KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për shkarkimin e Klement Zgurit

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

KQZ ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri.

 

Shumica kërkoi shkarkimin e Zgurit në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj, duke mos thirrur mbledhjen e KQZ-së për mandatin e tij. Një ditë më parë socialistët nisën procedurat ligjore për shkarkimin e kreut të KQZ-së.

 

Një shkresë u bë publike për mediat ku dëshmohet se Zguri ka njoftuar anëtarët e KQZ-së me kërkesën e Prokurorisë lidhur me kryebashkiakun e Mallkastrës.

 

Shkresa hedh poshtë pretendimin e deputetëve socialiste se Zguri nuk i kishte vënë në dijeni mbi rastin anëtarët e tjerë të KQZ.

 

Kujtojmë që Klement Zguri erdhi në krye të KQZ-së si pjesë e marrëveshjes parazgjedhore mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.