KPK harron shkeljet me pasurinë dhe konfirmon në detyrë Bashkim Dedjen

Nga Bleona Metushi 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha dje vendimin përfundimtar për kreun e Gjykatës Kushtetuese. Në seancën e parë, komisioni tha se janë vërejtur pasaktësi në deklarime dhe një pjesë e dokumentacionit provues nuk mund të merrej për bazë, ndërsa dje njoftoi konfirmimin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha dje vendimin përfundimtar për kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke e konfirmuar atë në detyrë. Në një kohë që nga rezultatet e hetimit, të lexuara në një seancë më herët, mund të thuhej se Dedja do të ishte “viktima” e radhës e procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend, dje në orët e para të paradites, trupa gjykuese e Komisionit lexoi vendimin, ku me shumicë votash, Bashkim Dedja konfirmohej në detyrë.

Dy ditë më parë, një ditë para se të jepej vendimi, Maksim Haxhia, si përfaqësues ligjor i Bashkim Dedes, depozitoi në KPK një kërkesë ku i kërkonte verifikimin e personit që sipas trupës, kishte marrë kredi, pasi ai nuk ishte i vëllai i gjyqtarit, por ndoshta një tjetër person me të njëjtat gjeneralitete. Kjo kërkesë e mbrojtjes, nuk ishte marrë parasysh, e megjithatë edhe pa ndryshuar gjë nga relatimi i bërë në seancën e 8 qershorit, KPK vendos të konfirmoj në detyrë kreun e Kushtetueses. “Pas përfundimit të seancës dëgjimore, të datës 08.06.2018, në adresën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë ardhur dy kërkesa nga zoti Haxhia, në cilësinë e përfaqësuesit të rivlerësimit dhe subjekti i rivlerësimit Bashkim Dedja, për të cilat komisioni ka vendosur të mos i marrë në konsideratë. Arsyetimi për sa më sipër, do të jepet bashkë me vendimin përfundimtar, brenda afatit zyrtar.

Trupa gjykuese shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit, zhvilloi një procedurë të thellë të hetimit adminitrativë të bazuar në tri kriteret e vlerësimit. Dëgjoi pretendimin e përfaqësuesit të subjektit zotin Maksim Haxhia dhe vendosi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit , zotit Bashkim Dedja, me funksion gjyqtar, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.”-tha dje Xhensila Pine. Në seancën e 8 qershorit, KPK tha se një pjesë e mirë e dokumenteve provuese për justifikimin e pasurisë, nuk mund të merreshin në konsideratë, pasi kishin mangësi ligjore. Vendimi i djeshëm, në mos ngre pikëpyetje për kalimin e Bashkim Dedes, ngre pikëpyetje edhe për hetimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Konstatimet e KPK

Për apartamentin me sipërfaqe 146 metra katror dhe garazh me sipërfaqe 15 metra katror, me vlerë 180 mijë euro, i ndodhur në Tiranë, rruga “Sami Frashëri”, si burim i deklaruar në deklaratën Vetting, është kredi bankare në vlerën 120 mijë euro, me afat shlyerje 20 vjet. Hua pa interes në vlerën 25 mijë euro, marrë nga vëllai dhe kunati i tij. Të ardhurat personale të tijat dhe të bashkëshortes në vlerën 35 mijë euro. Në lidhje me huan në vlerën 10 mijë euro, marrë kunatit të tij, sipas deklaratës noteriale të cilën e ka depozituar si provuese për burimin e ligjshëm të të ardhurave.

Subjektit iu kërkua, të sjell dokumentacion provues, për burimin e ligjshëm të të ardhurave të kunatit për shumën e marrë hua. Gjithashtu, nga hetimi i kryer nga komisioni, rezultoi se kunati i subjektit të rivlerësimit, ditën e përcaktuar në deklaratë, si dita dhënies së huas, nuk kishte qenë prezent në Shqipëri. Pasi u pyet në lidhje me këtë konstatim, subjekti, depozitoi në 18 prill të vitit 2018, një tjetër deklaratë noteriale, nëpërmjet të cilës deklaronte se lekët ishin marrë nga babai i kunatit dhe jo nga vetë kunati ashtu siç kishte deklaruar më parë. Nga dokumentacioni i dorëzuar për të vërtetuar aftësinë paguese të kunatit të tij, rezultuan mangësi ligjore për marrjen në konsideratë të tyre.

Vëllai

Hua në vlerën 15 mijë euro, marrë vëllait të subjektit sipas deklaratës noteriale të depozituar prej tij në deklaratën Vetting, për këtë hua, nuk është depozituar dokumentacion provues për burimin e ligjshëm të të ardhurave të siguruara. Nga dokumentacioni i dorëzuar për të vërtetuar aftësinë paguese të vëllait të tij, rezultuan mangësi ligjore për marrjen në konsideratë të tyre. Gjithashtu, gjatë hetimit administrativ, të kryer nga komisioni rezultoi se vëllai i tij, në periudhën kur i ka dhënë subjektit 15 mijë euro hua, ka blerë një apartament banimi në pronësi të tij në shumën 42 mijë euro. Si dhe në vitin 2017, ka marrë një kredi bankare në shumën 25 mijë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet