Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet më të korruptuara. Mediat dhe drejtësia kanë ngelur varur në klanet e politikës. Kontrabanda e armëve, drogës dhe qenieve njerëzore janë “sektorët ekonomikë” më të rëndësishëm”. Për ketë edhe nuk kam shumë vërejtjeje, por kjo gjendje është që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it  dhe i gjithë problemi është i shtresuar nder vite dhe ka pasur e mbase edhe ka një bashkëveprimi me krimin e organizuar jashtë kufijve të Kosovës. Një gjë duhet të thuhet, ajo që nënvizova dhe e shkëputa nga shkrimi i DW për Kosovën duhet të lexohet e rilexohet nga drejtuesit e pozitës e të opozitës, sidomos nga të parët, që ta shohin pa syza, ashtu si po e shohin të tjerët Kosovën. Kjo vlen sidomos për ata që kanë qeverisur gjatë pas Pavarësisë. Sigurisht që ketë duhet ta ketë parasysh cilido që merr përgjegjësinë për të qeverisur.  Dhe gjendja është përshkruar saktë dhe për ketë gjendje flasin shumë faktor e në mesin e të tyre edhe largimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga Kosova dhe rënia drastike e numrit të banorëve gjithandej vendit tonë. Qytetarët po largohen se nuk po shohin as perspektivë e as siguri për jetën. Ata që e kanë marr përgjegjësinë për të qeverisur vendin, duhet t’i marrin masat e nevojshme për t’i ndryshuar në themel politikat e planifikimit e të drejtimit. Por, ketë nuk mund ta bëjnë me kapacitetet politike, intelektuale e profesionale që i kanë ofruar gjatë dhjetëvjetëshit të Pavarësisë. Ata duhet ta dinë se me politikat që i bëjnë me njerëzit e “lepe – peçeve” as qeveriset vendi dhe as bëhen ndryshimet progresiste e zhvillimore. Kushdo që nuk e sheh ketë është më shumë se mendjeshkurtër. Ajo që nuk mund të pajtohem është edhe fakti se për Serbinë po thuhet: “Në Serbi gjendja është e njëjtë, megjithëse vendi është zyrtarisht kandidat për t’u pranuar në BE. Komisioni i BE-së, ka parashikuar madje vitin 2025, si datë e mundshme pranimi”. Edhe në Serbi gjendja është e njëjtë, si në Kosovë (mbase edhe më keq), por ajo është kandidate për integrim në BE, ndërsa Kosova nuk e ka as liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet, është thënë po nga BE-ja. Kjo është një dëshmi tjetër se disa vlera të BE-së janë ngatërruar diku në mes 28 vendeve të saj!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet