Krasniqi: Synoj të shpallem kampion bote

Publikuar më 06. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Boksieri shqiptar i cili garon për Gjermaninë ka pranuar se ndeshjen e radhës do të luaj në verë, por kundërshtari i tij nuk është zyrtarizuar akoma

Robin Krasniqi fitoi pak ditë më parë ndaj polakut Grafka dhe vazhdon rrugëtimin drejt titullit “Kampion Bote”. Përballë qindra tifozëve shqiptare, Krasniqi arriti triumfin e shumë pritur pasi kishte rreth 5 muaj që përgatitej për këtë duel. Edhe pse kundërshtari i tij ishte në një nivel më të dobët se Krasniqi, ky i fundit nuk arriti dot ta mposhte me nokaut teknik. Krasniqi dominoi në katër raundet e para ndërsa në raundet e fundit u lodh dhe e uli ritmin për ta përballuar më mirë kundërshtarin. Kujtojmë që kjo ndeshje u luajt me 8 raunde dhe jo me 10 siç jemi mësuar të shohim zakonisht. Në dy raundet e fundit, konkretisht i 7 dhe 8 dhuruan emocione për shkak të dy taktikave të përdorura nga të dy boskierët. Kjo ishte fitorja numër 47 në karrierën e Krasniqit i cili tashmë synon të shpallet më i miri në botë. Pavarësisht se vinte nga humbja ndaj Artur Abraham, Krasniqi u rikthye me fitore ndaj Grafka në kategorinë e peshave të mesme të versionit WBO. “Synoj titullin botëror, do të jem shqiptari i parë.

Ju përshëndes të gjithëve, faleminderit shumë për përkrahjen”, janë fjalët e Krasniqit pas triumfit. “Dueli i radhës pritet në fillim të verës dhe unë jam i gatshëm për çdo luftë të madhe, pa rëndësi në cilën kategori apo federatë. Humbja e vitit të kaluar ishte e rëndë dhe e dhimbshme për mua. Kam pushuar gjatë dhe më ka munguar adrenalina e boksit, sidomos adrenalina e fitoreve. Megjithëkëtë, erdhi koha t’i rikthehesha ringut për çka kam qenë i përgatitur maksimalisht që nga gushti i vitit të kaluar. Sigurisht që isha i gatshëm për këtë sfidë, të cilën e kalova me sukses. Ja ku jam sërish! Fitorja e bindshme e mbrëmjes së të shtunës, ishte për mua dhe tifozët e mi, shumë e rëndësishme, prandaj po kthehem i lumtur në shtëpi. Më shumë se 5 muaj punë i kam pas vetes tani dhe kjo nuk do ishte e mundur pa ekipin tim të mrekullueshëm. I falënderoj të gjithë shqiptarët nga zemra! Kjo fitore përkon me një tjetër lumturi timen, pasi jam bërë dajë me tri vajza, Zoti i ruajt e u bëfshi 100 vjeçe, mbesat e mia! Vendi im, Kosova, ka vuajtur shumë. Shqiptarët janë përkrahësit dhe motivuesit e mi.

Dua të shkruaj historinë e boksit gjerman e njëkohësisht, dua të bëhem boksieri i parë shqiptar që e fiton titullin”, ka deklaruar Robin Krasniqi. Ai ka luajtur tre finale për tu shpallur më i mirë në  botë, por është mundur në tria rastet. E fundit ishte ndaj Artur Abraham vitin e kaluar. Kundërshtari i tij në këtë takim, Grafka është polaku i dytë që ai ka mundur pasu më parë ka fituar edhe ndaj Darius Zek në vitin 2017 me vendin unanim të gjyqtarëve. Mbetet për tu parë se cili do të jetë kundërshtari i radhës i Krasniqit i cili lajmëroi se në verë do të jetë ndeshja e tij e radhës. Kjo i mbetet federatës për të vendosur. Kujtojmë që Robin Krasniqi nuk garon për Shqipërinë, por për Gjermaninë. Në çdo takim që ai ka luajtur është ngjitur në skenë me flamurin kuq e zi për të treguar dashurinë e tij për atdheun dhe kërkon të largojë zërat kritik se pse nuk përfaqëson Shqipërinë, por Gjermaninë. Robin Krasniqi është një nga boksierët e vetëm shqiptar që garon në nivele të larta kjo pasi lojtarët e tjerë aktiv janë pjesë e peshave të lehta.