Kristaq Dhamo, një jetë me filmin

Publikuar më 16. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Në radhën e figurave më të shquara të kinematografisë shqiptare, sidomos të dekadave të para të jetës së saj, pa as më të voglin dyshim Kristaq Dhamo ze një vend shumë të nderuar.

Po cili është Kristaq Dhamo?

I lindur më 20 prill të vitit 1933 në Libofshë të rrethit të Fierit në një familje të mirënjohur për kontribut atdhetar, Kristaq Dhamo në vitin 1952 do të mbaronte Liceun Artistik “Jordan Misja”, në degën e dramaturgjisë. Ai është i vetmi nxënës në historinë e këtij Liceu, që mbrojti diplomën me vënien në skenë të pjesës “Dëftesa e pjekurisë” të autorit sovjetik K. Simonov, e cila u shfaq disa herë në Teatrin Popullor.

Në të interpretuan për herë të parë P. Mani, K. Spahivogli, E. Oktrova, M. Luarasi e të tjerë, që, më vonë, do të bëheshin figura të shquara të skenës shqiptare. Në vitet 1952 – 1956 Kristaq Dhamo do të studionte në Budapest të Hungarisë për regjisurë filmi në Institutin e Lartë të Teatrit dhe të Kinematografisë së atij vendi. Duke vlerësuar përgatitjen e tij të lartë, në qershor të vitit 1956 Këshilli Pedagogjik i këtij Instituti i besoi, si punë diplome, xhirimin e filmit artistik “Histori dashurie”.

Ishte një provë jo vetëm për këtë student, por edhe për vetë Institutin, pasi ishte filmi i parë me metrazh të gjatë që realizohej me vetë forcat e shkollës. Për fat të keq, u arrit të xhiroheshin vetëm nëntë minuta, sepse, pas ngjarjeve të revolucionit hungarez të tetorit 1956, Qeveria shqiptare nuk e lejoi qëndrimin e mëtejshëm të këtij studenti në Hungari. Një muaj mbas kthimit prej Budapestit, pikërisht më 18 dhjetor 1956 Kristaq Dhamo emërohet regjisor në Kinostudion “Shqipëria e re”.

Tanimë ai do t’i kushtohej detyrave të shumta dhe, për më tepër, mjaft të vështira. Sepse, hidheshin hapat e para në rrugën e kinematografisë shqiptare. Më 1 qershor 1957 fillon xhirimin e filmit të parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë: “Tana”, me skenar të Fatmir Gjatës, Nasho Jorgaqit e të vet Kristaqit. Filmi mbaron së xhiruari në nëntor të po atij viti, domethënë brenda gjatë muajve! Mirëpo… në rrethana krejt misterioze zhduket negativi dhe pozitivi origjinal i montuar! Ajo çka shikohet sot, nuk është tjetër, veçse një rimontim i materialit të cilësuar si i pavlefshëm në variantin e parë, me disa episode shtesë, të kërkuara këto nga instancat partiake, për ta bërë filmin “sa me realist”!

Qe për këtë arsye, që ky film të shfaqej më 1958, duke u ndryshuar kësisoj edhe data e prodhimit! Filmi “Tana” ka hyrë në historinë e filmit shqiptar edhe si vepra e parë artistike me metrazh të gjatë. Në një boshllëk total teknik e organizativ të Kinostudios së kohës, dilte nevoja për një kompletim tërësor të këtij institucioni. Falë këmbënguljes së disa kineastëve të kohës, në mënyrë të veçantë të regjisorit të ri të Kinostudios, Kristaq Dhamo, u ngrit prapavija e nevojshme për prodhimin e filmit artistik (reparti i dekoreve, rrobaqepësia, kostumeria, rekuizita, ndriçimi, butaforia etj.

Në punë e sipër u përgatitën edhe punonjësit teknikë e artistikë, që, më pas, do të ishin një prapavijë e fuqishme e filmit artistik shqiptar. Në vazhdim të punës si regjisor, Kristaq Dhamo do të ishte autor i disa filmave. Kështu, më 1959, në bashkëregji me sovjetikun J. Ozerov, xhirojnë bashkëprodhimin sovjeto – shqiptar “Furtuna”. Më pas do të xhiroheshin dokumentarët “Ne u dashuruam me Shqipërinë” (1959) dhe “Asambli i Këngëve dhe i Valleve” (1960), realizuar këta në bashkëpunim me G. Erebarën, me të cilat nis edhe krijimtaria kinematografike e suksesshme e këtij të fundit.

Kineast me interesa të gjëra intelektuale, Kristaq Dhamo do t’i shpaloste aftësitë e veta edhe në fusha të tjera të kinematografisë. Më 1959, si anëtar i stafit pedagogjik punoi për formulimin e programeve të Shkollës së lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, ndërsa më 1960 dha në të leksionet e para në vendin tonë për regjinë, teorinë dhe estetikën e filmit, si dhe për historinë e kinemasë.

Ndërkohë, nuk e ndërpreu veprimtarinë krijuese. Në vitin 1963 realizoi filmin “Detyrë e posaçme”, për të arritur më 1965 te filmi “Vitet e para”, vlerësuar me çmimin e Republikës të klasit II dhe me Diplomë Nderi në festivalin e parë të Filmit Ballkanik në Varna (Bullgari, 1965) për “regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”.

Veprimtarinë artistike e vazhdon me dokumentarin “Ata nuk vdesin” (1966) me bashkëskenarist P. Dadon. Ky është një dokumentar me vlera të spikatura për heroizmin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po me P. Dadon si bashkëskenarist, më 1969 realizohet filmi “Gjurma”, që shfaqet më 1970, pas një kalvari të gjatë korrigjimesh, rezultat i asaj fryme që kishte të bënte me luftën kundër dukurive të huaja në art e kulturë?! Ripunimeve të theksuara iu nënshtrua edhe filmi “Brazdat”.Fatmirësisht, në arkiv ruhet i plotë varianti origjinal.

Dhamo, iniciator dhe drejtues i Festivalit të Filmit Shqiptar, që sot është harruar

Dy vjet më parë qe xhiruar filmi “Mëngjese lufte”, një ndër krijimet filmike më të arrira me temën e fëmijëve gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më pas vijnë filmat “Nga mesi i errësirës” – vlerësuar me çmim “Për regjinë më të mirë” në festivalin e filmit shqiptar 1979, “Qortimet e vjeshtës” – vlerësuar me çmim të dytë në festivalin e 5-të të Filmit Artistik (1983), “Vendimi” – i vlerësuar me çmimin e dytë në festivalin e 6-të të Filmit (1985) dhe “Botë e padukshme”, që cilësohet si filmi më i mirë i vitit 1987 dhe nderohet me Çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Njohës mjaft i mirë i gjuhës filmike, kërkues në punën krijuese me aktorin, sqimatarë dhe i kujdesshëm maksimalisht me montazhin, me krijimtarinë e tij Kristaq Dhamo zë një vend të rëndësishëm në historinë e Kinematografisë shqiptare. Në tërësi kjo krijimtari shquhet për vërtetësi e realizëm artistik në pasqyrimin e atmosferës së kohës, të cilën e arrin përmes paraqitjes realiste të mjedisit sendor – figurativ me atë të marrëdhënieve njerëzore.

Tregimi i qetë, analitik, mizanskenat që burojnë nga logjika konkrete e dramës dhe e personazhit, detajet jetësore e artistike, metafora dhe figura të tjera artistike janë, gjithashtu, karakteristike në krijimtarinë e këtij kineasti të shquar. Si udhëheqës artistik i Kinostudios për një kohë të gjatë (1973 – 1981) dhe 1984 – 1992, si iniciues dhe drejtues artistik e pedagogjik i studios artistike (1973) dhe i kurseve pasuniversitare (1974 – 1992), Kristaq Dhamo ka dhënë një ndihmesë tejet të veçantë në përgatitjen dhe formimin e artistëve të rinj, që, me kalimin e kohës, u bënë personalitete të mirënjohura në fushën e artit filmik: I. Muçaj, K. Mitro, E. Musliu, S. Kumbaro, R. Ljarja, K. Gjonaj, S. Pecani, H. Kamberi, N. Tafa, F. Koçi, B. Bisha, GJ. Xhuvani, E.Ibro, B. Martiniani, I. Kasapi e disa të tjerë. Është e vështirë, që, në dhjetëra e dhjetëra filma të viteve 1973 – 1992, të mos gjesh gjurmët e dukshme të këshillave dhe të ideve krijuese, që Kristaq Dhamo i shpërndante gjithandej me bujari.

Kristaq Dhamo ka qenë zgjedhur anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit të talenteve të reja të skenës dhe të ekranit. Ndërkohë, ka qenë iniciator i organizimit të Festivalit të Filmit Shqiptar dhe drejtuesi i tyre që nga i pari (1976) dhe deri më 1991. Paralelisht me këto detyra, ka udhëhequr mbrojtje diplomash për probleme të dramaturgjisë kinematografike, sikurse ka shkruar mjaft artikuj e studime për probleme të kinemasë.

Ai është edhe përkthyes i disa prej veprave të kinestetëve të njohur, bashkautor në tekstin Historia e Artit 4 etj. Në vitin 1979 Kristaq Dhamos i jepet titulli Artist i Merituar, ndërsa në vitin 1982 i jepet titulli më i lartë: Artist i Popullit. Në Festivalin e 11-të të Filmit Shqiptar (2000) nderohet me “Çmimin e karierës si regjisor”.

Tashmë 84-vjeçarë, Artisti i Popullit Kristaq Dhamo vazhdon ta ndjek me shumë vëmendje ecurinë e kinematografisë shqiptare dhe i vjen keq për tërë ata kineastë të talentuar që nuk po mundin dot t’i shprehin aftësitë e tyre për mungesë fondesh financiare! Ndërkaq, jeton me dhimbje përçapjet e disa intelektualëve, mjerisht edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që shprehen kundër tërë atij prodhimi filmik të para vitit 1990, që, në fund të fundit, mbante vulën e kohës.